Maks Velo, kundër mikut Rama për Teatrin Kombëtar: ja pse nuk duhet shembur

16

Ka befasuar Maks Velo, miku i Edi Ramës, kur ka mbrojtur qëndrimin se godina ekzistuese Teatrit Kombëtar nuk duhet prishur. Në një intervistë për Eni Vasilin, Velo ofroi argumentin e tij si arkitekt se pse ajo godinë duhet të vijojë të ekzistojë, pikërisht sipas tij, në emër të një trashëgimie
“Për mua, nuk duhet shembur. Aty ka katër probleme. Problemi i parë është i tokës, problemi i dytë është i teatrit, problemi i tretë është trashëgimia dhe i katërti projekti. Shpesh, mundohen t’i ngatërrojnë këto të katërta, ndonëse ato janë probleme veç e veç. Për mua, ajo tokë i duhej dhuruar Teatrit, për faktin se për kaq vjet, aty është zhvilluar një aktivitet i madh, janë krijuar institucione. Unë kam qenë në teatër që në vitin 1950. Kam parë edhe “Prefektin” me Behije Çelën, etj.. Kam bërë disa skenografi, kur drejtor ka qenë Xhemal Broja, i cili më ka ftuar. Aty janë themeluar të gjitha institucionet e kulturës. Aty është themeluar Teatri i Kukullave, Ansambli i Ushtrisë, Orkestra Filarmonike, në 1953 kam qenë aty kur Krantja dirigjoi Filarmoninë e Tiranës, pastaj kam parë baletet “Shatërvani i Bahçisarajit”, “Rusalkën”, etj.. Ka një manipulim, një goditje të keqe ndaj ndërtesës, me justifikimin: vajza ime është 2 vjeç dhe nuk e di se çfarë është bërë aty dhe ta shembim. Me këtë logjikë, edhe unë nuk kam qenë në kohën e Ismail Qemalit dhe le ta shembim shtëpinë e Vlorës, që, për mua, s’ka asnjë rëndësi dhe nuk kam asnjë lidhje me të, ose me godinën ku u mbajt Kongresi i Lushnjës. Unë kam lindur në vitin 1935, ç’lidhje kam unë me të. Vlerat vijnë nga vjetërsia”, tha Velo.
Ai nuk është druajtur që të dalë kundër mikut të tij kryeministër, edhe sa i përket stadiumit të ri.
“Ajo (teatri), ka vlera në ansamblin e ndërtimeve italiane, duke filluar me maternitetin, Bankën, Teatrin, “Dajtin”, Kryeministrinë, Akademinë, Universitetin. Stadiumin e shembëm. Rama thotë që ajo është shumë e mirë, por ajo është një gjë kaq gjigante, kaq e madhe, kaq e frikshme, saqë po merr që tani pjesë mbi Bulevard. I ka ardhur kaq afër kolonave, saqë nuk ka më mashtab. Gjëja më themelore në arkitekturë, që e kanë ruajtur europianët dhe që i kanë bërë qytetet aq të këndshme, është mashtabi”, shtoi Velo.
Ai ka kundërshtuar më pas dhe argumentat e zjarrfikëzve mbi rrezikun e zjarrit në atë godinë.
“Pastaj, ajo që thotë shefi i Zjarrfikëseve është qesharake, sepse nëse ka një godinë ku zjarrfikësit mund të shkojnë lehtësisht, për vetëm dy minuta, ku rrugët janë të hapura, dyert dalin direkt në oborr…, është Teatri Kombëtar. Po ajo salla e Kishës Ortodokse që është e groposur?! Pse nuk flet ai? Po rrugicat në Tiranë që janë aq të ngushta e nuk ke se si futesh po të marrin zjarr apartamentet?! Nëse flitet për kondita, në rastin e ujit, atje duhet çuar një tubacion si i kanë normat e zjarrfikëseve dhe ca pompa. Ai mund të restaurohet dhe të qëndrojë, sepse është një vlerë e madhe”, theksoi Velo. Për të, Rama duhet të tërhiqet nga shembja e godinës së TK-së dhe ndërtimi i një të riu.  //
 
 
 

Loading...