“Kjo nuk është thjeshtë ndonjë parti opozitare: Kjo është një nga simpatitë naziste,” tha një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit.

Kreu i Partisë së Lirisë anti-emigrante të Austrisë, e cila u themelua pas Luftës së Dytë Botërore nga ish-nazistët, pretendoi në një postim në Facebook këtë javë se është takuar me gjeneralin në pension Mike Flynn, të zgjedhurin e Donald Trampit për të shërbyer si këshilltar i tij për sigurinë kombëtare.

Takimi i supozuar mes Flynn dhe Heinz-Christian Strache, i cili ishte raportuar së pari nga The New York Times, u zhvillua disa javë më parë, sipas Strache. Në postimin e tij në lidhje me këtë, Strache njoftoi gjithashtu nënshkrimin e një “pakti bashkëpunimi” me presidentin rus Vladimir Putin.

Një zëdhënëse e Trampit nuk i është përgjigjur kërkesës për koment, por një zyrtar anonim i ekipit të tranzicionit tha për CNN se takimi nuk ka ndodhur. Ambasada Austriake nuk pranoi të komentojë.

Edhe pse historia e Times fokusohet në paktin me Rusinë, takimi i dyshuar Flynn-Strache do të jetë të paktën po aq i rëndësishëm. Mbështetja e austriakëve për partitë e ekstremit të djathtë është rritur ndjeshëm gjatë 15 viteve të fundit. Partia e Lirisë së Straches mori 35 për qind të votave në raundin e parë të garës për presidencën ceremoniale të Austrisë, para se të humbte një zgjedhje në fillim të këtij muaji.

“Kjo nuk është thjeshtë ndonjë parti opozitare: Kjo është një nga simpatitë naziste”, ka thënë Daniel Serwer, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit i cili tani është profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins. “As Flynn nuk është ndonjë këshilltar i sigurisë kombëtare. Ai është një propagandues i dokumentuar konspiracioni. Kolegu i tij afatgjatë, Steve Bannon, është një nacionalist etnik dhe antisemit. Presidenti i zgjedhur është një fanatik anti-musliman dhe anti-emigracion.”

Nuk ka dyshim se Strache, i cili shqetësohet në lidhje me “racizmin e ndërsjelltë”, “të rinjtë austriakë që rrihen në disko dhe rrezikun e islamizimit”, ka shumë të përbashkëta me Flynn, i cili ka paralajmëruar gjithashtu për rrezikun e Islamit dhe e ka quajtur fenë një “kancer”, dhe me Trampin, i cili bëri thirrje për ndalimin e të gjithë muslimanëve nga hyrja në SHBA.

Edhe pse ata janë krenarë për qëndrimet e tyre mbi emigracionin dhe Islamin, Strache dhe Flynn kanë mohuar të jenë anti-semite.

Udhëheqësi i parë i Partisë së Lirisë ishte Anton Reinthaller, që mbështeti partinë naziste në fillim të vitit 1928, dhe më vonë shërbeu si një zyrtar i qeverisë naziste. Reinthaller ishte anëtar i SS, organizatës paraushtarake naziste që ekzekutoi një pjesë të madhe të Holokaustit. Edhe pse nuk ka prova të qarta se Reinthaller është përfshirë direkt në ekzekutimin, helmimin me gaz dhe torturimin e miliona hebrenjve, romëve, komunistëve, homoseksualëve dhe të tjerëve, ai shërbeu në qeverinë që e kreu këtë, dhe nuk ka bërë asgjë për ta ndaluar.

“Lexuesit e kanë të vështirë dallimin ndërmje ish-nazistëve dhe neo-nazistëve”, sugjeroi Swanee Hunt, një ish-ambasadore e SHBA-së në Austri, e cila është tani një lektore në Shkollën e Qeverisë John F. Kennedy në Harvard. Në Austri, “ka qenë gjithmonë vështirësia se si të merreshe me njerëz që ishin nazistë,” tha ajo. “Austria kishte shumë e shumë njerëz që ishin nazistë dhe simpatizantë. Nuk ka se si ata të jenë zhdukur në ajër.”

Partia e Lirisë ka punuar shumë për të fituar hebrenjtë – Strache ka vizituar Izraelin dhe partia organizoi muajin e kaluar një konferencë mbi anti-semitizmin. Washington Post raportoi në nëntor se Partia e Lirisë beson se ka një “kauzë të përbashkët” me “Izraelin dhe popullin hebre”: “kontrollimin e përhapjes së Islamit.”

Por ndonjëherë, e kaluara shkëlqen përmes.

Në vitin 2012, presidenti i atëhershëm i Austrisë anulloi planet për t’i dhënë Straches një çmim, pasi lideri i Partisë së Lirisë u dëgjua duke pretenduar se ai dhe aleatët e tij ishin “hebrenjtë e rinj”, dhe se tallja e frikshme gjatë rrugës së tyre në një festë në Hofburg Palace të Vjenës, ishte “si Kristallnacht”; nata në vitin 1938, kur civilët austriakë dhe gjermanë, me ndihmën e paramilitarëve nazistë, vranë hebrenjtë, shkatërruarn dyqanet në pronësi hebreje, dogjën qindra sinagoga dhe dërguan dhjetëra mijëra hebrenj në kampet e përqendrimit për të vdekur.

“Strache u tall me viktimat e Holokaustit duke krahasuar veten e tij dhe shokët e tij ekstremistë me hebrenjtë, dhe përmendi Kristallnacht për t’u ankuar në lidhje me protestat anti-fashiste”, ka thënë Abraham H. Foxman, drejtor kombëtar i Ligës Anti-Shpifje dhe një i mbijetuar i Holokaustit atë kohë. “Ky margjinalizim është skandaloz, por nuk është i habitshëm nga Strache dhe kategoria e tij.”

Tani Strache mbart mantelin e partisë së Reinthallerit.

Trampi ka përdorur metafora anti-semite dhe ka marrë mbështetje nga anti-semitët gjatë fushatës së tij për president. Në korrik, Flynn ripostoi dhe miratoi një postim anti-semit, por më vonë pohoi se ishte një gabim.

”Mes rrezikut të daljes sime si një teoricien kospiracioni, unë mendoj se po shohim një përpjekje për të ndërtuar një koalicion ndërkombëtar të nacionalistëve etnikë anti-Islam dhe anti-emigracion, të cilët mund të mbështeten te njëri-tjetri për të minuar rendin liberal demokratik të Perëndimit, në veçanti normat e tij ndërkombëtare në lidhje me paqen dhe sigurinë, tregtinë e tij dhe rregullat e investimeve, si dhe standardet e tij të të drejtave të njeriut”, ka thënë Serwer. Kandidatët për përfshirjen në këtë koalicion përfshijnë presidentin Putin, kryeministrin Netanjahu, presidentin Sisi, Marine Le Pen dhe Alternative fur Deutschland të Gjermanisë. Unë jam i sigurt se shumë do të shfaqen në horizont.” / Gazeta Impakt

Burimi: HuffPost

3 COMMENTS

  1. … [Trackback]

    […] Find More here to that Topic: epavarura.com/lideri-partise-se-themeluar-nga-nazistet-eshte-takuar-keshilltarin-e-sigurise-kombetare-te-trampit/ […]

  2. … [Trackback]

    […] Find More here on that Topic: epavarura.com/lideri-partise-se-themeluar-nga-nazistet-eshte-takuar-keshilltarin-e-sigurise-kombetare-te-trampit/ […]

Comments are closed.