Evanxhelin Adams ishte ndoshta fallxhorja e parë e njohur në shkallë kombëtare në SHBA. E lindur në vitin 1868, Adams udhëtoi nëpër botë, duke patur një interes të veçantë tek spiritualizmi lindor dhe astrologjia. Pasi u vendos në Nju Jork, Adams filloi të praktikojë fallin si një profesion të vetin. Ajo qe në gjendje ta shndërronte praktikën e saj në një sukses masiv, pavarësisht nga fakti se asokohe falli ishte i paligjshëm në qytet.

Adams u arrestua tri herë, por nuk u dënua asnjëherë. Uoll Striti pati një interes të veçantë tek kjo grua. Para kolapsit të bursave në vitin 1929, mijëra njerëz lexuan parashikimet e saj në gazetën që botonte vetë. Këshillat e saj financiare pranoheshin njëlloj si nga investitorët e vegjël ashtu edhe ata të mëdhenj. Pasi pllakosi kriza ekonomike, popullariteti i Adamsit ra në mënyrë drastike, dhe shumë njerëz e bënë atë përgjegjëse për çuarjen e investitorëve drejt katastrofës. Ajo vdiq pak kohë më pas në vitin 1932.