Pyetjet që askush nuk i bën – sepse përgjigjet do të “bënin kërdinë”

Ku, kush, kur? Se çfarë e bën një pyetje të pabëshme, kjo varet nga konteksti. Në mesjetë, për shembull, mund të ekzekutoheshe nëse vije në dyshim ekzistencën e Zotit – diçka që ende ndodh në disa vende sot. Pionierë të shkencës si Galileo Galilei dhe Charles Darvini rrezikuan jetët dhe reputacionet e tyre kur guxuan që të sfidojnë urtësinë e kohës së tyre. Pa këta njerëz kurajozë, këta pionierë të patrembur të historisë, progresi do të kish qenë i pamundur.

Megjithatë, jo të gjithë pyetjet e ndaluara thyejnë tabutë apo rrezikojnë vlerat tradicionale: ato mund të nxjerrin zbuluar veprimtari kriminale, zbulojnë eksperimente mizorë apo heqin maskën e ideologjive fanatike. Prandaj disa njerëz do të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për t’u siguruar që, disa pyetje të mbeten pa përgjigje, sidomos kur janë nën sulm. Ata që guxojnë të bëjnë pyetje, shpesh herë ndeshin në kundërshti të rrezikshme: ata diskreditohen apo vihen në lojë si ndjekës të teorive konspirative. Njerëz që ruajnë sekretet hedhin dyshime mbi shëndetin mendor të gazetarëve, politikanëve dhe aktivistëve, kur këta i afrohen shumë të vërtetës.

Megjithëkëtë, përgjatë gjithë historisë, shumë teori konspirative në dukje të paimagjinueshme kanë rezultuar të vërteta, si për shembull shumë grushte shteti të planifikuar dhe ekzekutuar nga SHBA. Gjatë Luftës së Ftohtë, të bëje shumë pyetje mbi pushtetin prapa një ndryshimi regjimi do të kish qenë vetëvrasje për karrierën e një politikani.

Por mos u dëshpëroni, ka edhe shpresë në shembujt e mëposhtëm – në fund të fundit, e vërteta del gjithmonë në sipërfaqe.

Sa shumë diktatura kanë krijuar SHBA?

Ushtria që marshonte duke kaluar kufirin në orën 08.20 të 15 qershorit 1954, vështirë të konsiderohet e pamposhtur. Rreth 480 ushtarë po pushtojnë Guatemalën, për të shtënë në dorë një vend me 3 milion banorë. Ai që duket si një mision vetëvrasës, merr fund pas vetëm pak ditësh. Në pamje të parë, mund të duket si një bandë e vogël rebelësh, por në të vërtetë, prapa sulmit është SHBA. Demokracia më e fuqishme në botë ka nisur një luftë të fshehtë kundër presidentit të Guatemalës, Jacobo Arbenz, i cili është zgjedhur me 65% të votës popullore. Po përse? Ka të bëjë me naftën, apo “shqetësimet për sigurinë”? Aspak: arsyeja janë bananet …

Për të fshehur fuqinë e vërtetë të zjarrit prapa kësaj ushrie mercenarësh, CIA e sapokrijuar (1947) nis një fushatë të paprecedentë lufte psikologjike: ata përhapin propagandë në shkallë të gjerë, me fletëpalosje të hedhura nga ajri dhe transmetime radiofonike, ndërkohë që sabotojnë mediat zyrtare. Një grusht avionësh amerikanë sulmi të kamufluar, arrijnë të hedhin bomba mbi shënjestra shumë simbolike, pavarësisht rezistencës së armatosur nga toka, dhe kështu paniku përhapet gjerësisht. “Forca çlirimtare” merr avantazhin: ata e bëjnë të qartë për ushtrinë kombëtare se nuk mund të fitojë.Arbenz detyrohet që të japë dorëheqjen dhe të arratiset. Vendi zhytet në një luftë civile disa dekadëshe, që merr më shumë se 200 mijë jetë njerëzish dhe shndërrohet në skenën për një rotacion diktatorësh dhe kartelesh droge, por CIA nuk ndërhyn më kurrë në Guatemalë. Po përse duhej shtyrë ky grusht shteti për një grusht banane?

Në vitin 1952, Arbenz miratoi Dekretin 900, ose Ligjin e Reformës Agrare, që shpronësonte tokat e pazëna nga United Fruit Company, një firmë amerikane. Kjo e fundit reagoi duke bërë lobim kundër Arbenzit në Amerikë, gjë që e shtyu atë të shtetëzonte 81 mijë hektarë tokë të pakultivuar në 1953. Guatemala ofroi kompensim të barazvlefshëm me vlerën e deklaruar në taksa nga ana e kompanisë, por Sekretari i Shtetit i SHBA, John Foster Dulles dhe vëllai i tij, Drejtori i CIA-s Allen Dulles, humbën shumë para në këtë marrëveshje. Të dy këta paguheshin prej korporatës së fuqishme dhe Allen ishte madje edhe anëtar bordi. Kështu që, ata vunë në lëvizje historinë e një komploti komunist për të legjitimuar grushtin e shtetit.

Nuk ishte një rast i izoluar. Në Kili, Kongo, Iran apo Brazil, SHBA ka iniciuar apo mbështetur grushte shteti në shumë shtete. “Ai mund të jetë bir kurve, por është i yni”, thuhet se ka deklaruar presidenti Franklin D. Roosevelt për diktatorin e Nikaraguas, Anastasio Somoza García.

Nëse e kundërshtoje këtë politikë, rrezikoje që të akuzoheshe për tradhëti. “Problemi me këtë lloj politike: jo vetëmq ë bie ndesh me politikën zyrtare të SHBA për kohën”, shpjegon Robert Funk nga Universiteti i Kilit, “por është edhe shumë dritëhkurtër: popullsia i urren edhe sot e kësaj dite miqtë e diktatorëve”.

Nëse nuk do të kish patur shumë padi për lirinë e informimit të ngritura nga aktivistë amerikanë, as nuk do i dinim shumë detaje sot. “Pjesa më e madhe e informacioneve në dosje janë shqetësues”, pranon ish Drejtori i CIA-s, Michael Hayden. “Por kjo është vetëm historia e CIA-s”.

Pra, a mund të pyesim për këta krime sot? Jo. Afro 99% e dosjeve të Guatemalës janë ende të klasifikuara. /

4 COMMENTS

Comments are closed.