Bashkia e Hasit e ka bërë fakt të kryer dhënien e titullit “Qytetar Nderi”, për të ndjerin Gafurr Mazreku, ish-deputet i zonës, që vite më parë qëlloi e plagosi në ambientet e parlamentit, deputetin demokrat Azem Hajdari.
PD e ka konsideruar këtë si akt të Ramës, sipas teorisë dhe praktikës që pas gjithçkaje që ndodh fshihet goja e dora e kreut të qeverisë, ndërkohë që ky i fundit mësohet të jetë shprehur i irrituar për këtë fakt. Sipas disa mediave, në mbledhjen e grupit Rama ka thënë: “Ç’janë këta këshilltarë që bëjnë këto propozime pa pyetur dhe ne nuk dimë gjë”.
Por për PD-në nuk është kështu.
“Vendimi i përfaqësuesve të Edi Ramës në Këshillin Bashkiak të Hasit u mor 3 ditë pasi Partia Demokratike i bëri thirrje Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë të ndalojë vendimmarrjen kriminale të këshilltarëve, të cilët janë plotësisht nën kontrollin e tij. Prandaj, Edvin Kristaq Rama nuk fshihet dot sot dhe as mund të lajë duart si Pilati!”, u tha në një deklaratë të opozitës.
Gafur Mazreku e kreu aktin e tij pas një përleshjeje fizike me bashkëkrahinorin Hajdari, në parlamentin e dalë nga zgjedhjet e ‘97-ës. Ai u dënua me 8 vite burg për plagosje. Për deputetin Hajdari, që vetëm një vit më vonë do të vritej nga të tjerë duar, ai mbeti “gjak i falur”, ndërkohë që dhe Mazreku kërkoi ndjesë më vonë duke thënë se ishte mbingarkesa emocionale që e çoi të shkrepte këmbëzën, i ndjerë i fyer në dinjitetin burrëror pasi Hajdari e kishte shtrirë përdhe. Sot asnjëri prej tyre nuk jeton. //