Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, në ndeshjen ndaj Turqisë e cila do të zhvillohet më 12 nëntor të shtunën në kuadër të eliminatorëve për Botërorin “Rusi 2018”, do të ndien një emocion të ndryshëm me fanellën e Kosovës.

Muriqi i cili luan për ekipin e Super Ligës turke Gençlerbirliği, në deklaratën e tij për ueb faqen e klubit tha se “Për ndeshjen ndaj Turqisë jam në emocione të ndryshme. Për mua do të jetë një përvojë shumë e ndryshme”.

Ai theksoi se posedon dy shtetësi. “Si person që luan në ligën turke do të jetë e ndryshme të luaj ndaj Turqisë. Të dyja palët do të shfaqin gjithë fuqinë e tyre. Le të jetë një ndeshje ku do të fitojë më i miri”, tha Muriqi.

Futbollisti kosovar foli edhe për shokun e tij të skuadrës Gençlerbirliği, Ahmet Çalık i cili luan për kombëtaren e Turqisë.

“Dëshiroj që të luaj kundër Ahmetit. Një pikë tjetër e cila e bën këtë ndeshje interesante është kjo. Sigurisht, ende nuk dihet a do të luaj unë apo Ahmeti. Në rast se trajnerët na mundësojnë do të kemi rastin të luajmë ndaj njëri-tjetrit. Por, nëse luan ai do të jem shumë i lumtur. Do të jetë ndryshe të luaj me një shok të cilin e dua shumë me fanella të ndryshme, edhe atë për kombëtaret tona. Mendoj se do të jetë një konkurrencë e mirë”, tha Muriqi.

3 COMMENTS

Comments are closed.