Elis Buba

Porsa fati i lirisë së individit, ndërthuret me ingranazhet e sistemit, ky indivit nuk identifikohet më si asgjë më shumë se sa një funksion i mekanizmit. Polic, mësues, mjek, avokat, gazetar, sipërmarrës, kamarier, inxhinier etj. Asgjë nuk i mbetet barazisë së njeriut me njeriun. Status quo-në e balancës së zhbalancuar e ruan i vetmi element me vlerë de facto nominale e de jure universale. Paraja.

Njerëzit janë të barabartë aq sa pozitat dhe pozicioni i tyre jo në shoqëri, por në zhinxhirin e padukshëm monetar. Aq shumë i ngjashëm me zinxhirin ushqimor.

Cili është skandali me emrin Panama Papers? Si po hetohet ai?

Në kryeqendrën administrative të SHBA, në  Washington DC një projekt ende konfidencial, ka si qëllim hetime shumëplanëshe mbi kapitalin e individëve më të kamur në botë. Një grup shumkombësh gazetarësh po punojnë për të shpështjellë një rrjet të stërmadh kompanishë që fshehin transaksionet financiare të korporatave, politikanëve, oligarkëve dhe kriminelëve nga më të ndryshmët. Të dhënat ku po bazohet dhe përqëndrohet puna e tyre, janë një sasi e madhe dokumentash, të bëra publike së fundmi e të emërtuara Panama Papers.

Materiali mbi të cilin po punohet, bën fjalë për diçka që fare mirë mund të përshkruhet si një univers paralel. Aty ku individë të ndryshëm, shkojnë për të luajtur lirshëm financiarisht, një lojë të cilën në vendet e tyre të orgjinës, nuk mund ta luajnë dotë pa ju përmbajtur disa rregullave, normave, ndëshkimeve dhe penalizimeve në raste shkeljesh.

Grupi i gazetrëve dhe reporterëve në fjalë është i përbërë nga plotë 307 të tillë dhe quhet “International Consortium of Investigative Journalists” ose në shqip “Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigative”. ICIJ tashmë ka në shqyrtim një sasi të jashtzakonshme dokumentash (mbi 11 milion të tilla), të cilat dekonspirojnë një numër të madh shtetesh të njohura ndryshe si parajsa fiskale. Këto të fundit gëzojnë këtë ripagëzim kryesisht për arsye se pastrimi i parave në këto vende mbetet atraksioni kryesor i një numri të madh investitorësh ndërkombëtarë. Dokumentacioni në fjalë, e ka prejardhjen nga arkivat e një Firme   Ligjore në Panama, me emrin Mossack Fonseca. Aktualisht nën hetim, pas disa të dhënave konfidenciale dalë nga burime anonime. Dokumentacioni masiv u bë publik nga gazeta gjermane Suddeutsche Zeitung.

Gerald Ryle drejtues i ICIJ, në deklarimet e tij publike nuk nguron të theksojë se rrjedhja e një sasie kaq të madhe të dhënash i kapërcen të gjitha dekonspirimet më të mëdha të informacionit që njeh historia. Përfshirë këtu edhe Wikileaks përball të cilit Panama Papers është mijëra herë më voluminoz.

Firma Ligjore në fjalë ka ngritur më shumë se dyqind mijë kompani off-shore në të gjithë parajsat e mundëshme fiskale, (…kompani që mbrojnë një trashëgimi nga taksat tepër të larta duke i “strehuar” këto kapitale në parajsat fiskale, si para të tyret ) Sipas të dhënave është vepruar kështu me më shumë se 14 mijë klientë. Thjesht duke deklaruar në dokumenta, fiktivisht, se këto ishin të ardhura dhe kapitale ndërmarrjesh dhe organizatash jofitimprurëse. Në këtë mënyrë mbërrihet tek falsifikimi dhe maskimi i kujtdo që është fitimmarrësi real e që gëzon të drejtën e riinvestimit të shumës. Kjo gjë vërtetohet kur këto para, pasi pastrohen kësisoji, depozitohen në llogari të vërteta bankare duke rezultuar si pjesë integrale e tyre. Si pasojë, reduktohen ndjeshëm taksimet mbi këto të ardhura dhe ulet përqindja e depozitimit.

