Klodi Leka

Në syrin e fotografit dhe piarit bashkiak mbjellja e një peme, rregullimi i një rrugice, ndërrimi i një llambe apo vizatimi i disa kryqëzimeve kryeqytetase tregtohen si arritje të mëdha qytetërimore, ndërkohë që janë punët më të rëndomta për një kryebashkiak, qoftë edhe të kryetarit më dështak të bashkisë më të humbur të republikës. Mirëpo, pavarësisht se punët e vockla janë hiperbolizuar në këtë farë feje, prapë kryeqyteti kundërmon nga kazanë të qelbur mbeturinash, përmbytet sa herë ka reshje, s’ka kosha në cepin e rrugëve për kilometra të tërë, çezmat dhe banjat publike prej kauçuku nuk shërbejnë më, me qindra rrugë nuk kanë elektrifikim, trotuaret janë rizaptuar nga kioskat, sistemi i transportit publik po ajo mizerje etj. Megjithatë, bashkiakët e rinj vazhdojnë t’i mëshojnë fort fotoshopit dhe realitetit virtual rozë, duke treguar se sa shumë janë shkëputur prej realitetit të zakonshëm kryeqytetas.

Kush i mban mend fotot e Veliajt me fëmijët e komunitetit rom? Po me njerëzit në nevojë gjatë kohë si ministër? Veliaj, edhe pse vetëshpallet me jo pak pordhëri si shpikësi i konceptit të protestës civile në Shqipëri, gjithë rrugëtimin e tij drejt majave të pushtetit e ka bërë përmes fotove dhe reklamave pa bukë. Sot ish-miku i madh i romëve shpërngul me dhunë qindra familje rome duke iu hequr mbi krye edhe atë pakëz çati prej kartoni e plasmasi dhe duke kërcënuar me burg aktivistët që refuzojnë “zgjidhjet konsensuale” të tij. Sot ky dashnor i madh i njerëzve në nevojë çon për ndjekje penale kanoçembledhësit se i vidhkan pasuritë (mbeturinat) bashkisë me buxhetin më të lartë të vendit. Sot ky shpikës i protestës civile dhe drejtësisë sociale komandon skuadrilje pothuajse fashiste të policisë bashkiake për të dhunuar tregtarët e vegjël, shitësit ambulantë, të papunët dhe romët që rrojnë me ç’të gjejnë. Lëre pastaj aktivistët, të cilët i rreh dhe i pështyn publikisht, me lehtësinë e një tiranuci të vockël, sa herë e kapin me duart në thes.

Veliaj, që nuk të fal bukën e gojës dhe lekët e ilaçeve kur bëhet fjalë për të shitur në ndonjë cep rruge, me arsyetimin e një marrëdhënieje të re midis bashkisë dhe biznesit, sapo ka rrëfyer fytyrën e vërtetë të saj në landfilin e Sharrës. Ia çorën maskën prej hundëmadhi zgërdhirës dhe këmishëbardhi me zemër të zezë. Në fakt, shprehjen e kësaj marrëdhënieje e kemi mësuar gjatë protestave të Parkut, kur biznesmenët e tij, të bërë llucë nga kokaina, shqelmonin kokat e aktivistëve dhe u zinin pritë me një tufë halabakësh në hyrje të Parkut të Liqenit Artificial. Por punësimi në të zezë i dhjetëra fëmijëve dhe vrasja konsensuale e një adoleshenti përbëjnë kulmin e vizionit të tij kriminal. Për këtë ngjarje, Veliaj jo që nuk shprehu ndjenja fajësie apo ngushëllimi, por, përmes një deklarate prej sherifi, kërcënoi kokëpalarët e tjerë të mos i afrohen landfillit, ndryshe do të vriten edhe ata. Partneriteti kriminal i bashkisë dhe biznesit ndaj qytetarëve shprehet edhe me prishjen e shtëpive të banorëve tek ish-stacioni i trenit, kthimin e shesheve në qebaptore pa kupona tatimorë, betonizimin e mëtejshëm të hapësirave publike, shkarkimin e gazetarëve dhe punonjësve që i demaskojnë rrenat nga dita në ditë e kështu me radhë. Nuk ka asgjë për t’u çuditur. Veliaj nuk është gjë tjetër veçse vazhdues i kapjes biznesore të kryebashkiakëve dhe qelbës i Tiranës si kusht për të arritur më lart, për t’u bërë kryeministër.

Pavarësisht fotomontazheve të përkryera, Tirana mbetet kryeqyteti më i fëlliqur dhe i pajtueshëm në Evropë. Ajri gjithë çimento, kundërmimi i Lanës, betonizimi gjer në sinozit i peizazhit, komercializimi qoftëzues i hapësirave publike, autobusët skandalozë, trafiku i mbingarkuar, shpërthimi i haleve çdo stinë reshjesh dhe sa e sa dukuri të ngjashme janë fytyra e pagrimueshme e Tiranës ku jetojmë. Karshi këtij realiteti, Veliaj nuk është gjë tjetër veçse xhepisti i radhës në krye të qytetit. Ama një xhepist i rrezikshëm. Industria e propagandës që ka ngritur mund ta çojë shumë lart, por edhe mund ta zbresë shumë poshtë. Shumë lart sepse gënjeshtrën e kthen në shpresë. Shumë poshtë ngaqë njerëzit po frustrohen nga realiteti i propagandës dhe hendeku i tij me jetën e përditshme të njerëzve të thjeshtë. Ajo çka duhet të bëjmë në këto kushte është të demaskojmë çdo ditë reklamat e tij, të bëhemi antireklama, që pinokun kryebashkiak ta zbresim këtu poshtë, mes nesh, dhe ta punësojmë aty ku e ka vendin: kameraman dasmash ose dizajner grafik, por jo kryebashkiak.

9 COMMENTS

Comments are closed.