Ka vite që përditë e më shumë nuk më pengon fakti që dëgjoj politikanët perëndimorë që flasin për historinë tonë të errët serbo-shqiptare, për urrejtjen dhe konfliktet e mëdha. Nëse vërtet duan që të na ndihmojnë të pajtohemi, këtë duhet ta bëjmë para tyre ne vetë- duke u nisur nga fakti i thjeshtë se ata nuk kanë të drejtë.
Pikësëpari duhet të dimë se teoricienia amerikane me origjinë bullgare Marija Todorova, e ka përshkruar këtë mënyrë të foluri mbi serbët dhe shqiptarët duke përgjithësuar me këtë ballkanasit, pra si ballkanizëm. Kjo do të thotë se ka shekuj që ne ballkanasit, na shohin si “sinonim të kthimit në fise, prapambetje, primitive dhe barbare” (Todorova 2006, 4), pra si të egër, të paqytetëruar në raport me ta. Dhe si njerëz që jemi përjetësisht të orientuar kundër njëri-tjetrit dhe që urrejmë njëri-tjetrin. Kjo kohë e korrektësisë politike mendoj se është idealja që të ngremë krye kundër kësaj teze. Që t’i biem tavolinës me pëllëmbë dhe të themi mjaft, dhe t’u shpjegojmë atyre se të flasësh për ne si një burim konstant konfliktesh dhe primitivizmi është njëlloj fyese sikur homoseksualët t’i quajmë pederastë apo zijoshë afroamerikanë.
Them se gabojnë, Ku është për shembull ajo urrejtja shekullore në Mesjetë. Nëse i hedhim një sy feudalëve serbë dhe shqiptarë, do të gjejmë shumë martesa të përziera ndërmjet tyre. Në mënyrë të veçantë janë martuar me njëri-tjetrin dhe kanë përzierë gjakun familjet e Brankoviçëve, Balshiqëve, Crnojeviçëve, me Kastriotët, Aranitët dhe Topiajt, shqiptarë. Dhe këtu nuk ka asgjë të çuditshme dhe të jashtëzakonshme- në Mesjetë ishte me rëndësi të ruheshin posedimet feudale madje edhe të zgjerohen duke krijuar aleanca ushtarake dhe mbrojtëse, dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë ishin lidhjet e krushqisë me të mëdhenjtë shqiptarë. Pikërisht për këtë feudalët serbë nga Kosova e sotme, Maqedonia, Shkodra dhe Mali i Zi, bënin krushqi me shumë dëshirë me feudalët shqiptarë në territoret fqinjë. Heroi më i madh shqiptar Skënderbeu është shembulli më i mirë i kësaj: babai i përkiste fisit shqiptar të Kastriotëve, ndërsa nëna Vojsava, ishte me prejardhje serbe; vëllai i madh quhej Sinisha, emër serb, ose më mirë të themi sllav. Ose le t’i hedhim një sy të famshmes “Lidhje të princërve shqiptarë”, të vitit 1444, kur Skënderbeu në Lezhë mblodhi familjet më të dëgjuara shqiptare dhe lidhi me ta aleancë për luftën kundër turqve. Historianët shqiptarë, me pak ose shumë arsye, këtë ngjarje e konsiderojnë si përpjekjeje të parë për bashkimin e shqiptarëve, si një gjurmë për shtetin e ardhshëm shqiptar dhe lëvizjen kombëtare. Kjo, për shijen time është disi e tepruar, por, gjithsesi, krahas familjeve shqiptare të Kastriotëve, Topiajve, Aranitëve, Muzakajve, Shpanëve, dhe Zahariajve, ishin edhe të mëdhenjtë serbë nga soji i Balshiçëve, Crnojeviçëve.
