Liri Kuçi

Përkufizimin e figurës të dikujt do të sigurohesha ta vendosja në vetëm një linjë: pohuese ose mohuese të asaj çka mund dhe nuk mund të jetë një njeri në të vërtetë. Do të mund t’ia besoja vetes këtë të fundit, sikur të mos më ravijëzohej në çast figura e personit që praktikisht do të ma rrëzonte të gjithë përsiatjen e mësipërme, kryeministri  ynë dërdëng . Nuk deshi as shumë mend e punë të më kujtohej personi më i shpeshtë i televizionit, politikës, jetës së përditshme, arsimit, shëndetësisë, artit, kulturës e shumëçkaje tjetër. Tek ai gjenden të gjitha cilësitë e mundshme njëherësh, saqë  nuk e mendoj dot veten si të vetmin njeri që e shikon kaq të kompletuar dhe ambigue figurën e tij kryeministrore.

Portretizimi i kryeministrit do të qe i pavërtetë, pa shtuar se në përshkrimin e tij mund të zënë vend më së miri edhe çifte antonimesh si cilësi për të. Ky oksimoron është shpërfaqur katërcipërisht edhe falë  reformës që ndërmori në arsimin e lartë jo më larg se një vit më parë. Ndaj sot ne kemi një kryeministër që duhet të jetë përfaqësues i interesave tërësore të popullit, por nuk shkon më larg se të qenit lajmës i sukseseve të një grushti pasunarësh që i fuqizon dita-ditës. Sot kemi kryeministër bamirës-kurnacin; që filantropinë e tij e shfaq me  lëshimin e fondeve -si të ishin të mbetura stok – në institucionet private të arsimit të lartë, shoqëruar në anën tjetër me kurnacërinë në rripshtrëngesën e financimeve për universitetet publike. Kemi kryeministër bejler-çirakun, ku të parin di ta bëjë me tarifat e studentëve të publikut, kurse çirakun në mjediset luksoze me shefat e  diplomoreve private. Kryeministër arrogant-fjalëmblin,  i cili ul tonet dhe shton batutat në takimet me bizneset private brenda në fakultet publik, e jashtë u hakërrehet studentëve që ua përdor mjediset për  hapësirë propagandistike; që është neoliberal i majtë; ndjek politika të djathta edhe pse pretendon të jetë socialist.

Listën e epiteteve kundrathënëse për Ramën mund ta vazhdojë lehtësisht çdokush që është syhapët dhe i ndjeshëm për katandisjen e arsimit të lartë sot. Kështu dhe unë bashkë me shoqet e mia, për arsyet e lartme, por edhe për shumë të tjera që cenojnë drejtpërdrejt të tashmen dhe të ardhmet tona si studente të universitetit të ashtuquajtur publik, goditëm me vezë në drejtim të kryeministrit. Paskëtaj edhe pse e dhunuar prej kostumzinjve kryeministrorë, edhe pse e përqeshur si pulë që kakaris, e tanimë edhe si  e përndjekur penalisht me çështje të hapur në gjykatë, unë nuk pendohem që veza e hedhur në drejtim të tij doja që t’i prekte egon prej lartmadh’nie pikërisht atje ku ai mendonte se mund të vendosë me dorë të lirë. Në mungesë të arsyes e ndërgjegjes së tij, unë nuk pendohem as se doja që veza  t’i njolloste kostumin e kushtueshëm me të cilin kapardisej katedrës ku jepte leksion për biznesin e shëndetshëm privat. Nuk mund të pendohem  kurrsesi as përballë gjatësisë e hijes së tij të parfumosur me arrogancë, që burracakërisht iu fsheh thirrjeve tona, duke u tërhequr me bisht ndër shalë drejt strehëzës së vet me katër rrota.

Do ta godisja sërish kryeministrin, që qëllimi i shtetit tonë të mos jetë pasurimi i një grushti përtacësh e që arsimi të mos kthehet në një marrëzi të padobishme dhe të shtrenjtë, të konsumueshme veç prej këtyre përtacëve pasanikë. Nëse pata njëmijë arsye për ta qëlluar me një vezë, tash do të doja njëmijë vezë për ta goditur për secilën arsye.

3 COMMENTS

Comments are closed.