Intervista OPINION/ANALIZË

Mjeshtëri i gazetarisë, Gay Talese: “Një ditë është fashist, ditën tjetër plehrë. Por unë do ta votoj Trumpin pasi është e keqa më e vogël”

Gay Talese nuk do të flasë për politikë. Me tonin shpërfillës dhe të ngutur që përdor kur mërzitet, thotë se ajo e Donald Trump dhe Hillary Clinton është «historia e tyre», aspak e tij. «Preferoj t’i lë që të përdorin fjalët e tyre për t’i përshkruar, siç dhe nga ana tjetër po bëjnë». Megjithatë, mjeshtëri i gazetarisë letrare, i përkufizuar si babai i «neë journalism», në moshën 84 vjeçare – 13 libra të botuar dhe mijëra artikuj mbi barkun e Amerikës – ka ide shumë të qarta mbi dy protagonistët në garë për presidencën e Shteteve të Bashkuara. Nuk do të votojë për Hillary Clinton, të cilën e konsideron «Sekretaren e Shtetit më të keqe duke parë kaosin që ka krijuar në politikën e jashtme». Kurse për Trump shpalos një simpati të pazakontë.

Ju pëlqen? Po ua them si provokim.

«Mendoni një gjë: çdo ditë ka një artikull që i hedh baltë përsipër. Çdo ditë të bekuar hap gazetat, ndiz televizorin dhe gjen lajme e komente që e përshkruajnë si një njeri të tmerrshëm. Mendo vetëm “New York Times”: një ditë e paraqesin si fashist, ditën tjetër si plehrë, ditën tjetër si përdhunues, ditën tjetër si një biznesmen që ka bërë para duke vjedhur. Vjen një moment që arrihet të thuhet se është një baba i keq. Fëmijët e tij janë fantastikë! Kështu, duket qartë, nuk është e vërtetë. Ka pasur tri gra? E pastaj? Janë punët e tij»

Po e mbroni?

«Më intereson mekanizmi jo politikja. Kini parasysh këtu Alec Baldwin, e njihni?»

Aktorin?

«Ja, në një moment të caktuar gruaja e tij, ish gruaja, ka nxjerrë një incizim audio në të cilën ai shante të bijën dhe e ka nxjerrë në internet. Në harkun e pak orëve është shndërruar në përbindësh. Shpifja, gënjeshtrat funksionojnë kështu: duan njësekondë që të përhapen dhe të të gozhdojnë. Kur bëhesh i famshëm, ndodh gjithmonë».

Ju ka ndodhur edhe juve.

«Unë kam dashur gjithmonë që ta çoj gazetarinë në zona ku askush nuk e çon: privatësia seksuale, devijimi, voyeurismi. Kjo në Amerikë do të thotë të tentosh vazhdimisht vetëvrasjen letrare. Janë të obsesionuar nga politikisht korrektja dhe kur u cimbis moralin e tyre, merr në shkëmbim vetëm katastrofa».

Na jepni një shembull.

«Kur kam shkruar “Gruaja e të tjerëve” jam kritikuar ashpër nga komuniteti letrar sepse kisha guxuar të shkoja në territore të ndaluara. Në atë kohë duhej të emërohesha President i PEN Literary Awards (vlerësimi letrar më i rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara) dhe më përjashtuan. Sidomos femrat e komunitetit letrar bënë gjithçka qe e mundur që të përjashtohesha».

Për sa u përket femrave, keni deklaruar se asnjëra nuk e ka influencuar punën tuaj, duke shkaktuar shumë polemika.

«Sepse kam thënë të vërtetën dhe këtë në Amerikë nuk e bën askush. Të ishe italoamerikan në vitet Dyzet nuk ishte gjë e lumtur, ju siguroj për këtë. Në moshën 18 apo 20 vjeçare doja të bëhesha shkrimtar apo poet? Doja të bëhesha një yll i gazetarisë sportive. Është e qartë se nuk mund të ketë pasur femër që të më ketë frymëzuar.

Ju dhe morali i vendit tuaj nuk duket se jeni shumë dakord.

«Është për këtë arsye që në moshën 84 vjeçare them se nuk jam totalisht amerikan. Jam ende një një outsider. Apo janë vetëm afroamerikanët, lezbiket apo transgjinorët? Jam edhe unë. E gjithe jeta ime letrare është ajo e një outsider që ka infektuar gazetarinë letrare duke përcjellë të vërtetën josiguruese të jetës.

Nuk e bën askush dhe e dini pse?

«Sepse është një vetëvrasje. Nuk mund të jeshë pjesë e komunitetit letrar nëqoftëse shkruan për gjëra të caktuara. Kurse unë dua të marr përsipër rreziqet, dua të shkruaj libra të çmendur kurajozë. E kam bërë gjithmonë, si në moshën 20 vjeçare, ashtu edhe në atë 84 vjeçare. Dhe do të vazhdoj».

(nga Corriere della Sera)

Përgatiti:

ARMIN TIRANA