Drejtori i ri i AKU, duhet të skanojë çdo akt-kontrolli, për të pastruar atë kontingjent vartësish të molepsur prej krimit ushqimor

Arjan ZADRIMA

Gazeta Telegraf/ Denoncimeve të shumta, të bëra prej “Telegraf” lidhur me importin e produkteve ushqimore kancerogjene me etiketa fallco dhe me kontrolle fiktive të hartuara nën afshin e bakshisheve prej shefave e kontrollorëve të AKU në PIK (kufi) e në dogana dhe të lejuara të kalojnë kufirin e të futen në Shqipëri me urdhër të drejtuesve të AKU të urdhëruar prej bosëve të këtij tregu vrasës, u kanë bërë karshillëk disa agallarë të kollarisur në kupolën e AKU, të gjezdisur nëpër poste drejtorësh me jaka politike të çdo pushteti. Mohimin dhe paraqitjen e tregut, të importit e të prodhimit ushqimor si “tepër të sigurt”, duket se e hedh poshtë një denoncim i bërë dje “me zë e me figurë” në gazetën “Telegraf”, prej një punonjësi dogane në Tiranë, i cili zbardhi të plotë skandalin e futjes në Pikën Kufitare të Kakavijës, të një mauneje me ngarkesë 24 ton pula të skaduara, të ngordhura, të kalbura e kancerogjene, të blera në tregun grek, me 3 origjina malli e shteti fallco dhe në gjuhë të huaja. Sipas denoncimit të bërë, mësohet se pulat kancerogjene kanë hyrë përsëri para 1 jave në pikën kufitare në Kakavijë, më të njëjtin mjet transporti, me të njëjtit shefa kufiri e dogane në turn. Fillimisht ka pasur hezitime për të mos lejuar kalimin. Por pas disa telefonatave të bëra brenda veturave luksoze të oficerëve të kufirit dhe doganës, “çuditërisht” maunes i është bërë shenjë nga policia kufitare e doganore greke, që të lëvizte drejt territorit shqiptar! Në pikën e kontrollit kufitar e doganor, maunia e mbushur me pulat kancerogjene, të cilat shiten dhe gatuhen si ushqim shqiptarëve, nuk u kontrollua as formalisht si “rit” administrativ e kufitar, se çfarë ngarkese kishte. Ajo u lejua të futej në pikën e kufirit shqiptar, pasi dorëzoi një “dorë” letrash të cilave iu vendosën brenda në veturë, disa vula e firma nga kontrollorët policorë e doganierë të kufirit, duke i dhënë edhe një kopje shoqëruesit të mallit. Pasi nderoi si “Duçja”, shoqëruesi i mallit hipi në maune dhe urdhëroi shoferin të nisej shpejt drejt territorit shqiptar! Para dhe prapa maunes, nisën të ecnin dy automjete tip “Jeep”, të cilët dukej se e prisnin “maunen e pulave” në Kakavijë. Sipas denoncimit të doganierit, ngarkesa ishte 24 ton “pula me rrezik kancerogjen”, të cilat duheshin groposur në vendin nga erdhën, por që u lejuan të futen në tregun shqiptar, për t’u përdorur në tregun e shitjes dhe gatim-konsumit masiv prej pjesës së popullatës së varfër në Shqipëri! Kjo ngarkesë, kishte destinacion fundor Tiranën, ku u zhdoganua pa asnjë vështirësi prej kontrollorëve të Doganës Tiranë. Sipas denoncimit, doganierët tentuan të bllokojnë pulat, por pas presionesh nga shefat e tyre, u penguan të bënin detyrën. “Pulat” morën vulën e sigurisë edhe prej kontrollorëve të AKU, për të cilët thuhet se janë urdhëruar të plotësojnë akt-kontrollin me shënimin “të sigurta, me etiketat të rregullta, me origjinë të vërtetuar, me raport veterinar të rregullt nga vendi i blerjes, me vlerësim risku konformë ligjit e standardeve dhe me vlera ushqyese të plota e me jetë-gjatësi në treg, sipas kërkesave ligjore të sigurisë ushqimore”! Kush urdhëroi, që pulat kancerogjene e të ngordhura të “rilindnin” dhe të kalonin pikën kufitare e doganore Kakavijë? Po në doganën e Tiranës, kush i certifikoi si të sigurta e pa risk për konsumatorin? Sipas të dhënave që disponojmë dhe që pas konfirmimit të plotë do t’i publikojmë, shenjat paraprake tregojnë se urdhrin për të lejuar pulat e kanë dhënë “gjelat” e AKU, me urdhër të disa shtetarëve e politikanëve “mavi” që zhvillojnë biznesin e tregut e të konsumit të këtyre pulave kashtë, kancerogjene, të fryra me injeksione kimike, duke i futur ato për konsum nëpërmjet tenderëve edhe në shërbime publike si spitale, burgje, konvikte, azile pleqsh, qendra sociale, në jetimore, kopshte e çerdhe fëmijësh. Maunia me pula kancerogjene që vrasin shëndetin dhe jetën e shqiptarëve, futur 1 javë më parë në Kakavijë , nuk është rast i veçantë, por linjë e rregullt dhe e mbrojtur transporti, që ushtron këtë biznes ushqimor kriminal. Sipas burimeve tona, konfirmohet se e njëjta maune, me të njëjtën sasi pulash është futur në Shqipëri edhe 2 javë më parë e… shumë herë të tjera!

