OPINION/ANALIZË Politika

Rama-Basha drejt pazarit të dytë, ndajnë bashkitë në tavolinë dhe fundosin LSI

Pas lojës me letra të Ramës dhe Bashës fshihet pazari i dytë për rindarjen e pushtetit dhe ruajtjen e dominimit të politikës dhe ekonomisë shqiptare, halli i vetëm mbetet SPAK-u

Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë sinjalizuar së fundmi se janë në prag të finalizimit të pazarit të dytë, i cili ka në thelb ruajtjen e pozitave dhe rindarjen e pushtetit. Nuk ka asnjë dyshim se Rama dhe Basha janë në një marrëveshje të nëndheshme që prej fundit të vitit 2014, për dominimin e politikës dhe ekonomisë, mbrojtjen nga drejtësia dhe shkatërrimin e çdo kundërshtari të mundshëm që i rrezikon apo i bezdis, siç është banda e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Por, herë pas here, Rama dhe Basha luajnë teatër dhe bëjnë sikur grinden, madje kërcënojnë edhe me luftë civile. E gjitha kjo është pjesë e lojës politike për të çoroditur qytetarët, për të mbajtur në rresht lukunitë e militantëve dhe për të ruajtur dominimin politik. Kështu ndodhi edhe dy vjet më parë, në maj të 2017, ku 24 orë para u shanë, u pështynë dhe kërcënuan njëri-tjetrin, ndërsa më pas u mbyllën për tre orë në një dhomë dhe ndanë pushtetin.

Ndërsa loja me letra vijon, sinjalin e parë për të finalizuar pazarin e dytë e dha Lulzim Basha, pasi vetë Edi Rama ka disa ditë që bën thirrje për tu  ulur në tryezë. Me apo pa lejen e Berishës, nuk dihet, por Basha tha: “Mirënjohje Gjermanisë mike dhe mbështetëse të Shqipërisë, për vëmendjen dhe shqetësimin ndaj problemeve që kanë penguar integrimin europian, si mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, lidhjet e politikës me krimin, mungesa e luftës ndaj krimit dhe korrupsionit. Në emër të PD dhe të Opozitës së Bashkuar konfirmoj gatishmërinë tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mirëpres angazhimin e Gjermanisë mike për zgjidhjen e kësaj krize dhe hapjen e rrugës evropiane të Shqipërisë”.

Po ku konsiston më konkretisht pazari i radhës mes Ramës dhe Bashës?

Gjithçka lidhet me pushtetin dhe dominimin politik. Nëse në 2017 ndanë ministritë, tani Rama dhe Basha kanë ndarë bashkitë. Sipas pazarit që konfirmohet nga disa burime pranë PS dhe PS, Rama dhe Basha kanë ndarë bashkitë në tavolinë. Partia Demokratike do të marrë gati gjysmën e bashkive në zgjedhje lokale, të cilët edhe mund të shtyhen disa javë. Këtë Basha do ta paraqesë si fitoren e tij të parë në krye të PD, duke u dhënë shpresë të vetëve se në këtë frymë do të fitojë edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pjesë e pazarit është edhe fundosja e LSI. Rama dhe Basha do të angazhohen që LSI të mos fitojë asnjë bashki në zgjedhjet lokale. Kjo duket se është edhe arsyeja se pse Monika Kryemadhi bëri një deklaratë shqetësuese mbrëmë.

Për finalizimin e pazarit, gjasat janë që Rama dhe Basha të zhvillojnë një vizitë në Gjermani, për të treguar se gjoja pakti po ndërmjetësohet nga koalicioni politik gjerman CDU/CSU. Por, nuk përjashtohet mundësia që përfaqësuesit e CDU/CSU të vijnë në Tiranë. Tashmë halli i vetëm i Ramës dhe Bashës është SPKA-u, për shkak se në lojë janë amerikanët, të cilët kërkojnë goditjen e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta. Zhvillimet e fundit kanë treguar se Berisha dhe Meta e kanë humbur kontrollin mbi drejtësinë, por edhe Ramës dhe Bashës po iu zbehet ndikimi./Pamfleti

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/
autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e epavarura.com