Jack Blum, ish përgjegjës hetimi prane Senatit të SHBA, i cili e ka ndjekur nga afër çështjen në fjalë, i është përgjigjur interesit të gazetarëve me këto fjalë;

Mossack Fonseca ose ndryshe Mossfon Group, kanë përgatitur të gjitha rrotativat ekzakte ligjore, që operacionet e tyre të jenë thuajse të pagjetshme, të papërndjeksme, të paidentifikueshme dhe jetëgjata. Kjo e bën këtë emër shumë të rëndësishëm dhe të pushtetshëm. Ata që instruktojnë dhe i delegojnë detyra kësaj firme, më së shumti janë korporatat e mëdha, po ashtu përfaqësues të atyre të cilët qeveritë, ose organet e tjera politike i përdorin si korporata, duke abuzuar me fondet e tyre. Të njëjtën gjë bëjnë edhe kriminelët, të cilët kërkojnë nga Mossfon Group fshehjen e parave të tyre. Për aq kohë sa kurrkush nuk mund të bëjë një transparencë standarde të marrdhënies kompani-klient, këto rrotativa do vazhdojnë funksionin e tyre. Pasi kompanitë nuk kanë asnjë qëllim për të shfaqur publikisht klientët e tyre. Madje kanë saktësisht qëllim të kundërt.

Personazhet e prekur nga ky skandal, burojnë që prej fondit emëror të njerëzve më të pushtetshëm politik, deri tek sportistët e artistët. Mund të përmendim Vladimir Putin, i cili sipas të dhënave që vijnë nga hulumtimet e ICIJ, ka fshehur dhe evaduar një shifër që i kapërcen 2 miliard dollarët. Po ashtu nuk mund të lihet pa përmendur kryeministri i Anglisë David Cameron, ai i Islandës dhe i Azerbaixhanit, mbreti i Marokut, zyrtarë të lartë të Partisë Komuniste Kineze, familjarë të Mao Tse-Tung e shumë të tjerë. Listës së gjatë i shtohen si të prekur nga kjo gjëmë dekonspirimi edhe presidenti i ri i Fifa-s Gianni Infantino, Michel Platini si dhe Lionel Messi etj.

A përfshihet Shqipëria në hartën e “parajsave fiskale”?

Të dhënat janë ende në përpunim e sipër, ndaj edhe nuk gjendet askund një përgjigje konkrete. Por duke parë një numër të jashtzakonshëm politikanësh biznesmenë e sipërmarrës, pse jo. Nëse i referohemi skemës së fshehjes së të ardhurave, në llogari kompanishë dhe individësh të ndryshëm, atëherë edhe ky cep i ballkanit, është në trajektoren e evazionit ndërkombëtar. Fakt për këtë janë me qindra çështje të zbardhura nga prokuroria në rastin më të mire dhe nga media në rastin më të keq. Shifrat për të cilat është përfolur nuk do linin askënd indiferent.  Në të njëjtën mënyrë si Fonseca, është vërtetuar nga organet përkatëse, se veprojnë një sërë individësh në vendin tone. Sidomos ata me një kapital shumë të madh dhe të pajustifikueshëm askund. I depozitojnë paratë në llogari të personave të ndryshëm, ose i investojnë në sipërmarrje të ndryshme që nuk bëjnë thuajse asgjë, por gjenerojnë teknikisht fitim. Ndërtimi deri më sot në Shqipëri ka qenë pararoja e teknologjisë më fitimprurëse Made in Albania. Investimet në masë të gjerë janë bërë kesh dhe arkëtimet janë bërë të deklaruara në bankë. Ky shqetësim fillimisht është vënë në dukje nga Banka e Shqipërisë. Por në mënjanimin, identifikimin ose asgjësimin e parave të pista nga tregu nuk është bërë kurrë thuajse asgjë.

