Shantazhi ndaj gjyqtarit të Strasburgut për pronat, PD: Akti mafioz u urdhërua nga Rama

15

Audio-përgjimi i publikuar një ditë më parë, ku qeveria shantazhonte gjyqtarin shqiptar të Gjykatës së Strasburgut, ka krijuar një tjetër përplasje të fortë mes pozitës dhe opozitës. Akuza të ashpra kanë ardhur nga selia blu prej ditës së djeshme, ku foli edhe vetë Lulzim Basha, i cili ishte zhdukur prej një muaji nga jeta politike. Akuzat kanë vijuar edhe sot, ku këshilltari ligjor në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, e cilësoi kryeministrin Edi Rama ideator të shantazhit ndaj gjyqtarit Ledi Bianku, për çështjen e pronave.

Një ditë pas daljes së audiopërgjimit mes Denar Bibës dhe gjykatësit Ledi Bianku, ish-ministri Bardhi tha sot para mediave se gjyqtari i Strasburgut rrëzoi justifikimin e Denar Bibës dhe Edi Ramës, duke e denoncuar shantazhin tek kreu i Gjykatës.

Sipas demokratit, heshtja e Ramës është prova se ai është ideatori i kërcënimit të gjykatësit të Strasburgut, teksa ky i fundit ka konfirmuar se në përputhje me detyrimet e tij etike dhe ligjore, pas takimit me Denar Bibën, ka informuar Kryetarin e atëhershëm të Gjykatës së Strasburgut, duke e cilësuar mesazhin e të dërguarit të qeverisë si ndikim të papërshtatshëm.

DEKLARATA E PLOTË

Audio regjistrimi i publikuar dje në media, ku, në emër të Edi Ramës, nënkryetari i KQZ Denar Biba, shantazhon anëtarin e Gjykatës së Strasburgut, Ledi Bianku, u provoi shqiptarëve se qeverisen nga një kryeministër armik i të drejtave themelore të njeriut dhe që e drejton vendin si një organizatë mafioze.

Në materialin audio kërcënimi është i qartë: “Nëse nuk zbaton porosinë e Edi Ramës, pas përfundimit të mandatit do të mbetesh pa punë. Sakrifica për të zbatuar me korrektësi ligjin nuk do të shërbejë për asgjë. Ky tren- pra mundësia e për të bërë pazar me Qeverinë-nuk do të vijë më në jetë”.- është thelbi i kërcënimeve mafioze të të dërguarit të Edi Ramës për gjyqtarin e Strasburgut.

Edi Rama, Sekretari i tij i Përgjithshëm Engjëll Agaçi, nënkryetari i KQZ, Denar Biba, mund të përdorin të gjithë pushtetin për të mbyllur çështjen, por ata nuk mund të ndryshojnë dot një fakt: se gjyqtari Ledi Bianku e ka raportuar shantazhin tek eprorët në Gjykatën e Strasburgut.

Media që zbuloi skandalin ka kontaktuar gjyqtarin shqiptar në Strasburg Ledi Bianku dhe ai ka konfirmuar jo vetëm takimin me Denar Bibën, por edhe përmbajtjen e bisedës në regjistrimin audio.

Gjithashtu, gjyqtari shqiptar në Strasburg ka konfirmuar se në përputhje me detyrimet e tij etike dhe ligjore, pas takimit me Denar Bibën, ka informuar Kryetarin e atëhershëm të Gjykatës së Strasburgut, duke e cilësuar mesazhin e të dërguarit të qeverisë si ndikim të papërshtatshëm.

Mjafton ky pohim për të kuptuar përpjekjen qesharake të sekserit të Edi Ramës dhe Engjëll Agaçit për t’u thënë shqiptarëve se nuk është ashtu siç duket, se shantazhi nuk është shantazh, por miqësi e vjetër.

Çfarëdo të bëjë Edi Rama me Engjëll Agaçin, është fakt i pandryshueshëm se të ashtuquajturën “bisedë miqësore” të Denar Bibës, gjyqtari shqiptar në Strasburg e raportoi pranë Kryetarit të Gjykatës së Strasburgut si ndërhyrje të paligjshme në punën e tij. Një ndërhyrje e tillë synonte ndihmë për qeverinë kundër interesave të pronarëve shqiptarë.

Audio regjistrimi është prova më diskredituese për Edi Ramën se, pasi u hoqi shqiptarëve të drejtën për t’u ankuar me nxjerrjen jashtë funksionit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, me mënyra mafioze, po u heq të drejtën pronarëve për t’u gjykuar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe për të rifituar pronën e grabitur nga qeveria.

Heshtja e Edi Ramës ndaj këtij akti kriminal është pohim i asaj që beson sot shumica e shqiptarëve se ai është urdhëruesi i aktit mafioz për shantazhimin e gjyqtarit në Strasburg dhe se kërcënimi, kapja politike, blerja e korruptimi është modeli i drejtësisë së re që po instalon Edi Rama.

 

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/
autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e epavarura.com

Loading...