Dallgë 50 metra me shpejtësi 1000 km në orë: katastrofa e lajmëruar nga një gazetë angleze është shembulli tipik i marrëzive me të cilat ushqehet Interneti

Herë pas here, lajmi i frikshëm dhe dramatik i një mega cunami që mendohet se do të ndodhë në ishujt Kanarie rikthehet të bëjë lajm mes gazetave të gjysmës së botës. Në këtë rast ka zënë një faqe të plotë në të përditshmen britanike, Daily Star, një faqe shumë e ndjekur që shkruan se do të ndodhë brenda tre vjetësh.

Historia, ajo shkencore, është kjo: në krah të vullkanit Cumbre Vieja në Ishujt Kanarie është pikasur prej kohësh një sasi “materiali jokoherent”, që mund të rrëshkasë në fund të oqeanit.

Pjesën tjetër e ka shtuar Daily Star: materiali në fjalë do të krijojë një lëvizje e cila do të provokojë një cunam, i cili do të mbërrijë në brigjet amerikane me dallgë deri 50 metra, ndërkohë që në brigjet angleze do të jenë deri 8 metra të larta. Brenda 3 vjetësh.

Një katastrofë planetare. Por për të kuptuar më shumë nëse ky lajm i afrohet më tepër një historie filmash, se sa realitetit, duhet që të shohim faktet.

Që të ndodhë një cunam si ai që përmend Daily Star do të ishte e nevojshme që materiali në krah të vullkanit të rrëshkiste i tëri dhe me shpejtësi në oqean: bëhet fjalë për 350 km kub materiale, dhe në fakt nëse e gjithë masa bie në det, mund të shkaktojë një cunam. Por mundësitë që kjo të ndodhë, sipas studimeve gjeologjike, janë njësoj me ato të goditjes së tokës nga një meteor.
Studimet e kryer nëpër vite tregojnë se masa jokoherente mund të rrëshkasë në det me blloqe, edhe në këta raste duke krijuar cuname, por shumë më të vegjël në krahasim me parashikimet katastrofike.
“Brenda tre vitesh” është një mënyrë e bukur për të bërë parashikime, e kolauduar dhe përhapur sidomos mes politikanëve dhe magjistarëve: nuk është një tregues shumë pranë në kohë, si mund të jetë “sonte në darkë” apo “deri të hënën e ardhshme”, e që do të mund të shkaktonte një panik të justifikuar mes popullsisë. Ndërkohë që distanca e afatit të hedhur si hipotezë garanton harresën e mundshme të lajmit.
E vërteta? Materiali mund të bjerë në det sot, pas pesë vitesh apo 100 vitesh. Askush nuk mund ta parashikojë.
Në të përditshmen angleze bëhet një korrelacion interesant: duke qenë se vullkani shpërthen një herë në 50 vite, dhe duke qenë se shpërthimi i fundit ka ndodhur në 1972, brenda tre vitesh (edhe pse aritmetika thotë 4 apo 5) do të ndodhë shpërthimi i radhës, që do të shkaktonte rrëshkitjen. Si fillim, thotë Daily Star, dallgët do të arrinin deri 990 metra, për të zbritur më pas në “vetëm” 50 metra.

5 COMMENTS

Comments are closed.