OPINION/ANALIZË Politika

Princi i vogël

Atje në vendin e tij, Princin e Vogël Gent Cakaj nuk e kuptonte askush. Sado që përpiqej t’u tregonte të rriturve se kishte dëshira dhe ëndrra të mëdha për jetën, se donte të bëhej politikan, diplomat, të vinte paqen në botë dhe të shpëtonte njerëzimin, sërish të rriturit përreth tij i kthenin të njëjtën përgjigje: Lerë këtë punë se nuk është për ty. Sa më shumë ai fliste, aq më shumë e këshillonin që më mirë do të ishte për të, të merrej me gjeografinë, me historinë, me gramatikën e gjuhës shqipe. Më vonë ndoshta mund të mësonte edhe ndonjë fjalë anglisht. Por kur të ishte gati ama…

Sa më shumë që fliste për ëndrrat e tij të mëdha, aq më e pamundur i bëhej Princit të Vogël Gent Cakaj mundësia për tu shkuar pas këtyre ëndrrave. Për këtë arsye, në fund, ai u detyrua të hiqte dorë, ju desh të zgjidhte një profesion tjetër, filozofinë. Por e kishte pa dëshirë dhe rrugës iu ngatërruan gjërat. Në fillim nisi studimet Master, përfundoi plot dy të të tillë (një në vitin 2014 dhe një në vitin 2015) e pastaj u kujtua se nuk kishte bërë studimet bachelor. Por Princi i Vogël ishte i duruar. Ai e kishte kuptuar filozofinë e kësaj bote: Të mëdhenjtë nuk kuptojnë dot vetë dhe është një punë e lodhshme për fëmijët që të rrinë e tu shpjegojnë përherë e ngaherë këtë e atë, e të gjitha… Kështu ishte i sigurtë që nuk do ta kuptonin as atë dhe as ëndrrat e tij të mëdha për jetën. Punë e madhe se studimet universitare do ti mbaronte pas atyre master. Ai nuk do të tërhiqej. Përkundrazi, do të bënte edhe shkolla të tjera, edhe master të tjerë. Tek e fundit punë e tij se si i kryente këto studime… Sido të ishte të rriturit nuk do ta kuptonin dot. Princi i Vogël Gent Cakaj kishte pretendime të vogla, sipas tij.

Kështu bëri Princi i Vogël Gent Cakaj dhe lexonte e lexonte pa pushim. Këtë e mbante si AS-in e tij nën mëngë me shpresën se një ditë dikush do t’ia vlerësonte këtë punë që e bënte me kaq durim. Por librat që ai i donte aq shumë ishin edhe tekanjozë. Princit të Vogël Gent Cakaj nuk iu desh shumë kohë që të kuptonte se ata (librat), nuk ishin edhe aq të përulur, të lehtë për tu kuptuar e aq më pak për t’i vënë mësimet e tyre në jetë. Megjithatë vazhdonte të joshej shumë prej tyre, të joshej sërish e sërish. E sa më shumë i mbante pastër, u pastronte pluhurat, u hapte e u mbyllte kapakët, aq më shumë tronditej prej tyre.

Gjëja e parë që mësoi Princi i Vogël Gent Cakaj ishte se vendi i tij i lindjes ishte fare i vockël. Sidomos për të realizuar ëndrrat e tij të mëdha. Të merreshe me të mëdhenjtë e vendit të tij ishte punë e vështirë, ata veçse ia pengonin realizimin e ëndrrave. Prandaj u mbylli kapakët librave, të cilët e panë të pikëlluar largimin e tij, u dha lamtumirën dhe u nis me shpresë se ndoshta në botën e madhe do të gjente ndonjë punë me të cilën të kalonte kohën dhe njëkohësisht diç të mësonte.

Në të parin vend që ndali, Princi i Vogël Gent Cakaj u takua me një Mendjemadh. Edhe ky i fundit ishte nga vendi i tij, por ai ishte tepër i zënë me veten për të menduar të tjerët. Mendjemadhi dëgjonte vetëm lëvdatat dhe nderonte vetëm kur të tjerët duartrokisnin për të. “Të admirosh do të thotë të pranosh që unë jam nga të gjithë njerëzit e planetit, ai më i pashmi, më eleganti, ai më i pasuri dhe më i mençuri”, i tha Mendjemadhi.

“Unë të admiroj”, iu përgjigj Princi i Vogël Gent Cakaj dhe duartrokiti fort. Atëherë për ta shpërblyer për adminirimin e tij të pashoq, Mendjemadhi i premtoi Princit të Vogël Gent Cakaj një çmim. “Do të të çoj tek Mbreti”, i tha ai Princit të Vogël. “Ama, mos harro, që Mbreti të të pëlqejë dhe të të ndihmojë të realizosh ëndrrat e tua, duhet të jesh besnik dhe t’i shërbesh për gjithçka”. Pasi Princi i Vogël Gent Cakaj pohoi më kokë, të dy u nisën për tek Mbreti.

Mbreti jetonte në zonën juglindore të kontinentit të madh dhe ishte i veshur me benevrekë dhe atlete, qëndronte ulur në një fron të thjeshtë, por prapë të madhërishëm. “Ky është Princi i Vogël Gent Cakaj”, e prezantoi Mendjemadhi. “Ai ka ëndrra të mëdha dhe ka lexuar më shumë libra sesa fjalë ke thënë ti në jetë”. Mbreti u gëzua shumë që më në fund po bëhej mbret për dikë. Deri në atë moment ai kishte pasur plot konkubina, por ky ishte një djalosh ndryshe. Kishte lexuar shuuumë libra dhe kishte ëndrra të mëdha. Pastaj ai edhe pranonte ti bindej. Meraku më i madh i Mbretit ishte si e si që autoriteti i tij të respektohej. Mosbindja ishte një gjë të cilën ai nuk e duronte kurrësesi. Sepse ishte një mbret absolut. Dhe Princi i Vogël Gent Cakaj ishte i gatshëm të dorëzohej pa kushte.

“Atëherë unë do të të bëj Ministrin e Jashtëm të planetit tim”, i tha Mbreti. “Ti do të kujdesesh për marrëdhëniet me planetet e tjerë dhe nëse do, mund të merresh edhe me planetin prej nga vjen”. Princi i Vogël Gent Cakaj u emocionua shumë nga këto fjalë. Në vendin e tij të lindjes nuk e kishte kuptuar askush. Rrugës për tek Mbreti, Mendjemadhi i kishte dhënë shumë zgjidhje që ai tashmë mund ti zbatonte, që nënkuptonte se ndoshta një ëndërr e tij edhe mund të bëhej realitet. Kështu do tu jepte mësimin e merituar të rriturve të vendit të tij që nuk e kishin marrë kurrë seriozisht. Me këtë ide endej nëpër zyra Princi i Vogël Gent Cakaj, adhuronte karrigen e vet dhe Mbretin dhe vazhdonte të ëndërronte.

Por diçka vazhdon ta trazojë sot e gjithë ditën. Edhe pse është një djalosh i vogël simpatik, me flokë të verdhë që të kujtojnë fushat me grurë, me të qeshurën si gurgullimë uji e sy të butë, Princi i Vogël Gent Cakaj vazhdon të mos kuptohet. Për çudinë e tij, të rriturit e tjerë, përveç Mbretit të madhërishëm, i thonë të merret me diçka tjetër në jetë se nuk është për këtë punë. Fjala vjen, pasi mësoi të flasë shqip, Princi i Vogël Gent Cakaj mund të mësojë anglishten. Ndoshta deri atëherë është rritur…/Pamfleti

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/
autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e epavarura.com