Kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u martua më 2014, kur ishte ministër i Punëve Sociale, dhe bëri një dasmë që zgjati me disa faza, një ceremoni në Gjirokastër dhe një në Pezë të Tiranës, një fshat emblemë i luftës partizane që vazhdon të jetë vend pelegrinazhi për të majtën shqiptare në përvjetorët e diktaturës komuniste. Dasma që u zhvillua në kalanë e porsarestauruar të Gjirokastrës, për të cilën pati zëra se u restaurua enkas për këtë rast, ishte luksoze për buxhetin e një zyrtari shqiptar.

Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë

Maksima se pas çdo burri të suksesshëm qëndron një grua, ndoshta duhet ndryshuar disi për në kulturën shqiptare. Të paktën për pjesën e saj që kultivohet brenda kufijve të Shqipërisë. Aty, përgjithësisht pas vitit 2000, shumë burra të suksesshëm, që zakonisht konsiderohen burra të pozicionuar në nivelet e larta të politikës, që janë bërë ndërkohë të pasur e të famshëm, kur ka ardhur puna për të deklaruar pasurinë e tyre, ua kanë dedikuar atë grave të ndryshme me rëndësi në jetën e tyre, që mund të jetë bashkëshorte, nënë ose motër.

Ish-kryeministri Fatos Nano, i cili drejtoi vendin në periudhën 1997-2005, ishte i njohur për frekunetimin e kazinove, ku veç për një natë s’do t’i kishin mjaftuar gjithë rrogat si kryeministër. Pas largimit nga detyra ai tash jeton jashtë Shqipërisë, ku është e vështirë të jetosh pa punë dhe me të ardhurat që mund të ketë nga Shqipëria si ish-zyrtar i lartë. Sa ishte kryeministër, ai u akuzua vazhdimisht për korrupsion nga kundërshtarët e tij politikë, por kur këta erdhën në pushtet, nuk është se u kujdesën të vërtetonin akuzat e tyre me hetime. Kur ishte në detyrë, Nano u martua me një biznesmene dhe në dukje burimi i shpenzimeve mund të jetë i justifikuar, por është e vështirë të besohet që njeri i përgjegjshëm, që fiton me punë të ndershme, do të financonte pafundësisht vesin e kumarit të bashkëshortit. Si periudha e korrupsionit masiv, që infektoi çdo qelizë të shoqërisë shqiptare. Pushteti, që priret përherë në kontrollin e gjithçkaje – media, shoqëri civile, etj., nuk përdorte më diktatin për të kontrolluar, por blerjen.

Kryeministri aktual, Edi Rama, ndërtoi një shtëpi që thuhet se kushtoi 400 mijë dollarë, ndërkohë që ai njihet si njëri nga politikanët që deklaron rregullisht të ardhura të ulëta. Ai deklaroi se shtëpinë e ndërtoi kur ishte në opozitë, që nënkuptonte se nuk kishte pasur mundësi të akuzonte me pushtetin edhe sikur të dëshironte, por ai drejtoi Bashkinë e Tiranës 3 mandate rresht, bashkinë me buxhetin më të madh në vend dhe me një të tretën e popullsisë së vendit. Si kryetar bashkie, ai u akuzua vazhdimisht si “mister-20 përqindëshi”, sepse, sipas akuzave, ai merrte 20 për qind të vlerës për çdo leje ndërtimi që jepte. Akuzat ndaj tij për korrupsion kanë vazhduar dhe gjatë periudhës së qeverisjes së tij. Sipas një raporti sekret të prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Rama llogaritet të ketë një pasuri rreth 200 milionë euro. Në lidhje me vlerën e madhe të shtëpisë së tij, ai deklaroi se e kishte ndërtuar “falë” gruas së tij. “U bëra me shtëpi, falë gruas.”, tha ai në një intervistë për News 24, në janar 2016.

Kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u martua më 2014, kur ishte ministër i Punëve Sociale, dhe bëri një dasmë që zgjati me disa faza, një ceremoni në Gjirokastër dhe një në Pezë të Tiranës, një fshat emblemë i luftës partizane që vazhdon të jetë vend pelegrinazhi për të majtën shqiptare në përvjetorët e diktaturës komuniste. Dasma që u zhvillua në kalanë e porsarestauruar të Gjirokastrës, për të cilën pati zëra se u restaurua enkas për këtë rast, ishte luksoze për buxhetin e një zyrtari shqiptar. E sikur kjo s’mjaftoi, dasma vazhdoi me një ceremoni tjetër në Pezë, pak ditë më vonë, gjë e rrallë për dasmat e deri tanishme (jo shumë vite më parë u martua edhe shefi i Erion Velisë, Edi Rama, me një ceremoni të vetme, i cili nuk mori pjesë në dasmën e Veliajt). Sipas disa lajmeve, ceremonia e Pezës i ishte faturuar si aktivitet kulturor Ministrisë së drejtuar nga zoti Veliaj, por, si gjithmonë, akuzat nuk u sfiduan kurrë në gjykatë. Kur u pyet për burimin e shpenzimeve të dasmës, zoti Veliaj tha se e kishte bërë me kursimet e së ëmës, ndërsa për ceremoninë e Pezës, sipas tij, kishin paguar prindërit e bashkëshortes.

