Njihuni me “Moglin” e Rusisë

28

Mbijetoi i vetëm mes kafshëve të egra dhe për këtë e kanë pagëzuar si “Mogli” i Rusisë. Është kjo historia e 3-vjeçarit Tserin Dopchut, i cili humbi në tajgën siberiane, për t’u gjetur shëndoshë e mirë 3 ditë më vonë.

Tserin jeton në një fshat të largët të Siberisë Jugore, e gjatë fundjavës u largua nga shtëpia pa dijeninë e familjes, duke i shkuar nga pas qenve të tij. Ata e çuan në tajga, një pyll mes tundrave dhe stepave, i populluar nga kafshë të egra që variojnë nga arinjtë, te rrëqebujt, ujqërit e dhelprat.

72 orë kërkime nga më shumë se 100 policë e pjesëtarë të grupve të shpëtimit, qen nuhatës e helikopterë, nuk prodhuan asnjë rezultat. Ai gjendej vetëm disa kilometra larg shtëpisë dhe në fund, shpëtimtarët e tij ishin pikërisht ata që e përfshinë në këtë situatë të rrezikshme; qentë e tij.

Kafshët u rikthyen në fshat dhe orientuan xhaxhain e vogëlushit, e gjithashtu disa pjesëtarë të grupeve të shpëtimit drejt zonës ku gjendej Tserin. Gjëja e parë që djali kërkoi ishte makina e tij lodër, siç rrëfen një punonjës i ndërhyrjes së shpejtë për mediet lokale.

Sipas tij, 3-vjeçari me shumë gjasa kishte arritur të shpëtonte pasi nuk ishte përfshirë nga paniku. Pasi e gjeti veten në mes të pyllit të ftohtë siberian, në shoqërinë e “miqve” aspak dashamirës, Tserin përfundoi së ngrëni çokollatën që kishte në xhep. Më pas u shtri në një vend të thatë poshtë një peme dhe fjeti.

Loading...