Një grup prej mbi 200 shkencëtarësh dhe profesionistëve nga lëmi i shëndetit nga e mbarë bota kanë publikuar të martën një deklaratë të përbashkët në të cilën apelojnë konsumatorët të ndalojnë përdorimin e produkteve të cilat përmbajnë dy kimikate të zakonshme antimikrobike, raporton Anadolu Agency (AA).

Shkencëtarët kanë paralajmëruar kundër përdorimit të “triclosan” dhe “triclocarban” të cilat mund të hasen në produktet nga bojërat, tek pastat për dhëmbë, sapunët dhe detergjentet. Çifti i kimikateve përdoren për të asgjësuar bakteret, sëmundjet kërpudhore të lëkurës dhe viruset”.

Megjithatë në raportin e botuar në revistën Perspektivat e Shëndetit Mjedisor, shkencëtarët thanë se kimikatet përbëjnë një rrezik për shëndetin e njeriut. Kimikatet mund të shkaktojnë probleme me shëndetin e njerëzve, por në veçanti mund të dëmtojnë shëndetin e grave shtatzëna, fetuset në zhvillim dhe bebet.

Triclosan dhe triclocarban qëndrojnë gjatë në mjedis, kështu që mund të grumbullohen në trupat e kafshëve, por edhe të njerëzve.

Administrata amerikane për Ushqim dhe Medikamente (FDA) vitin e kaluar ndaloi 19 kimikate përfshirë triclosanin dhe triclocarbanin në sapun. Pavarësisht kësaj, përdorimi i kimikateve është ende i përhapur dhe mund të gjendet në produkte si dërrasat në kuzhinë që shërbejnë për prerje të ushqimit dhe në rezet e derës.

Grupi ndërkombëtar i shkencëtarëve bëri thirrje për kufizime shtesë për kimikatet dhe vendosjen e etiketave paralajmëruese në produktet që i përmbajnë ato. “Për shkak se antimikrobikët mund të kenë ndikime të padëshiruara shëndetësore dhe mjedisore, ato duhet të përdoren vetëm kur ofrojnë një përfitim shëndetësor të bazuar në dëshmi”, thuhet në deklaratë.

Shkencëtarët shtuan se pretendimet e prodhuesve për efikasitetin e produkteve antimikrobiale si boja apo tavolinat e punës në kuzhinë nuk qëndrojnë.

Edhe përfitimet nga sapuni antimikrobik janë të ekzagjeruara, thonë shkencëtarët sipas të cilëve sapuni i mbushur kimikate nuk është më i mirë në vrasjen e mikrobeve sesa sapuni i thjeshtë dhe uji.

4 COMMENTS

Comments are closed.