OPINION/ANALIZË Politika

SHBA izolojnë Ilir Metën, zyrtari i DASH refuzon ta takojë

Drejtori për Evropën Qendrore e Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit David Kostelancik takon Ralf Gjonin, refuzon Ilir Metën, ngushtohet laku për bimbashin e korrupsionit të Ballkanit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur të izolojnë Presidentin Ilir Meta, i cilësuar nga raportet ndërkombëtare si një ndër politikanët më të korruptuar në Ballkan. Drejtori për Evropën Qendrore e Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik, i cili po kryen një vizitë në Shqipëri për ecurinë e zbatimit të reformës në drejtësi, ka refuzuar që të takojë Ilir Metën.

David Kostelancik ka zhvilluar takime me të gjithë krerët e politikës shqiptare, por ka shmangur Ilir Metën. Më e rënda është se zyrtari i lartë amerikan ka zhvilluar një takim edhe me Taulant Ballën, ka drekuar me Rudina Hajdarin dhe Ralf Gjonin, por nuk ka pranuar që të takojë Ilir Metën. Refuzimi për të takuar kreun e shtetit është një mesazh i qartë për këtë të fundit nga ana e amerikanëve.

Ilir Meta dhe Sali Berisha udhëheqin në Shqipëri frontin kundër reformës në drejtësi, investimit më të madh amerikan në 30 vitet e fundit në vendin tonë. Duke i shpallur luftë reformës në drejtësi, të cilën Meta e quan komplot ndërkombëtar, dyshja Meta-Berisha praktikisht u kanë shpallur luftë amerikanëve. Prej disa javësh, Meta ka nisur një fushatë sulmesh kundër reformës në drejtësi, duke e quajtur komplot, të dështuar, të kapur etj. Ai ka akuzuar amerikanët si ngatërrestarë, ndërsa ka kërcënuar se do të vetëflijohet nëse do të merret nën hetim nga SPAK-u. Tërbimit të Metës i është përgjigjur Ambasada Amerikane me 7 mesazhe të forta, duke mbrojtur reformën në drejtësi dhe sidomos Vetingun, si dhe duke paralajmëruar se Byroja Kombëtare e Hetimit dhe SPAK-u do të sjellin fundin e bosëve të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri./Pamfleti

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/
autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e epavarura.com