OPINION/ANALIZË Politika

Mos e dhëntë Zoti t’i shohim të gjitha!

Prisni, s’keni parë gjë akoma

Jo se, kujtuat se tërmeti i bëri fajde. Se mos ju gënjeu mendja se fytyra e qurravitur orë e minutë ishte e vërtetë. Se mos besuat për ndonjë çast (larg qoftë) se, meqë nuk la plak e plakë, fëmijë, grua e burrë pa puthur e përqafuar, qen e mace pa i folur, ndryshoi. Ja kështu papritur. Ose, ose, ndoshta (me të drejtë kësaj here), iu tha mendja se shkundja e natyrës, herët në mëngjes, i tregoi se para vdekjes janë të gjithë njësoj, se në finale, i pasur e i varfër, 2 metra dhé merr e asgjë më shumë. Ose duke e ditur që është thjeshtë një frikacak, thatë që u tremb dhe vendosi të hyjë në rrugë të Zotit.

Jo o jo! As mos t’ju gënjejë mendja kot.

Ju e dini cila është batuta e parë që ka lëshuar kur ka ardhur në pushtet: Prisni se s’keni parë gjë akoma! I ka gjërat e menduara ai. Kur vjen puna për batuta, nuk ia fut kot, e ka seriozisht. Të vetmet herë kur flet seriozisht, janë këto: batutat. Sa herë ka hedhur një të tillë, e ka vërtetuar se e ka seriozisht. I ka dalë fjala apo jo?

Mos ka ndonjëri ende ndonjë dyshim? Hidhni një sy pas në këto 6 vitet e fundit… U bindët? S’kishim parë gjë akoma vërtetë!

Dhe për fatin tonë të keq, nuk i kemi parë akoma të gjitha.

Zoti na ruajt!

Ja për shembull, mbrëmjen e djeshme, u desh shumë pak që kryeministri ynë “i dashur”, pikërisht ai që, para se të shfaqej në sheshin Skënderbej, ishte ulur gju më gju me popullin e i qante hallet, njësoj si lideri i tij shpirtëror dikur, të kthehej në origjinë. Pra të shfaqej i vërtetë, ashtu siç është: histerik, i papërmbajtshëm, arrogant, shtypës.

Në ceremoninë e ndezjes së dritave të pemës së Krishtlindjes, në shoqërinë e atij që po plas t’i zërë vendin, Erion Veliajt, kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj disa protestuesve që ishin në shesh, duke u treguar atyre gishtin e mesit. Aktivistët, të vetëquajtur “Rezistenca Rinore”, ngritën zërin kundër, çka duket se e ka nxjerrë nga skenari i këtyre ditëve shefin e qeverisë. Edhe pse i rrethuar nga fëmijë, ai nuk është përmbajtur dot. Rama i ka quajtur protestuesit, “harrupielë” që ishin të pranishëm aty “për të prishur syrin e keq”. Pastaj ka bërë gjestin e famshëm sharës, duke lënë më gojë hapur fëmijët e shkretë që në fakt prisnin dritat festive.

Po kush pyet për fëmijët tek e fundit! Ata, aty ishin thjesht pjesë e skenarit. Djajtë e vetë e kishin këshilluar të mbante fjalimin shpresëplotë për jetën që duhet të vazhdojë, për programin e ndritur të Rindërtimit, për qeverinë zemërgjerë, për ditët e lavdishme që na presin më pas.

Po ç’t’u thuash atyre të rinjve rebelë! Ata dolën nga skenari. Kryeministri i mallëngjyer e kishte harruar këtë pjesë. S’ka faj! Gjithë këto ditë vetëm fytyra të përvuajtura, lutëse deri në mëshirë, fatkeqë me sytë vetëm nga qielli… Këta të rinjtë nuk duheshin në një mbrëmje si kjo

Po si i quajti? Harrupielë…

Nuk është asgjë, mos u alarmoni! Prisni se s’keni parë gjë akoma!

Gishti i mesit? Asgjë, prapë. Prisni, s’keni parë gjë akoma!

Ehu sa shumë ka paralajmëruar Edi Rama.

Ama mos e harroni këtë foto. Nguliteni fortë në kokë. Nuk është fillimi ky. Është thjeshtë një tmerr pa fund.

Mëkat për ata vogëlushë që me siguri do ta përsërisin atë veprim, punë e pa punë. S’kanë faj, kanë parë ta bëjë Kryeministri. Kanë parë ta bëjë Edi Rama! Do ju duket edhe atyre e drejtë, normale!

Siç iu duk adhurues deri në qiell, Erionit. Shikojeni foton me kujdes, vini re fytyrën lakmitare të Erionit për atë gisht të drejtuar dikujt, diku, në errësirë. Kush e di çfarë ka ëndërruar Lali atë çast…

Si ka thënë ai, i madhi? Prisni, s’keni parë gjë akoma!

Mos e dhëntë Zoti t’i shohim të gjitha!/Pamfleti

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/
autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e epavarura.com