Fakti/ 90% e pulave në tregun shqiptar janë plehra kancerogjene

Tregu shqiptar ka pula kancerogjene. Ka pula pa asnjë vlerë ushqimore, ka pula të fryra e të forcuara me injeksione kimike! Ka pula me mish, që u zbërthehet edhe me ujë dushi! Ka pula, kockat e të cilave janë kalbësira! Fakti është ky: 90% e pulave në tregun shqiptar janë plehra kancerogjene. Këto pula plehurina e vrasëse, pa asnjë vlerë ushqyese, paketohen e etiketohen jashtë kufirit dhe brenda Shqipërisë, me të dhëna sikur janë me standarde të tregjeve të vendeve të BE dhe u shiten shqiptarëve! Madje, ka edhe sasi tonelata pulash që u falen prej tregut e pularive të botës së tretë e të disa vendeve të BE si mbeturina, të cilat maskarenjtë e tregut shqiptar i fusin në tregun tonë, duke i certifikuar si të sigurta e me vlera ushqyese prej shefave dhe kontrollorëve të AKU në PIK (kufi) dhe në depot e shumicës.

AKU, kontrolle vetëm kur “del tymi qofteve” të rrugës, asnjë “trokitje” në bizneset e shefave të saj

Më mirë të mos kesh fare Autoritet Kombëtar të Ushqimit (AKU) me 450 drejtorë, zyrtarë, inspektorë, laborantë, juristë e deri magazinierë e blloqe gjobash që mbushen e grisen kur paguhet ryshfet dhe që nuk grisen kur nuk paguhet ryshfet, se sa të kesh këtë institucion të mbushur me individë “dru me pre” e “bisht qeni” që përlajnë miliona lekë paga, dieta e tollona karburanti për shërbime fallco, të punësuar jo si specialistë e njerëz që duan punën, por si zvarranikë me tesera partie, të cilët me vullnet e pazare të lira të paligjshme me subjektet ushqimore prodhuese, importuese e tregtuese lejojnë dhe fshehin krimin ushqimor vrasës të popullatës në treg. Bëjë gjoja sikur mbrojnë konsumatorin, por në fakt pasurohen duke vjedhur miliona ryshfet nga subjektet me presione e kontrolle fiktive dhe për të mbuluar këtë abuzim, ata dalin në aksione kontrolli po fiktive, vetëm kur u dekonspirohen krimet në media, kur u kërkohet llogari nga shefat në ministri dhe kur u duhet të mbushin dosjet me letra gjoja kontrolli. Mjafton të shikosh faqen zyrtare të AKU dhe konstaton se ky aksion “flakë kashte” i AKU, përfundoi me kontrollin e 32 zgarave të qofteve në 12 qarqet e vendit, ushtruar nëpër periferi të qyteteve, ku sipas njoftimeve janë bllokuar vetëm 3 zgara, 1 kioskë dhe janë paralajmëruar me këshilla shoqërore 7 prodhues qoftesh “për thyerje të rregullave” në prodhim qoftesh jashtë standardit të përbërjes, vlerës ushqimore, sigurisë, cilësisë dhe higjienës së bodrumit ku u kapën duke u prodhuar për në zgarat ku ishin duke u shitur. Po kështu, përveç dyqaneve të mishit të shefave të AKU në Tiranë, u kontrolluan 12 kasapë rruge e kioskash, të cilët u porositën “të kenë kujdes së mos i filmonte kamera e fshehtë”. Me kaq aksioni u mbyll, pritet publikimi i ndonjë skandali tjetër me qofte, mish e qumësht, që të rinisin kontrollet…

10 COMMENTS

  1. … [Trackback]

    […] Find More Information here on that Topic: epavarura.com/pulat-kancerogjene-futen-ne-kakavije-dhe-mberrijne-ne-tirane-urdher-te-gjelave-te-aku/ […]

  2. … [Trackback]

    […] Information to that Topic: epavarura.com/pulat-kancerogjene-futen-ne-kakavije-dhe-mberrijne-ne-tirane-urdher-te-gjelave-te-aku/ […]

Comments are closed.