Kështjella Chillingham (Angli) Rrugës për në kështjellë, doemos do t’ju impresionojnë muret e vjetra dhe kopshtet shumë mirë të rregulluara. Nga shekulli XIII, kjo kështjellë është në pronësi të familjes Gray dhe ajo ka namin e njërit ndër vendeve më të tmerrshme në botë, ku më së shumti flitet për shpirtin e “djalit të kaltër”. Saktësisht në mesnatë, në Dhomën ngjyrë rozë, dëgjohet një piskamë e tmerrshme. Askush nuk e di se me çka ka të bëjë kjo piskamë, por gjatë restaurimit të kështjellës para disa vitesh, janë gjetur eshtrat e një djali dhe mbetjet e një këmishe të kaltër edhe atë mu pas mureve ku dëgjohej vaji i tij.

Fshati Plakli (Angli) Adhuruesit e fenomeneve mbinatyrore duhet ta vizitojnë këtë, sipas librit të rekordeve të Guiness-it, fshat më të mallkuar në Angli. Femrat e sfilitura, ushtarët, zonja e kuqe Daring dhe qeni i bardhë janë vetëm disa nga paraqitjet e çuditshme që ju presin nëse e vizitoni këtë vend. Për shkak se krijohej një tollovi e madhe, autoritetet lokale kanë vendosur që në këtë fshat të mos festohet më Nata e Shtrigave. Sido që të jetë, edhe ata që nuk besojnë në fantazma, mund ta vizitojnë këtë fshat dhe të kënaqen në atmosferën e qetë që e ofron ai.

Pallati Comlongon (Skoci) Ky pallat është i njohur për qiraxheshën e tij, Marion Carruthers. I ati i saj, baroni Simon Carruthers, meqë nuk kishte djalë, kishte “rregulluar” martesën midis Marionës dhe James Douglasit. Meqë Marion sheh se kjo martesë nuk ishte e bazuar në dashuri, por në interes, refuzon që të martohet, për çka edhe e mbyllin në kullë. Më 25 shtator të vitit 1570 ajo vendos që t’i japë fund jetës, duke kërcyer nga kulla. Në vendin ku ka rënë trupi i saj, bari kurrë më nuk është rritur. Besohet se shpirti i saj endet nëpër këtë pallat mesjetar, duke kërkuar një vend për t’u prehur në qetësi. Mysafirët e këtij pallati edhe sot e kësaj dite thonë se shohin një grua të veshur në të verdhë se si endet dhe qan.

“Dobbins Inn” (Irlanda Veriore) Njëri ndër baret (pub) më të vjetra në Irlandë, “Dobbins Inn”, është ndërtuar në shekullin XIII dhe përgjatë ekzistimit të tij ka shërbyer si tavernë, vend i ruajtjes së armatimit, si dhe si strehim i sigurt për katolikët e dëbuar. Por, “Dobbins” është po ashtu edhe vendi i një krimi të tmerrshëm. Maude, gruaja e Hugo Dobbinsit, u dashurua në një ushtar, me të cilin takohej në një tunel sekret. Kur Dobbins merr vesh për këtë aferë, i vret të dy me shpatë. Në “Dobbins Inn” mund të shihet fantazma e një gruaje, e cila me dorën e saj ledhaton mysafirët e fjetur.

4 COMMENTS