Mediat ndërkombëtare kanë publikuar një regjistrim në të cilin kandidatja demokrate Hillary Clinton, dëgjohet duke propozuar idenë e manipulimit të një procesi zgjedhor në Palestinë. Në materialin e regjistruar në vitin 2006, ajo shprehet se nëse në këtë vend do të mbahen zgjedhje, atëherë Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë diçka për të përcaktuar fituesin. Ndërkohë, në një reagim për rihapjen e dosjes së ‘skandalit të emaileve’, Clinton u shpreh konfidente se rezultati i hetimeve të ekpertëve do të jetë i njëjtë me atë të muajit Korrik, ku FBI vendosi që të mos e ndjekë penalisht ish-sekretaren e shtetit.

Vetëm pak orë pasi FBI njoftoi se do të rihapte dosjen e të ashtëquajturit ‘skandali i emaileve’, kandidatja demokrate, Hillary Clinton, duket se po përballet me një tjetër telash, pasi një gazetar nga Izraeli ka publikuar një regjistrim në të cilin ish-sekretarja e Shtetit propozon manipulimin e zgjedhjeve që do të mbaheshin në Palestinë. Materiali është regjistruar në vitin 2006, në kohën kur Clinton shërbente si Senatore e Shtetit të Nju Jorkut në Kongresin Amerikan. Ajo dëgjohet duke thënë se nëse në Palestinë do të mbahen zgjedhje, atëherë ShBA duhet të bëjë diçka për të përcaktuar fituesin.

‘Nuk mendoj se ne duhet t’i mëshojmë idesë për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin palestinez. Megjithatë, edhe nëse do të kërkojnë mbajtjen e një procesi zgjedhor, duhet të sigurohemi që të bëjmë diçka për të përcaktuar fituesin’

Kur kanë mbetur 10 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, ky regjistrim mund të kthehet në një problem shqetësues për fushatën e demokratëve.

Më herët Byroja Federale e Investigimit komunikoi zyrtarisht se do të rihapë çështjen e skandalit të emaileve për Hillary Clinton. Zyrtarët thanë se kishin zbuluar disa postime elektronike që nuk i kishin ndeshur më parë, por që janë të lidhura me çështjen. Drejtuesi i FBI-së, James Comey, u shpreh se ekspertët po hetojnë për të parë nëse materialet do të konsiderohen ose jo si informacione të klasifikuara si sekrete shtetëore. Megjithatë, në reagimin e saj mbi këtë çështje, Klinton u shpreh se ndihej konfidente për këtë situatë dhe se kishte besim që hetimi do të mbyllet sikurse herën e fundit. Pasi shqyrtoi faktet herën e parë, FBI-ja vendosi që t’a mbyllte dosjen, duke mos kërkuar ndjekje penale për ish-sekretaren Hillary Clinton./

2 COMMENTS

Comments are closed.