OPINION/ANALIZË Politika

Rama pakt me Dakon, një Vangjush në version femër kandidat në Durrës

Dako pranon tërheqjen nga gara, por cakton të besuarën e tij Valbona Sakon për drejtimin e Bashkisë së Durrësit, pakti erdhe pas kërcënimeve me burg dhe me rrëfim para drejtësisë së skemës së blerjes së votave

Edi Rama ka arritur më një fund një marrëveshje me ‘bimbashin’ e Durrësit, Vangjush Dako, i cili është përgjuar duke folur më bandat për blerjen e votave si dhe është futur në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si zyrtar i korruptuar. Ashtu siç operoi me Shpëtim Gjikën, të cilin e futi në burg për ta larguar nga Bashkia e Vlorës, Rama nisi të kërcënonte Dakon me pranga nëse nuk tërhiqej si Qazim Sejdini në Elbasan. Por, Dako jo vetëm e përballoi presionin, por kërcënoi Ramën se nëse bëhej ‘kurban’, do të rrëfente mekanizmin e blerjes së votave para drejtësisë. Në këto kushte, Rama dhe Dako bënë një pakt. Sipas këtij pakti, Dako nuk do të kandidojë për një tjetër mandat në Durrës, por ai do të caktojë se kush do të jetë kandidati, me qëllim të kontrollojë punët e bashkisë përmes një personi të besuar.

Dako ka propozuar si kandidate për kryetare të Bashkisë Durrës Valbona Sakon. Kjo e fundit është e afërt dhe shumë e besuar e Vangjushit. Aktualisht mban postin e drejtoreshës së Tatimeve në Durrës. Valbona Sako pritet të prezantohet këto ditë nga Edi Rama. Nëse Sako do të zgjidhet në krye të Bashkisë së Durrësit, skema e abuzimeve me lejet e ndërtimit, tenderat etj., nuk ka gjasa që do të ndryshojë. Në lojë do të jetë po i njëjti grup që merr leje ndërtimi për pallate dhe merr tendera. Veprimtaria do të ndiqet pas perdes nga Vangjush Dako, ndërsa Sako do të kishte vetëm vulën. Por, nuk përjashtohet mundësia që Rama dhe Dako ta humbasin Bashkinë e Durrësit nëse PD dhe LSI do të marrin pjesë në zgjedhje, me anë të një marrëveshje të minutave të fundit.

Aktualisht, në Partinë Socialiste vijon lufta mes klaneve për caktimin e kandidatëve të fundit për kryetar të bashkive. Grupi i Erion Veliajt dhe Fatmir Xhafajt po lobojnë dhe ndërhyjnë për të diktuar sa më shumë kandidatë që janë të besuar të tyre. Nga ana tjetër, grupi i Taulant Ballës dhe Gramoz Ruçit po luftojnë për të diktuar njëkohësisht. Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj duan që të kenë njerëzit e tyre në krye të disa bashkive./Pamfleti

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/
autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e epavarura.com