Rasti Bechetti dhe vazhda e tij mbeten tregues të fortë se interesi i investitorëve të huaj në Shqipëri e ka një arsye të fortë. Evazioni fiskan në rastin në fjalë, në mos qe një fakt i kryer, qe akuza kryesore. E që të formulohej një e tillë, me parametra të rregullt ligjorë, duhet që edhe predispozitat e gjasat e vërtetësisë së këtyre akuzave të qëndronin bindshën, aq sa shteti ynë, të përndiqte me harxhet e taksapaguesve, një personazh me influencë të jashtzakonshme si Francesco Bechetti.

Pra përgjigjen e pyetjes së ngritur më lartë, ta jep vetë gjyqësori. Është mëse e mundur.

Çfarë kërkoj të them me këtë. Gjasat e një parajse fiskale të pozicionuar jo vetëm në vendin tonë, por përgjatë gjithë Ballkanit Perëndimor janë jo të pakta. Politikat dhe politikanët diametralisht të ngjashëm, sidomos për sa i përket qëndrimit që mbajnë sa i takon deklarimeve të të ardhurave personale, ngrenë një pikpyetje jo të vogël. Akumulimi i një sasie tronditëse parashë në fare pak duar gjithashtu.  Të mos harrojmë ndikimin e kaosit postkomunist, varfërisë gërryese, linjave të trafikut të kundraligjshëm, kultivimit të narkotikëve, mendësisë kriminale të rrënjosur prej dekadash. Këto e mjaft të tjera përbëjnë një truall të shkrifët për rrënjët e thella të abuzimeve fiskale. E siç ka marrë rrjedha triumfale e jetës kundravajtëse panballkanike, askush nuk do të mbajë kurrë përgjegjësi për këto shkelje.

A mund të luftojë drejtësia shqiptare keqbërien e këtyre përmasave?

Padyshim që mund ta luftojë. Është thjesht çështje vullneti nëse e bën ose jo.

Kur përfshihet në valle paraja, më kujtohen një sërë personazhesh që në Shqipëri e trajtojnë drejtësinë si plaçkë tregu.

Një njeri i urtë e fortë i mençur ka thënë, se për të bërë gjykimin e disa ngjarjeve me rëndësi, na nevoitet nocioni “distancë historike”. Distanca historike, është pika kohore nga ku ne e shohim ngjarjen. Është distanca fizike që ne kemi me ngjarjen që duam të analizojmë. Për shembull, nëse marrim në shqyrtim përmbysjen e monizmit në fillim të viteve ’90, distanca kohore është 25 vjeçare. Përshtypjet që kishim asokohe për ngjarjen, mund të mos jenë të ngjashme me ato përshtypje që kemi sot.

Për tju përgjigjur pyetjes së ngritur më lartë, mungon pikërisht ky noicion. “Distanca historike”.

Megjithatë do të doja  t’i përgjigjem pyetjes së mësipërme me një kazus real nga analet e pashkruara të drejtësisë në vendin tonë, i cili prek në vetën e parë shumë shqiptarë.

Fjalën e kam për informalitetin në tregun e punës. Bëhet fjalë për mijëra punëdhënës të cilët i paguajnë punëmarrësit pjesërisht në të zezë. Po ashtu edhe bilancet e tyre rezultojnë në dy standarde, reali dhe shtetërori. E kjo e dhënë nuk është lajm për askënd. Ky fakt është shndërruar në normën se si operojnë bizneset vendase dhe të huaja, pa kurrfarë skrupulli e frike nga askush. Nuk kam parasysh vetëm ato sipërmarrje me kapacitete gjysmake, por edhe emra të njohur kompanishë dhe individësh shqiptarë dhe të huaj, me shumë potencial në biznes.

Ne na mbetet të shpresojmë se duke marrë përmasa ndërkombëtare ky skandal, do të bëhet i mundur një hetim dhe gjykim ndërkombëtar, i krimeve që lidhen me Panama Papers dhe të tjera shkeljeve të ngjashme. Kjo ndoshta do të qe më e përpikta dhe e vetmja e mundësive që ne më në fund t’i shohim pas hekurave edhe  keqbërësit tanë.

Ndjenja e veçantë mes njeriut dhe parasë në të ardhmen mundet fare mirë të quhet “Sindroma Panama Papers”. Kjo sindromë po merr trajtë globale, për aq sa kulti i parasë po bën të njëjtën gjë.