Është zhvilluar në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për kursin e zhvilluar nga Policia Turke për efektivët e policisë shqiptare me temë “Konceptet Themelore të Inteligjencës dhe Teknikat e Ndjekjes”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalë të mbajtur në këtë ceremoni që u zhvillua në ambientet e Akademisë së Sigurisë, zëvendësdrejtori i kësaj akademie, Artan Shkëmbi, ka falënderuar Policinë e Turqisë për ndihmën e vazhdueshme që i jep policisë shqiptare.

“Dua të falënderoj organizatorët që mundësuan realizmin dhe financimin e këtij projekti, si dhe ekspertët që ndihmuan për këtë trajnim. Besoj që dijet që keni marrë në këtë trajnim ti aplikoni në punën tuaj. Falënderoj edhe njëherë përfaqësuesit e policisë turke për mbështetjen dhe bashkëpunimin që kemi patur deri më tani dhe urojmë ta vazhdojmë edhe në të ardhmen”, tha ai në vijim të fjalës së tij.

Ndërsa këshilltarja pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Gül Sarıgül, duke vënë në dukje marrëdhëniet shumë të mira mes Turqisë dhe Shqipërisë, uroi efektivët për përfundimin e kursit me sukses.

Duke theksuar se deri më tani janë realizuar 8 projekte gjatë vitit 2016 6 nga të cilat në Turqi dhe 2 në Shqipëri, Sarıgül tha: “Nëse pala shqiptare kërkon një bashkëpunim të tillë, ne jemi të gatshëm që të vazhdojmë me këtë bashkëpunim, madje edhe ti zgjerojmë bashkëpunimet. Ne si ambasadë jemi shumë të lumtur që dëgjojmë që policia shqiptare është vendosur në radhën e policive më të suksesshme. Kjo gjë konstatuam që ka ndikuar shumë edhe në uljen e krimeve.”

Ndërkohë Ihsan Erdoğan, një zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Turqisë, i cili ka marrë pjesë si trajnues, falënderoi kolegët shqiptarë për pjesëmarrjen dhe në vijim tha se në kuadër të këtij trajnimi dyjavorë kanë dhënë mësime në teori dhe praktikë për kolegët e tyre shqiptarë. “Kemi prekur tema si; çështjet e shërbimit informativ, burimet e shërbimeve informative, si mund ti përdorim ato, etj. Gjithashtu kemi trajtuar edhe çështje se si bëhet një zbulim, si përgatitet një raport zbulimi, teknikat që duhet të përdoren në ndjekje dhe pikat kryesore të tyre. Këto ishin temat të cilat krahas teorisë i shpalosëm edhe në praktikë”, ka thënë Erdoğan.

Kursi “Konceptet Themelore të Inteligjencës dhe Teknikat e Ndjekjes” është zhvilluar nga datat 31 tetor deri më datën 11 nëntor. Ai është udhëhequr nga dy instruktorë të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Turqisë, Ihsan Erdoğan dhe Furkan Aydın.

3 COMMENTS

Comments are closed.