Ku fshihet thesari i Mbretëreshës Teutë ? Cilat janë legjendat që e rrethojnë? Si jetojnë mes tyre banorët e Mokrës, e mbi të gjitha, si i pushtuan ethet e arit zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes disa vite më parë?

Mokra, Pogradec, është një krahinë e madhe legjendash dhe historish, që nga kohët më të lashta. Një hap, një monument ofron kjo zonë e ndoshta kjo ka tërhequr edhe më shumë kërkuesit e thesareve. Ura të vjetra, si ajo e Golikut, apo varret mbretërore të Selcës së Poshtme, që mendohet se i përkasin Pelionit të lashtë, janë dëshmi të forta të trashëgimisë së pafundme të Mokrës. Të tilla ka kudo në krahinë, aq sa është e vështirë t’i numërosh.

“Është një vend i pambrojtur, duhet të ketë një rrethim siç ka qenë dikur më parë. Këtu s’ka asnjë rrethim”, thotë një banor i zonës.

“Këtu s’kemi ujë, as shkollë, sikurse edhe rrugë”, thotë një tjetër banor.

Por nëse për banorët e thjeshtë të Mokrës, pasuri është aksi që do t’i nxirrte në dritë, për zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes disa vite më pare ishte thesari i Mbretëreshës Teutë. Ata u dyndën në pjesë të ndryshme të kësaj zone, duke kërkuar me ngulm gjurmët, që sipas tyre do t’i çonin drejt këtij thesari. E banorët i mbajnë mend mirë dërgesat me zyrtarë që erdhën nga Tirana.

“Rreth 10 veta i kam parë unë dhe ishin të veshur civilë. Helikopteri qëndroi pak më tutje, ndërsa neve nuk na linin të afroheshim. Ka qenë edhe babai im dhe e kanë përzënë atëherë. Për të marrë, kanë marrë me siguri”, deklaroi gjithashtu një banor.

Në kërkime u përdor Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Merrnin pjesë oficerë, inxhinierë, por edhe kimistë, ndërkohë që u përdorën mjete të rënda ushtarake deri edhe helikopterë. Thuhet se ushtarakët kishin edhe mjete metalkërkuese. Gjithçka u vendos në zonën e Mokrës, e më së shumti në fshatin Llëngë.

Dikur ky fshat, që sot është thuajse i braktisur me vetëm 7 familje të mbetura, mendohet që ka qenë një qytezë antike. Por, si lidhet legjenda e thesarit të Teutës, me Llëngën mes maleve?

Në vitin 230 para Erës sonë, romakët i kërkojnë Mbretëreshës Teutë të ndërpresë sulmet e shpeshta ndaj anijeve të tyre. Shpërfillja e saj bën që të shpërthejë ajo, që në histori njihet si Lufta e Parë iliro-romake. Kjo është pjesa e njohur zyrtarisht, por ekziston edhe vazhdimi, këtë herë në formën e një legjende.

Ballë sulmit, Teuta urdhëron sigurimin e menjëhershëm të thesarit mbretëror. Ai u transportua përmes rrugës “Egnatia”, në pjesën e brendshme të Ilirisë, në territoret që banoheshin nga Dasaretët dhe Enkelejtë. Sipas gojëdhënës, një njësi speciale udhëhoqi 40 mushka me ar, gurë të çmuar dhe diamantë, në territorin e një qyteti antik që mendohet të jetë Lunga, ose Llënga e sotme.

Fillimisht u krye – siç thotë legjenda – një devijim i vogël i lumit, e më pas 6.000 kg sa peshonte thesari u futën brenda një pjese në shkëmb, e cila më pas u izolua me mur guri. Lumi u lëshua sërish në rrjedhen e tij, duke e bërë në këtë mënyrë të padukshëm vendin e thesarit.

“Legjenda është se këtu, në shkëmbin e Llëngës ka qenë kalaja. Ndaj kërkojnë këtu, kërkohet thesari që ka pasur kalaja”, thotë një grua, banore e zonës.

Sipas njësisë speciale të Ministrisë së Mbrojtjes, legjenda ka lindur pikërisht në këtë vend. Lumi është, gjurmët e rrugës “Egnatia” po ashtu, ky territor ka qenë pjesë e fiseve ilire të Desaretëve dhe Enkelejve, fshati quhet Llëngë… por thesari ku është?

“I besuam, s’kishim çfarë të bënim. Edhe mund të jetë thesari, ku i dihet”, thotë një burrë i moshuar.

Në fakt, dërgatat nga Tirana erdhën, kërkuan, por nuk e gjetën thesarin, të paktën zyrtarisht. Edhe pse banorët nuk mendojnë kështu. Për këtë çështje, edhe Prokuroria hapi një hetim pas kallëzimit që u bë nga ministrja aktuale, Mimi Kodheli. Një hetim që u pushua, pasi zyrtarisht u tha se nuk u gjetën dokumentet, të cilat vërtetonin shkeljet e kryera.

Por edhe në mungesë të tyre, çfarë kërkonin zyrtarët e Shërbimit Informativ Ushtarak në Mokër? Përse u përdorën mjetet e rënda? Me çfarë shpenzimesh u mbuluan këto kërkime? A kishte leje për to? A asistuan arkeologë apo ekspertë të fushës? Këto përgjigje do të mbeten enigmë. E ndoshta ky është edhe ndryshimi. Politikanët kërkojnë pasuritë e mëdha, ndërsa banorët e thjeshtë elementët më minimale për të jetuar.

“Të gjithë kanë ikur, për shkak të mungesës së rrugës, varfërisë ekstreme”, shprehet më tej banorja e zonës.

Sigurisht për një vend të varfër, historitë me thesare janë gjithmonë interesante. Por të tilla, ku në kërkime përfshihen edhe strukturat e armatosura, janë tërësisht unike e mund t’i ofrojë vetëm realiteti shqiptar.

4 COMMENTS

Comments are closed.