Dhe, ky vit ka nisur me një histori të kësaj natyre. Në mes të janarit deputeti socialist Alfred Peza u denoncua për një transaksion financiar mbi një milionë dollarë, një shifër shumë e madhe për një person që gjithë kohës ka qenë i punësuar me një rrogë. Veç kësaj, pas “suskesit” të tij qëndronte një grua, bashkëshortja e dytë e tij, e cila kishte blerë aksione në një bankë. Peza ka qenë gjithmonë një person publik, për shkak të profesionit të tij si gazetar, dhe dihen pak a shumë funksionet që i ka mbajtur e mediet për të cilat kanë punuar. Vetë Peza doli menjëherë për të mbrojtur pozicionin e tij, duke deklaruar se një milionë dollarët, me të cilat ishin blerë aksione në të Bankës Credins, kishin qenë kursime të familjes. Kjo veç e shtoi interesin për të zhbiruar më thellë në të ardhurat e familjes së tij.

Në vitin 2010 Peza ka pasur një çështje gjyqësore me ish-bashkëshorten, e cila kërkonte që ai të paguante më shumë për djalin e tij, për të cilin deri atëherë kishte paguar vetëm 4.000 lekë (të reja), rreth 30 euro, në muaj. Sipas dokumenteve të gjykatës, ish-bashkëshortja kërkonte që Peza të paguante më shumë për fëmijën, sepse tani ai fitonte më shumë, ngaqë ishte bërë drejtor në një televizion privat. Peza, nga ana e tij, ishte dakord për rritjen e pagesës, por jo 12-fish sa kërkonte ish-bashkëshortja. Sidoqoftë, gjyqi i para 6 viteve kishte interes për ngjarjet e sotme, sepse aty Peza kishte paraqitur një vërtetim page dhe ajo nuk ishte në mijëra euro, siç është përfolur rroga e Pezës, megjithëse edhe vetë deklaroi se është paguar me rreth 10 mijë euro në muaj, por 80 mijë lekë (më pak se 600 euro). Menjëherë njerëzit nisën të bënin llogaritë, se sa mund të kursejë një njeri me këtë rrogë, e disa e prodhuan dhe batutat e para në rrjetet sociale, si “Alfred Peza sfidon gjirokastritet.” Gjirokastritet njihen si koprracë dhe të rrallë janë humoristët shqiptarë që nuk kanë treguar ndonjë barsoletë në lidhje me koprracinë e gjirokastritëve. Por, ideja që një familje mund të kursejë një milionë dollarë në pak vite, vetëm nga rroga, është aq groteske, sa dhe një deklaratë e Partisë Demokratike, në opozitë, nuk i shmangu dot notat e humorit për të thumbuar ministrat e qeverisë socialiste: “Kur Alfred Peza ka arritur në pak vite të shumëfishojë pasurinë e tij, përfytyroni sa miliarda ka bërë Ilir Beqaj, Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri, Arben Malaj, Erjon Veliaj, e më tej, Edi Rama vetë.”

Vërtetimi i pagës në gjykatë shërben si dokument zyrtar dhe Peza rrezikon të zbulohet diku për mashtrim: ose në të ardhurat në gjykatë ose në kursimet e familjes. Nga ana tjetër, edhe bashkëshortja aktuale e tij, pronarja e aksioneve, dihet që ka punuar si gazetare ose nëpunëse në Ministrinë e Jashtme, me një rrogë që – sado e lartë të ketë qenë – vështirë se e kalonte shumën e 500 eurove në muaj.

Inspektorati i Deklarimit të Pasurisë njoftoi më 17 janar nisjen e hetimit të kontratës mes Aleksander Pilos dhe Mirela Ndinit, bashkëshortja e deputetit Peza, me të cilën Pilo i shiti Ndinit 1 për qind të aksioneve të Bankës Credins. Sipas këtij njoftimi për shtyp, objekt i kontrollit nuk do jenë vetëm pasuritë e subjektit në fjalë, por edhe gjendja e konfliktit të interesit.

Sigurisht, numri i njerëzve që shpresojnë te ky hetim është në nivele shumë pranë zeros. Deri tani nuk është ndëshkuar asnjë zyrtar i lartë i akuzuar për korrupsion, konflikt interesi ose mosdeklarim të pasurisë. Politikanët shqiptarë janë ndër njerëzit më të pasur në Shqipëri, por kurrë nuk i është bërë hetim pasurisë së tyre. Në Kuvendin e Shqipërisë ka deputetë që s’kanë bërë asnjë punë tjetër në jetën e tyre, veç të qenit deputetë, që do të thotë se të ardhurat e tyre janë lehtësisht të verifikueshme, për t’u krahasuar me vlerën e shtëpive të tyre ose jetën luksoze që e bëjnë. Por, situata ka shkuar aq keq, saqë deputetët që mund të kenë abuzuar financiarisht janë, pa frikë, pjesa më cilësore e Kuvendit, ku në legjislaturën e fundit janë futur një numër i konsiderueshëm njerëzish me të shkuar kriminale, njerëz që, siç janë shprehur disa figura publike, “kanë vrarë me dorën e tyre.” Një situatë e tillë e politikës shqiptare i bën njerëz si Alfred Peza veç personazhe batutash e barsoletash, ndërsa njerëzit e suksesshëm, ata pas të cilëve qëndrojnë vërtetë gratë, sepse ata i kanë shfrytëzuar ato si prostituta, nuk bëjnë transaksione komprometuese (ose nuk kanë bërë deri tani), dhe vazhdojnë të jenë deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, të patrazuar, e ndoshta qeshin me naivitetin e kolegëve të tyre “intelektualë”, që në përpjekje për të justifikuar paratë, hapin rrugën për t’u zbuluar mëkatet.

4 COMMENTS

Comments are closed.