Mirë, do të thoni ju, ndoshta këtë pushtetarët e kanë bërë për interesin e tyre; edhe sot politikanët serbë dhe kosovarë si dhe biznesmenët bashkëpunojnë mes tyre, ndërsa populli i zakonshëm duron dhe vritet. Sikur Haradinaj të mos ishte në burgun francez për shkak të urdhër-arrestit të Serbisë, nuk do të ishte sot kaq popullor në Kosovë, dhe për tepër sikur të mos e kishte mbështetur Lista serbe, ai nuk do të ishte as kryeministër. Ndërsa Haradinaj e porositi publikisht Vuçiçin “mos e kruaj me mua”, në vetvete ai me siguri që mendon: “ti jepi, kruaju sa më tepër me mua, mua nuk më ka ecur kurrë kaq mbarë”. Gjithashtu, sikur Millosheviçi të mos ishte “kruar” me forcë me shqiptarët, Ramushi edhe sot e kësaj dite, sikurse edhe në 1990-ën, do të ishte punëtor ndërtimi, apo bodigard në ndonjë diskotekë zvicerane. Por, le t’i kthehemi për një çast popullit të zakonshëm në Mesjetë. As këtu nuk dimë të ketë patur ndonjë konflikt, kryengritje, pa le më pastaj luftë mes serbëve dhe shqiptarëve. Në “Kanunoren” e Car Dushanit shqiptarët përmenden në disa vende si blegtorë, që kanë të drejtat dhe detyrimet sikurse edhe vartësit e tjerë të Carit. Më në fund, duhet të themi se në Mesjetë, natyrisht që ideja mbi kombësinë nuk ishte e zhvilluar- kishte më shumë rëndësi se në cilën klasë shoqërore bëje pjesë domethënë se cilës klasë i përket sesa prejardhja, cilën gjuhë flet apo cilit Zot, atij ortodoks apo katolik, i lutesh. Kështu në Kanunore flitet për serbët nga njëra anë dhe për vllahët e shqiptarët nga ana tjetër, dhe kjo para së gjithash ka të bëjë me rregullat që bëjnë fjalë për fshatarët bujq dhe blegtorë, dhe më pak për serbët dhe shqiptarët në kuptimin etnik të sotëm.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shekujt në të cilët serbët dhe shqiptarët i kaluan në Perandorinë Osmane. Kjo Perandori nuk kujdesej fort për përkatësinë etnike- ishte e ndarë në vilajete dhe pashallëqe, në të cilët jetonin së bashku myslimanët, ortodoksët, katolikët romanë dhe hebrenjtë. Sigurisht edhe këtu nuk shkonte çdo gjë ai na vaj: myslimanët kishin tejet më shumë të drejta dhe më pak taksa, por e rëndësishme është të kuptohet se të gjitha bashkësitë etnike kishin autonomi dhe jetën e përditshme të tyre, qoftë edhe për shkeljet penale, e drejtonin krerët e tyre fetarë. Natyrisht kur u dobësua Perandoria Osmane në një shkallë të tillë që pozitat e të krishterëve erdhën duke u përkeqësuar, por gjithsesi, deri vonë në shekullin e nëntëmbëdhjetë, nuk mund të thuhet se ka patur ndonjë konflikt mes serbëve dhe shqiptarëve, dhe deri vonë, madje as edhe një në të cilin ata, në tërësi, qëndronin njëra palë përballë tjetrës.
Por, për hir të shembullit, le të marrim në shqyrtim se si ishin punët në Perëndim. A nuk ishte e mbërthyer e tërë Europa në luftëra politike dhe qytetare, që nga Mesjeta, ndërsa luftërat me bazë religjioze ndërmjet katolikëve dhe protestantëve deri në shekullin XVII? Për të sjellë vetëm disa shembuj të njohur nga të gjithë- e ashtuquajtura Lufta njëqindvjeçare mes Anglisë dhe Francës me të vërtetë që zgjati, me disa ndërprerje që nga viti 1337 deri në 1453, pra pothuajse njëqind vite! Në të ashtuquajturën Natë e Shën Bartolomeut, në vitin 1572 katolikët francezë vranë në mënyrë brutale me dhjetëra-mijëra bashkëkombës të tyre që ishin gjithashtu të krishterë, vetëm se ishin të prirur për nga reformimi. Në të ashtuquajturën Luftë Tridhjetëvjeçare që plasi në Europën Perëndimore në vitet 1616 dhe 1648 vdiqën 8 milionë njerëz etj. etj.
Pastaj, nuk ka diskutime për faktin se sa dhe si paraardhësit tanë ballkanikë i kanë dashur Hebrenjtë, por gjithsesi nuk di për ndonjë Program ndaj hebrenjve para Luftës së Dytë Botërore, të ngjashëm me krimet që janë bërë kundër tyre përgjatë historisë në Europën Perëndimore. Nga Mbretëria angleze, hebrenjtë, deri tek i fundit, u dëbuan në vitin 1290, ndërsa nga Spanja në vitin 1492. Shumë nga këta hebrenjtë e Spanjës, sefardët, erdhën e u ngulën këtu në Ballkan, ku pasardhësit e tyre jetuan si bashkësi deri me ardhjen e gjermanëve në vitin 1941. Madje edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, i vetmi vend në Europë në të cilin nuk pati deportime masive të hebrenjve ishte Shqipëria- megjithëse edhe ajo ishte, fillimisht nënë pushtimin italian e më vonë nënë atë gjerman. Shqiptarët iu përmbajtën me kokëfortësi traditave të tyre të vjetra të mikpritjes dhe besës, duke i fshehur hebrenjtë në shtëpitë e tyre. Teksa numri i hebrenjve në vendet e tjera europiane gjatë luftës ra me shifrat 90 apo 95 %, Shqipëria doli nga lufta me një popullsi hebre më të madhe me 11%!
