Suzy Lamplugh, një agjente 25-vjeçare e pasurive të patundshme, që nga viti 1986 konsiderohet e zhdukur.

Një element, i cili do të tregonte vendndodhjen e saj të supozuar, ishte një takim i caktuar, për t’ia treguar një shtëpi njëfarë z. Kipper. Në orën 12:40 pas mesdite, të 28 korrikut, Suzy ishte larguar nga zyra e saj, “Sturgis and Sons”, në adresën 654 Fulham Road, duke marrë me vete çelësat e shtëpisë dhe veturës së saj dhe një çantë me 15 funte dhe me kartela të kredisë, por duke lënë çantën e dorës në zyrë. Dhjetë minuta më vonë, ajo ishte parë duke pritur jashtë, para një ndërtese boshe, në adresën 37 Shorrald Road, ndërtesë që ishte nxjerrë në shitje vetëm qe një javë.

Kush është z. Kipper? Në orën 1:00 të pasdites asaj i bashkohet një njeri (me gjasë “z. Kipper”, të cilin e përmend në ditarin e saj), i cili ishte veshur si zotëri dhe disa minuta më pas, ata janë parë duke dalë nga shtëpia. Në orën 6:45 të pasdites, menaxheri i saj lajmëroi zhdukjen e Suzy-t në polici. Makina e Suzy-t ishte gjetur nga policia rreth një milje larg zyrës së saj në “Stevenage Road”, Fulham pak pas orës 10:00 të mbrëmjes. Nuk kishte shenja të përleshjes, asnjë shenjë gishtash. Dera e shoferit ishte e hapur, freri i pangrehur, kurse çanta e saj ishte aty, por mungonin çelësat. Të nesërmen, më 29 korrik, u botua një artikull, ku thuhej se ekzistonte frika për rrëmbim të Suzy-t dhe se kishte frikë të madhe rreth sigurisë së tij. Prindërit e saj deklaruan se nuk dinin asgjë, por se shpresonin që ajo do ta tejkalonte këtë krizë dhe do të shpëtonte.

Çka kishte thënë e ëma e Suzy-t? Disa ditë pas zhdukjes së Suzy-t, e ëma e saj, Diana, ua kishte treguar gazetarëve grumbujt e letrave që i kishte marrë në lidhje me të, nga miqtë, por edhe nga njerëz të panjohur. Më 4 gusht, një javë pas zhdukjes së Suzy-t, Diana deklaroi se, për fat të keq, vajza e saj mund të ishte e vdekur. “Do të mund të pajtohesha me faktin që ajo mund të ketë vdekur, por nuk mund të pajtohem me faktin që kjo ndodhi në këto rrethana të paqarta. Kjo është e tepërt”. I ati i vajzës tregoi se Suzy kishte frikë të rrinte në vende të mbyllura, prandaj do të tmerrohej sikur ta mbanin diku të mbyllur. Dukej se ata shpresonin më shumë që ajo të ishte vrarë, sesa mbyllur dhe duke vuajtur. Përkundër një rekonstruksioni policor dhe një mbulimi të detajuar të medieve, asnjë informatë e re nuk doli në shesh në lidhje me fatin e Suzy-t. Sikur që shkruante Diana pesë vjet më vonë, “nuk ka pasur asnjë shenjë në lidhje me të. Sikur të fshihej me gomë fshirëse”.

A është ky z. Kipper? “Scotland Yard” ka deklaruar se i dyshuari kryesor për ta ishte një dhunues dhe vrasës i dënuar, John Cannan, për të cilin thuhet se, derisa ishte në burg, kishte përdorur nofkën “Kipper”, edhe pse nuk kishte dëshmi të forta. Kemi të bëjmë me njërin prej mistereve më të mëdha britanike, 30 vjet e vjetër.

5 COMMENTS

Comments are closed.