Ribotohet pas 11 vitesh plani i akademikëve të Maqedonisë për të ndarë vendin.

Këtë hartë e ka botuar agjencia INA në Maqedoni.

Ky plan u botua në vitin 2001 në një version jozyrtar në gazetën “Veçer” me një hartë, një mbititull:

“Akademikët e AMSHA mendojnë për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-maqedonas pa gjakderdhje” dhe me titull: “Shkëmbim vullnetar i territoreve dhe i popullsisë ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë!.

Akademia motivin për një mendim të tillë e ka marrë sipas shembullit përmes të cilit viteve të fundit janë zgjidhur krizat ndëretnike në Ballkan me krijimin e territoreve etnike. Thelbi i këtij plani të akademikëve maqedonas ishte ky: “Pas gjithë asaj që ndodhi në Tanushë, Tetovë e në rajonin e Kumanovës, jeta e përbashkët e shqiptarëve dhe maqedonasve nuk do të jetë e mundshme si më parë.

Shqiptarët dhe maqedonasit janë dy civilizime diametralisht të kundërta, dallohen për nga feja, gjuha, zakonet, ndërsa mirëbesimi i krijuar me një mund të madh ndërmjet këtyre dy grupeve etnike gjatë dekadave të shkuara të bashkëjetesës, tani po rrënohet për disa muaj të luftës së ekstremistëve”.

Sipas këtyre qëndrimeve, çështje është se a do të mundet në një të ardhme të afërt apo të largët të jetojnë fqinjtë shqiptarë e maqedonas rehat dhe njëri pranë tjetrit.

Që të mos ketë luftë dhe gjakderdhje, më civilizuese është që të bëhet ndarje e qetë”, thuhej në arsyetimin e këtij projekti.

Sipas këtij plani, Maqedonia, siç pat propozuar dikur edhe Gligorovi, do të hiqte dorë nga një pjesë e Maqedonisë Perëndimore – Dibra (pa Mavrovën dhe rajonin e Rekës), një pjesë e Gostivarit që kap anën e rajonit të Sharrit dhe kufiri, pastaj do të shkonte për Vardar deri te vendkalimi kufitar i Jazhincës, që do të përfshinte Pollogun me Tetovë, ku është e koncentruar më së shumti popullata shqiptare.

2 COMMENTS

Comments are closed.