Filozofi gjerman, Georg Vilhelm Fridrih Hegel, besonte se bota ecën përpara, por vetëm duke u endur nga një ekstrem në tjetrin, pasi përpiqet që të kompensojë (me tepri) një gabim të mëparshëm. Ai propozonte se zakonisht duhen tre lëvizje, përpara se ekuilibri i duhur për një problem të mund të gjendet, një proces që ai e quajti “dialektika”.

Në kohën e tij, ai thoshte se qeveritë janë përmirësuar, por aspak në mënyrë të drejtpërdrejtë. Sistemi plot të meta, i padrejtë i shekullit 18, i monarkisë së trashëgueshme ishte shfuqizuar prej Revolucionit Francez – etërit themelues të të cilit, donin që t’i jepnin zë shumicës së popullit.

Por ajo që duhej të kish qenë lindja paqësore e qeverisë përfaqësuese, kish përfunduar në anarshinë dhe kaosin e Terrorit. Dhe kjo solli ngjitjen e Napoleonit, i cili kish rikthyer rendin dhe garantuar shanse për talentin dhe aftësitë – por edhe ai e kish tepruar dhe ish shndërruar në një tiran ushtarak, që kish trembur pjesën tjetër të Europës, si dhe kish shtypur lirinë, që dikur thoshte se e donte. Me kalimin e kohës u shfaq “kushtetuta moderne e ekuilibruar”, një marrëveshje kjo, e cila në mënyrë më të arsyeshme, balancoi përfaqësimin popullor dhe të drejtat e pakicave, si dhe një autoritet të centralizuar. Por deri në këtë zgjidhje kishin kaluar të paktën 40 vite, si dhe ishin derdhur lumenj gjaku.

6 COMMENTS