Mësojmë me gëzim të madh se mazhoranca jonë e nderuar paskësh votuar dje një më një nenet e reformave, ndër të cilat edhe ato të martesave të dy personave të të njejtit seks. Kuptohet që meqë është shumica parlamentare, do të thotë se përfaqëson vullnetin e shumicës së votuesve shqiptarë. Kjo nuk do të thotë se pakica mund të ketë gjë kundër. Të paktën në këtë pikën e martesave, as që bëhet fjalë.

Çështja e martesave të të njejtit seks nuk janë risi. E ka hedhur si argument edhe Berisha në vitin 2009 kur ishte kryeministër, ndërkohë që kohë pas kohe është marrë e rimarrë. Praktikisht kundër nuk është askush. Në kuvend e politikë jo e jo një herë. Shoqëria civile? As që bëhet fjalë! Shumë shumë qëllon që flet Papa ndonjëherë e jehona kalon vakët edhe këtej.

Aq i vërtetë është ky fakt sa në debatin më të fundit në News 24 , përballë itharëve të martesave homoseksuale ndodhej vetëm kleri si palë. Edhe vizualisht duket se Pilati i ka larë duart. “Nuk keni punë me ne. Po e zgjidhët me hoxhallarët e priftërinjtë – aferim”. Ky duket se është kufiri i fundit. Feja. Jo se po i pyet njeri, por që kjo punë të bëhet “hallall”, pa debate e qejfmbetje, u desh edhe “toleranca fetare” që treguan klerikët në studio…

Po pjesa tjetër? Joooo!! Ajo, shoqëria jonë domethënë, ka treguar tolerancë maksimale jetë e mot. Nga një vend ku para çerek shekulli bëje 7 vjet burg po të të kapnin burrë me burrë, sot të të bekojnë me oriz në altar, vetëm një popull zemërgjerë, i kulturuar, i emancipuar mund ta mirëpresë. Tjetër se nëpër kafene mundet edhe ta prishim gojën ndonjëherë, por publikisht? Ç’na duhet?

Sepse moralin e tradicional e zëvendësoi shumë shpejt morali proletar dhe menjëherë amoraliteti i pragmatizmit të tranzicionit. Ne e themi me mburrje se jemi shoqëri amorale, që shohim secili punën tonë. Siç është ajo thënia (na falni për shprehjen ë!) “Ra zjarri në fshat – larg shpis time, ra në shpinë time – larg bythës sime”. Në rastin konkret: “Po edhe po ra në bythën time…hajt me trashëgime!!” /civitas

4 COMMENTS

Comments are closed.