Fëmija “i zhdukur” i merret nënës dhe i jepet një familjeje të gabuar Në vitin 1912, djali katërvjeçar, Bobby Dunbar u zhduk gjatë një udhëtimi me familjen e tij të pasur në Liqenin Suejzi në Luiziana. Kjo zhdukje bëri bujë të madhe dhe shumë njerëz dolën në kërkim të djalit.

Me këtë rast u prenë dhe u vranë shumë aligatorë dhe u hodhën shumë bomba në liqen, me qëllim të gjetjes së kufomës së vogëlushit, por të gjitha përpjekjet rezultuan të kota. Tetë muaj pas zhdukjes, familja e vogëlushit mori një lajm ku thuhej se, në Misisipi ishte gjetur një djalë që i ngjante të birit të tyre të zhdukur. Ai fëmijë ishte gjetur në pronën e njëfarë William Cantwell Wintersit. Winters thoshte se djali ishte nipi i tij, Bruce, i biri i vëllait të tij dhe i një shërbëtoreje të familjes, të quajtur Julia Anderson. Por, familja Dunbar u bind se Bruce ishte Bobby i tyre i zhdukur. Julia Anderson, nga ana e saj, insistonte se djali ishte biri i saj. Meqë njëra palë pretenduese ishte një familje e pasur dhe me ndikim, gjykata i tejkaloi të gjitha procedurat dhe djalin ia dha asaj familjeje. Winters u akuzua për rrëmbim dhe u dërgua në burg. Djali shkoi në familjen e pasur dhe bëri një jetë të lumtur derisa vdiq në vitin 1966. Por, një pasardhës i familjes Dunbar, në shekullin XXI, vendosi që të bëheshin analizat e ADN-së. Analizat treguan se djali nuk kishte kurrfarë lidhjeje gjenetike me familjen Dunbar. Ai ishte i biri i Julia Andersonit, Bruce.

Babai “i zhdukur” paraqitet vite më vonë… si moderator në TV Në vitin 1957, Lawrence Bader, tregtar që merrej me shigjetari, përkundër motit të keq kishte dalë me barkë në liqenin Erie. Kur të nesërmen u gjet barka e tij, e dëmtuar dhe pa Baderin në të, konkludimi ishte evident – ai ishte mbytur në ujë. U bënë kërkime të shumta në liqen, për gjetjen e kufomës së tij, por ajo kurrë nuk u gjet. Bader la pas vetes tre fëmijë dhe një grua me barrë, e cila mori 40,000 dollarë nga sigurimi jetësor, para të cilat në vitin 1950 kishin vlerë bukur të madhe. Tetë vjet më pas, një mik i familjes ishte në Çikago, ku vërejti një njeri, i cili deri në detaje ngjante me Lawrence Baderin. Ai njeri quhej John “Fritz” Johnson dhe ishte moderator i njohur në radio dhe TV në Omaha të Nebraskës. Edhe ai merrej me shigjetari, sikurse Baderi. Fritz Johnson nuk pranonte të ishte Baderi. Ai thoshte se ishte rritur në një jetimore dhe se kishte punuar 14 vjet në marinë. Ai thoshte se ishte i martuar dhe kishte 2 fëmijë. Ai pranoi ta bënte edhe provën me shenja të gishtave. Por, për habinë e tij dhe të tjerëve, shenjat e tij të gishtave ishin identike me ato të Baderit. Jeta e Johnsonit ndryshoi me rrënjë. Ai mbeti pa punë, gruaja u nda nga ai… Në anën tjetër, kompania e sigurimeve kërkonte që t’i kthehej shuma e parave që kishte paguar për të vejën e tij.

I vrari paraqitet në gjyqin e “vrasësve” të tij Në vitin 1929, një njeri i quajtur Connie Franklin u zhvendos në Arkanzas ku u dashura me një vajzë 17- vjeçare, Tiller Ruminer. Ata donin që të martoheshin, por sapo vendosën që ta bënin këtë, Franklin u zhduk. Kishte shumë njerëz që thoshin se Franklin ishte ikur nga obligimi i martesës, por disa muaj më vonë, Ruminer doli me rrëfimin se, natën e martesës, ajo dhe Franklin ishin sulmuar nga katër burra lokalë, të cilët i kishin rrahur dhe e kishin varrosur Franklinin për së gjalli. Ruminerin e kishin kërcënuar që të mos tregonte asgjë. Hetimet gjetën eshtra njerëzish, të djegur, kështu që katër njerëzit e akuzuar nga Ruminer, u burgosën dhe u akuzuan për vrasje. Deri këtu, krejt e arsyeshme. Por, dëshmitari kryesor në procesin rreth vrasjes së Connie Franklinit, ishte vetë Connie Franklin. Një njeri i cili thoshte të ishte Connie Franklin, tha se, natën para ditës së martesës, ai, bashkë me të fejuarën dhe të katër të akuzuarit, kishin pirë dhe ky ishte rrëzuar nga mushka. Të nesërmen Ruminer i kishte thënë atij se nuk donte që të martohej me të, prandaj ai u largua vullnetarisht. Por, gjykata nuk i besoi atij se ishte me të vërtetë Connie Franklin. Analizat e shenjave të gishtave treguan se bëhej fjalë për një të sëmurë mendor, të quajtur Marion Franklin Rogers, i cili kishte ikur nga një spital vite më parë. Por, ekzistonte mundësia që Franklin të ishte paraqitur me emrin e rremë, Connie Franklin. Meqë gjykata nuk ishte e sigurt, procesi kundër katër të akuzuarve u anulua. Kurrë nuk u mësua e vërteta!

3 COMMENTS

Comments are closed.