Është bashkuar me familjen e tij 16-vjeçari palestinez Fevzi Xhunejdi, emri simbol i rezistencës së Jerusalemit, të cilin gjykata ushtarake izraelite e liroi me kusht dhe gjykimi kundër tij do të vazhdojë në gjendje të lirë.
Duke shpjeguar se ishte arrestuar teksa po shkonte tek shtëpia e një të afërmi duke u larguar nga përleshjet dhe gazi lotsjellës në Rrugën “Vadi et-Tuffah” në qytetin al-Halil (Hebron), Xhunejdi tha: “Sapo më kapën, ushtarët më flakën në tokë dhe nisën të më rrahin. Më goditën në çdo pjesë të trupit. Më shkelën me këmbë. Nuk po e kuptoja se çfarë po ndodhte. Pasi mi lidhën sytë, më çuan në një burg që nuk e di se ku është. Plagët që kisha marrë në trup më rridhnin gjak dhe ndjenja dhimbje në çdo pjesë të trupit”.
Edhe në burg jam rrahur me sy të mbyllur dhe gjatë marrjes në pyetje më kanë derdhur sipër ujë të ftohtë, tregon në vazhdim Xhunejdi dhe falënderon të gjithë ata që e mbështetën, veçanërisht popullin turk dhe Presidentin Erdoan.
Palestinezi Xhunejdi ishte arrestuar më 7 dhjetor duke iu lidhur sytë nga një numër i madh ushtarësh izraelitë në qytetin al-Halil (Hebron) në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe pamjet e arrestimit të tij kishin shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale.
Gjykata ushtarake në Ofer, në perëndim të qytetit Ramallah në Bregun e pushtuar Perëndimor, në seancën e djeshme vendosi për lirimin me kusht të Xhunejdit përkundrejt një garancie rreth 2,500 euro dhe gjykimin e tij në gjendje të lirë.
Më 14 janar 2018 Xhunejdi do të dalë sërish para gjykatës ushtarake izraelite.
Dega palestineze e Organizatës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve (Save The Children) publikoi të mërkurën rezultatet e kontrollit mjekësor që i ishte bërë Xhunejdit pas arrestimit të tij në 7 dhjetor.
Përmes komunikatës organizata bën të ditur se ushtarët izraelitë e kanë rrahur Xhunejdin gjatë kohës që e kanë mbajtur në paraburgim, ku si pasojë e kësaj në trupin e tij kanë mbetur shenja dhune dhe ka pësuar thyerje kocke në shpatullën e djathtë.
 

6 COMMENTS

Comments are closed.