Arlind Qori

Krishterimi shtroi pyetjen se kush duhet të vdesë, që askush të mos vdesë përfundimisht. I dha përgjigje duke transformuar konceptin e Mesisë prej udhëheqësit politik çlirimtar të kësaj bote në sakrifikimin e vetë zotit për çlirimin e njerëzimit nga vdekshmëria e mbrame. Politika bazohet në një aksiomë barazie që nuk pyet për dallime cilësore nistore. Kështu në vend të “kujt”, ajo kërkon të dijë “sa”. Pra sa duhet të vdesin që askush tjetër të mos vdesë në punë e prej punës? Ose të paktën, sa duhet të vdesin në mënyrë që vdekja e kujtdo tjetër pas tyre të mos konsiderohet si lajm i përtypshëm midis ngrefosjes së politikanëve dhe thashethemeve të artisteve të shalëve? Vini re! Pyetjet nuk janë retorike.

Askush nuk e di se sa punëtorë vdesin në një vit prej punës në Shqipëri. Aq më pak dihet se sa kanë vdekur gjatë çerekshekullit të vendosjes së marrëdhënieve shoqërore kapitaliste. Lere më po të shtronim pyetje për numrin e të aksidentuarve e të depresuarve prej kushteve të punës. Nuk është vetëm punë dembelizmi sociologjik e gazetaresk, por edhe të një kulture omertaje publike kur vjen puna tek evidentimi i vdekjes nga marrëdhëniet kapitaliste në vendin e punës. Diku pronari e lan krimin me para familjarëve të viktimës, diku tjetër të gjitha palët e trajtojnë si ndodhi aksidentale të krahasueshme me rënien nga biçikleta e gjetiu lajmi i dhënë fshihet në një cep gazete lokale që vetëm rastësia mund ta shpluhurosë.

Nuk e dimë sa kanë qenë, ama mund të hamendësojmë se në një vend periferik si yni – ku varfëria ekstreme e shtyn njeriun të pranojë çdo punë, shteti më mirë të mos ekzistojë fare sesa të jetë ky që është, nevoja për akumulim kapitali është lemeritëse dhe marrëdhëniet midis pronarit dhe punëtorit janë hierarkike sa më s’ka – janë shumë.

Mirëpo e deritanishmja do të ishte thjesht një orvatje teorike që rrotullohet në vete. Për të prodhuar angazhim ekziston gjithnjë nevoja e rastit të veçantë, e një emri e ngjarjeje jehona e të cilave e ka marrë tanimë dheun, por që nuk duhet lënë të shtihet në dheun e pavëmendjes publike.

Është fjala për vdekjen e punëtorit adoleshent Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, aty ku pak kohë më parë kryetari i bashkisë Veliaj ngrefosej se kishte zbuluar vendin ku respektoheshin të drejtat punëtore, madje e reklamonte si perspektivë punësimi për qindra të tjerë. Koniunktura e një vdekjeje ku ishin përfshirë indirekt edhe politikanë si Veliaj bëri që ajo e Arditit të zgjonte vëmendjen publike, të nxiste edhe parti si PD që, pavarësisht gjëmave të së shkuarës, të flisnin për të drejtat e punëtorëve. Po të shtojmë këtu edhe investigimin serioz të Reporterit dhe atë të patransmetuar nga A1 News, të bazuara në dëshmi të shumta punëtorësh, mund të themi se jemi brenda një situate ku shqetësimi publik për fatalitetin punëtor është më i lartë se kurrë më parë. Madje ai ka përfshirë edhe shtresa e ndjeshmëri shoqërore të cilave emri “punëtor” akoma u shkakton bezdi reminishencash apo kryelartësie.

Po si bëhet që ky trazim fundgushti të mos shuhet, por të ndizet edhe më? Si mund ta fuqizojmë këtë ndjeshmëri për të nxitur sa më shumë njerëz në evidentimin dhe denoncimin e kushteve vrastare të punës anekënd Shqipërisë? Madje jo vetëm kaq, por edhe se si të inkurajohen punëtorët që të bëhen bashkë e të tregojnë publikisht se si punohet në një vend që me fjalën demokraci nënkupton vetëm të pasurit të drejtë të flasësh në kafene e të votosh për kë ta thotë mendja?

Pikësëpari duhet ngulmuar tek emri i përveçëm. Jo për ta heroizuar Arditin. Në kapitalizëm nuk ka vend për Adem Rekë as për propagandë. As për ta shndërruar në viktimën par excellence që tërheq vajtojca për nja një javë a dy derisa t’ia behë i vdekuri i radhës. Ama për ta veçuar si emër që simbolizon shumë më shumë se vetja. Jo se vdiq ndryshe nga mijëra të tjerë, as se thurte ëndrra me blerje librash. Por se, për arsye koniunkturale, emri i tij arriti të kapërcejë stekën deri më tash të pakapërcyeshme të shpërfilljes ndaj fatit punëtor. Duhet ngulmuar te ky emër që tanimë synon drejt universalizimit të një problemi dhe nevojës ulëritëse të zgjidhjes së tij. Nuk bëhet më fjalë se “kush” duhet të vdiste që të mos vdesë më askush në punë apo që vdekjet e ardhshme të mos shpërfillen. Kushi është i çfarëdoshëm, është bir i një polici, jo i zotit. Ama tash ka mundësi që së vdekurish të na ndihmojë që pyetjen “sa…?” ta shndërrojmë në retoriken “edhe sa…?!”.

Së dyti, lypet organizim permanent. Fjala do trup e trupi politik është kolektiv i hapur që fuqizohet duke u rritur dhe kapërcyer kontradiktat joantagoniste brenda vetes. Organizim jo vetëm nga larg për punëtorët, por kryesisht me punëtorët. Kush ka rehatinë relative të të organizuarit ditë pas dite – se nuk i varet buka e gojës nga heshtja – nuk mund të rrijë më mënjanë a të shtyjë kohën me kauza ekzotike apo patetike. Jemi pak për t’i lejuar vetes shpengime të tilla. Punëtorët – ata që vdesin që gjithkush tjetër të rrojë, që prodhojnë që të tjerët të konsumojnë, që krijojnë pasuri të zhytur në mjerim – kanë nevojë të organizohen. Për dreq nuk po ia dalin dot vetë. Nuk fshihemi dot pas llogjeve të anarkizmit të llojit më të keq e të themi se organizimi ose lind së brendshmi, ose mos ndodhtë kurrë. Ata kanë nevojë për një dozë inkurajimi se nuk janë vetëm, shembulli organizimi dhe gatishmërie për të ndarë bukën e shtypjes, shfrytëzimit dhe poshtërimit bashkë me ta, në çdo zgafelle e kthinë ku s’hyn as dielli. Ne, që kemi akoma privilegjin mikroborgjez të të mosqenit të trajtuar si kafshë, nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të shndërrohemi në katalizatorët e mëkëmbjes së tyre. Kushedi nesër, në një shoqëri më të drejtë, do të kthejmë kokën pas pa turp.

9 COMMENTS

Comments are closed.