Ku janë, po ju pyes ju, luftëra të tilla vëllavrasëse dhe masakrat e ngjashme në Ballkan në këtë kohë? Ku janë shembujt e një urrejtje të tillë etnike mes nesh që të krahasohen me ato të konflikteve katoliko-protestane apo gjermano-franceze apo armiqësia anglo-franceze? Ku janë programet e hebrenjve që nga Mesjeta e deri në kohët moderne në Kragujevac, Krushevac, Krujë apo Gjirokastër? Epo, nuk ka të tilla. Sikurse tregon edhe fakti që kam zgjedhur si moto të këtij teksti, nëse për ndonjë gjë vërtetë nuk jemi europianë, atëherë jemi për faktin se kurrë nuk jemi urryer dhe kemi luftuar kaq gjatë dhe në mënyrë kaq të përgjakshme mes nesh siç kanë bërë perëndimorët.
Që të konkludoj. Nuk kam synim të anashkaloj apo të zvogëloj rëndësinë e konflikteve që kemi, në të vërtetë në këto kohët moderne, mes serbëve dhe shqiptarëve, e aq më pak të heq dorë nga përgjegjësia jonë për to- përkundrazi, do të ishte e jashtëzakonshme dhe me shumë vlerë nëse shkaktarët e konflikteve tona të kohëve të fundit si dhe kryerësit e tyre, më në fund të shkojnë në burg, ku edhe e kanë vendin. Por, meqenëse në media, si në tonat ashtu edhe në ato të huajat, gjejmë pothuajse vetëm tema që kanë të bëjnë me konfliktet dhe krimet tona, prandaj më duket me rëndësi të këmbëngul në atë se kjo nuk është pamja jonë e vetme dhe as më e rëndësishme, dhe se raportet tona që nga kohët e lashta e deri më sot përmbajnë shumë shembuj dhe ngjarje pozitive. Shembuj të tillë përfshijnë, që të përmend vetëm disa, lidhjet mesjetare familjare dhe dinastike, kryengritjet e përbashkëta kundër turqve, këngët popullore që flasin për të njëjtët heronj si puna e Marko Kraljeviçit dhe Musë Kesexhiut dhe në të cilat shihet respekti i thellë ndaj njëri-tjetrit, shqiptarë që marrin pjesë në Kryengritjen e Parë dhe të Dytë serbe dhe më vonë përpjekjet që ata në njëfarë mënyre të afrohen ose të përfshihen në Principatën e Serbisë, intelektualët majtistë serbë që në fillim të shekullit të njëzetë ishin dakord për Shqipërinë e pavarur dhe krijimin e një konfederate ballkanike të bazuar në barazinë mes kombeve, luftërat e përbashkëta partizane më Luftën e Dytë Botërore, ndërtimet e pasluftës në Shqipëri ku komunistët serbë dhe jugosllavë ndihmuan me gjithë shpirt deri në kohën e Rezolutës së Informbyrosë, filmat e përbashkët, shfaqjet teatrale aktorët dhe bashkëpunimin e gjithfarshëm kulturor, dhe shumë gjëra të tjera. Për këtë, do t’ia vlente, para së gjithash që ne të pushojmë së shpërndari këto teza këmbëngulëse dhe jo të sakta mbi urrejtjen tonë shekullore dhe të kujtojmë se edhe vetë Europa është mbytur në gjithfarë luftërash në një kohë që këtu në Ballkan jetohej së bashku, dhe pas kësaj së bashku t’i bëjmë të heshtin këta zëra perëndimorë mbi ne dhe t’u shpjegojmë atyre se janë pikërisht ata që mund të mësojnë nga ne. Bashkimi Europian është në krizë- ndoshta ndonjë leksion mbi nderin tradicional ballkanik, besën dhe mikpritjen, respektin ndaj të moshuarve, mbi përkushtimin ndaj familjes dhe fisit, do t’u bënte mirë në këtë kohë krizash.
Danas 25.11.2017
/Autori është bashkëpunëtor shkencor në Institutin për Filozofi dhe Shkenca sociale në Beograd. Ky tekst është shkruar në kuadër të projektit “Tejkalimi i armiqësisë: Ndryshimi i perceptimit serbo-shqiptar”, i cili, ka mbështetjen e ambasadës zvicerane në Kosovë dhe projektit PERFORM, që mbështet zhvillimin e shkencave shoqërore në Ballkanin Perëndimor, e realizon Qendra Multimedia në Prishtinë në bashkëpunim me Institutin për Filozofi dhe Shkenca sociale në Beograd.