Një orë para, një pas, dhe shumë dëme për shëndetin e ekonominë: Arsyet bindëse pse ekspertët nuk duan t’i lëvizin akrepat e orës!

Po vjen koha kur njerëzit në gjithë Evropën do të pyesin: a duhet t’i lëvizim akrepat e orës një orë para apo prapa? Një pjesë e ekspertëve besojnë se kjo dilemë është problemi më i vogël në historinë e ndryshimit të orës. Kritikët e kësaj praktike thonë se kjo gjë e ka humbur kuptimin, ndërsa për të mbështetur pikëpamjet e tyre ata u bazuan në shkencë.

Në një konferencë në Bruksel, profesori i Neuroshkencës në Oksford, Russell Foster, dhe kolegu i tij në Universitetin e Munihut, Till Roenneberg, kanë paraqitur për publikun përfundimet e arritura nga studimi i ndikimit të lëvizjes së akrepave në zakonet e gjumit të individëve.

Mendimi i tyre është se kthimi i kohës për një orë prapa nuk sjell kursime, se ndikon në shëndetin tonë dhe shton kostot e përgjithshme të ekonomisë, transmeton Telegrafi.

Sa i përket shëndetësisë, lëvizja e akrepave ndikon në orën tonë biologjike, e pasojat negative janë sidomos për fëmijët dhe të moshuarit. Ata shtojnë se me ndryshimin e orës ndodhin më shumë aksidente të trafikut dhe komplikime gjatë veprimeve të ndryshime.

Në aspektin e humbjeve financiare dhe ekonomike, vlerësohet se për shkak të dy ndryshimeve të orës në vit, Bashkimi Evropian humb 1-2 për qind të PBB-së së saj, apo rreth 300 miliardë euro.

Eurodeputeti austriak, Heinz Becker, i bëri thirrje Komisionit Evropian që më në fund të shfuqizojë këtë praktikë pasi, siç thotë ai, sjell vetëm dëme.

Perandoria e dikurshme e Gjermanisë ishte shteti i parë që më 1916 ka zbatuar këtë praktikë. Është thënë gjithmonë se arsyeja e ndryshimit të orës ndodh që njerëzit të përdorin më pak energjinë elektrike dhe të shfrytëzojnë më shumë energjinë diellore.