KURIOZITETE LIFESTYLE

Pensionet për emigrantët, çfarë dokumentash duhet për ta përfituar

Eksperti i pensioneve, Fadil Kepi sqaron qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë për procedurat që u duhet të marrin pensionin

Vendi ynë ka mbi 1 milion e 300 mijë persona në emigracion në shtete të ndryshme, të cilët kanë emigruar në moshë të re, rreth viteve 1990-1991. Në atë kohë kanë qenë rreth 30-35 vjeç dhe tani kanë plotësuar moshën për të dalë në pension.

Në Itali dhe në Greqi, për vitet që emigrantët kanë punuar atje, marrin pension sipas legjislacionit të këtyre vendeve. Por legjislacioni shqiptar i merr në mbrojtje emigrantët, pra ata që kanë punuar në vendin tonë përpara se të emigronin, ose që kanë paguar kontributin vullnetar të sigurimeve shoqërore për 15 vite ose më shumë, përfitojnë pension në Shqipëri, kur plotësojnë moshën e caktuar për daljen në pension, pra 65 vjeç për burrat.

Në Itali përfitojnë pension sipas legjislacionit italian kur kanë punuar të siguruar për 20 vite në këtë vend, por në moshën 67 vjeç. Në Greqi përfitojnë pension ata që kanë plotësuar shifrën prej 4.500 Ensima, si të thuash 4.500 pikë. Pra, u janë krjuar mundësitë emigrantëve që vitet e tyre të punës të vlejnë për të marrë pension pleqërie në të dy vendet, si në Shqipëri ashtu edhe në vendin ku kanë emigruar.

Siç e thamë edhe fillim, do të theksojmë edhe një herë disa porosi për emigrantët, të cilët këto ditë kthehen në vendin tonë për pushime.

Kur emigrantët vijnë në vendin e tyre, bashkë me librezën e punës dhe me kartën e tyre të identitetit, të gjejnë pak kohë dhe të shkojnë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore që ndodhen sa më afër vendbanimit të tyre. Aty duhet që të bëjnë përllogaritjen e viteve të tyre të punës dhe kohën e saktë se kur duhet të dalin në pension pleqërie.

Këtë vit, të gjitha femrat pavarësisht se kanë punuar në emigracion apo në vendin tonë, dalin në pension në moshën 60 vjeçe e 10 muaj, deri në datën 31 dhjetor 2019. Ndërsa burrat dalin në pension në moshën 65 vjeç. Në vitin e ardhshëm, pra në vitin 2020, burrat do të vazhdojnë që të dalin në pension në moshën 65 vjeç, por grave u shtohen edhe 2 muaj, pra do të dalin në pension kur të plotësojnë moshën 61 vjeçe.

Për të përfituar pension në vendin tonë, si për femrat ashtu edhe për meshkujt, duhen minimalisht 15 vite pune të siguruara, nga mosha 16 vjeç e lart. Në qoftë se nuk i kanë këto 15 vite pune të siguruara, përpara se të plotësojnë moshën e daljes në pension, kanë të drejtë që të paguajnë kontributin vullnetar të sigurimeve shoqërore, të cilat janë me leverdi.

Pra, u sugjeroj të gjithë të interesuarve, që të paraqiten pranë Agjencive të Sigurimeve Shoqërore për të përllogaritur me kujdes vitet e tyre të punës, në mënyrë që kur ekziston mundësia, të plotësojnë vitet që u mungojnë dhe të përfitojnë pension edhe në vendin tonë. Kontributi vullnetar i sigurimeve shoqërore është 5.600 lekë të rinj në muaj ose 67.000 lekë të rinj në vit./report tv/