Hyperloop One, një prej kompanive që po punon në ndërtimin e një sistemi transporti futuristik, synon ta nisë atë nga Dubai.

Kompania ka nënshkruar një kontratë me autoritetet vendase për të studiuar terrenin dhe premton se në rast realizimi të projektit, atëherë Dubai dhe Abu Dhabi, do të lidheshin me njëra-tjetrën për 12 minuta, një distancë që sot përshkohet në më shumë se një orë.

Kjo teknologji transporti e quajtur “Hyperloop” është ende në një fazë testimi. I pari që e prezantoi atë ishte shefi i Teslas, Elon Musk, por ky i fundit ua pasoi idenë e tij dy kompanive komerciale për të bërë realitet vizionin e tij.

Sot janë janë vetëm dy kompani,“Hyperloop One” dhe “Hyperloop Transportation Technologies” në garë me njëra-tjetrën që ta bëjnë realitet këtë teknologji. E para synon realizimin në Dubai, e dyta njoftoi pak muaj më parë një marrëveshje me Sllovakinë për ndërtimi e një sistemi të tillë që do të lidhë Bratisllavën, Vjenën dhe Budapestin.

Kjo teknologji transporti synon udhëtimin me shpejtësi mbi 1200 kilometra në orë. Mjeti që do të bartë pasagjerë, ose mallra do të shfrytëzojë energjinë elektrike, ndërsa si rrugë, një tub të mbyllur me presion të ulët.