Nga Artan Lame

Sulltan Sulejmani I, bir i Selimit I dhe at i Selimit II, i mbiqojtur “il Magnifico” (i madhnushmi) midis perëndimorëve dhe “Kanuniu” (ligjvënësi) midis lindorëve, i dymbëdhjeti sulltan i Osmanëve; e humbi betejën me ne. Ndoshta na u deshën 400 vjet që ta fitojmë këtë luftë, po në fund ja dolëm. Siç vjershon Dritëroi në një rast e për tjatër punë:

“Grua, për ty u zura me Lek Dukagjinë,
e munda, por sytë ç’më panë”.

Pllakën, të fundmen gjurmë të qyteterimit Sulejmanian e shkulëm. Tani mund të vërtitemi të lirë e krenarë në malet tona kreshnike pa asnjë gjurmë qytetërimi ndër to, pa asnjë shenjë të fjalës së shkrojtur dhe të na ketë zili bota mbarë.

Në fakt, në këta 2000 vjetet e fundit, ne i kemi fituar betejat me të gjitha qytetërimet që janë përpjekur të na mbivendosen. Kemi fituar betejen me qyteterimin grek e me atë romak, më pas fituam betejen me qytetërimin bizantin e me atë norman, venetas e anzhuin, sërb, bullgar e osman, italian e ç’të them tjetër.

Të gjitha qytetërimet me gërma, që prej atyre me “A” gotike e deri me ato me “A” cirilike, humbën para nesh pa gërma fare.

Historia na mëson se qytetërimet janë ekspansioniste. Hapen, e hapen, e shtrihen, derisa përpiqen me një tjetër. Aty përplasen dhe më i forti mbijeton e vë poshtë më të dobëtin (flas për qytetërime e kultura, jo për forcë e pushtime).

Ka dy udhë që mund të ndjekë një popull pastaj për t’u mbijetuar qytetërimeve. Udha e parë është të ngrejë një qytetërim të vetin që të jetë me i lartër sesa ai i kombeve të tjera dhe kështu të mbijetojë me të. S’më ngjan që populli ynë trim, punëtor e liridashës, të ketë zgjedhur këtë udhë.

Udha e dytë është që, nëse nuk krijon dot një qytetërim të vetin, t’i qëndrojë me thonj e dhëmbë çdo qytetërimi të huaj. E më ngjan se çdo ditë që kalon, më bën të mejtoj se ky populli ynë arsimdashës, të ketë zgjedhur këtë udhë. Pra, nëse i shfaqet në derë një qytetërim që ka shpikur shkrimin, populli jonë mjaft t’i ruhet të shkrojturit si djalli nga temjani dhe fap, ja del të mbijetojë si komb. Ose, nëse vjen një qytetërim tjetër që ka shpikur të tjera alete, shtëpinë, tempujt, ujësjellësit, teatrot, e të tjera si këto, mjafton që populli jonë t’u rrijë larg në malet kreshnike dhe, kur të ketë mundësi të zbresë fushave e t’u vërë kazmën e qysqinë dhe ja, mbijetesa kombëtare erdhi.

Në Lezhë sot pashë që e kishin shkulur pllakën e Sulejmanit. Mbi mua ende rëndon mallkimi që, në emër të grave të Lezhës (s’di me ç’mandat) ma ka bërë një burrë që është deputet i atjeshëm. Por udhëve të pista të qytetit, nuk pashë aspak gra ilire krenare, por thjesht gra të munduara që zvarriteshin midis pluhurit duke kullotur bagëti deri brenda në qytet. E megjithatë ato e mundën Sulejmanin (jo atë të telenovelës që e shohin çdo mbasdite duke u psherëtitur), por atë të qëmoçmin që shkruante ligje e gdhëndte pllaka.

Ore se mos kujtoni që humbi vërtet Sulejmani. Ai është atje ku është, midis finesave të një prej qytetërimeve më të shquara të globit, ndërsa ne jemi këtu ku jemi, duke u sherrosur rreth një pllake të shkruar që as e kuptojmë se ç’është.