Dita e Shën Valentinit është një kohë për të festuar romancën, dashurinë e besnikërinë. Por origjina e këtij festivali me ëmbëlsira dhe perëndi dashurie është në fakt e errët, e përgjakshme – dhe pakëz e ngatërruar

Ndonëse askush nuk ka treguar me saktësi origjinën e saktë të kësaj feste, një vend i mirë për t’ia filluar është Roma e lashtë, ku burrat u vardiseshin grave, duke i … goditur.

Romakët e egër e të çmendur

Nga 13 shkurti deri në 15 shkurt, romakët festonin festën e Lupercalias. Burrat flijonin një dhi dhe një qen, më pas i rrihnin gratë me lëkurën e kafshëve që sapo kishin therur.

Romantikët romakë ishin “të dehur. Ata ishin lakuriq”, thotë Noel Lenski, historian në Universitetin e Colorados në Boulder. Gratë e reja në fakt viheshin në resht që burrat t’i godisnin, thotë Lenski. Ato besonin se kjo gjë do i bënte më pjellore. (bota.al)

Një vizatim paraqet vdekjen e Shën Valentinit – njërit prej tyre, gjithësesi. Romanët ekzekutuan dy burra me të njëjtin emër, në 14 shkurt, në vite të ndryshëm gjatë shekullit të tretë.

Kremtimi brutal përfshinte një llotari mblesërie, në të cilën të rinjtë tërhiqnin emrat e grave nga një kavanoz. Çifti më pas do të shoqërohej përgjatë gjithë kohëzgjatjes së festivalit – apo më gjatë, nëse ishin të duhurit për njëri-tjetrin.

Romakët e lashtë mund të jenë gjithashtu përgjegjës për emrin e ditës sonë moderne të dashurisë. Perandori Claudius II ekzekutoi dy burra – të dy quheshin Valentin – në 14 shkurt të viteve të ndryshëm, në shekullin e tretë. Martirizimi i tyre u nderua nga Kisha Katolike, me festimin e Ditës së Shën Valentinit.

Më pas, Papa Gelasius I i ngatërroi gjërat në shekullin e pestë, duke kombinuar Ditën e Shën Valentinit me Lupercalian, për të dëbuar ritualet pagane. Por festivali ishte më shumë një interpretim teatror i asaj që kish qenë dikur. Lenski shton: “Ishte më shumë një dëfrim të dehurish, por të krishterët i kthyen rrobat. Por kjo nuk e ndaloi që të ishte sërish një ditë pjellorie dhe dahsurie”.

Përreth të njëjtës kohë, normanët festonin Ditën e Galatinit. Galatini ishte “dashnori i grave”. Në një moment, gjasat janë që ky të jetë ngatërruar me Ditën e Shën Valentinit, qoftë edhe sepse kanë një tingëllimë të ngjashme.

Shekspiri në dashuri

Me kalimin e viteve, festa sa erdhi e u bë më e ëmbël. Chauceri dhe Shekspiri e romantizuan në veprën e tyre, dhe ajo fitoi popullaritet në të gjithë Britaninë, si dhe pjesën tjetër të Europës. Kartolinat e bëra me dorë u shndërruan në “tokens-du-jour” në Mesjetë.

Me kalimin e kohës, tradita mbërriti edhe në Botën e Re. Revolucioni Industrial solli kartolinat e prodhuara në shtypshkronja e fabrika, në shekullin 19. Dhe në vitin 1913, Hallmark Cards i Kansas City, nisi prodhimin masiv të letrave të Shën Valentinit. Që atëherë, shkurti nuk ka qenë më i njëjti.

Sot, kjo festë është një biznes i madh: Sipas studimeve të tregut të kryera nga IBIS ëorld, shitjet në ditën e Shën Valentinit arritën 17.6 miliardë dollarë vitin që kaloi; këtë vit pritet të arrijnë 18.6 miliardë dollarë.

Por ky komercializim ka prishur në një farë mënyrë festën për shumëkënd. Helen Fisher, sociologe në Universitetin Rutgers, thotë se fajin duhet t’ia vëmë vetëm vetes sonë.

“Kjo nuk është performancë që bëhet me komandë”, thotë ajo. “Nëse njerëzit nuk donin të blinin kartolina Hallmark, ato nuk do të bliheshin, dhe Hallmark do të dilte jashtë tregu”.

Dhe kështu festimi i ditës së Shën Valentinit vazhdon, në mënyra të ndryshme. Shumëkush do të boshatisë llogarinë bankare, me qëllim të blejë lule dhe bizhuteri për të dashurën. Të tjera do të festojnë duke darkuar të vetëm, dhe duke shijuar çokollata njëra pas tjetrës. Të tjerë mund të preferojnë ta festojnë ashtu si bënin romakët. Por, le të mos shkojmë atje… /NPR