Donald Trump ka përqeshur nënën e një ushtari të vrarë amerikan nga komuniteti mysliman

Një deklaratë tjetër kundërthënëse e kandidatit republikan për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka hidhëruar opinionin publik dhe ka nxitur reagime të shumta, pasiqë ai përqeshi nënën e një ushtari amerikan të vrarë në detyrë, i cili ishte nga radhët e komunitetit mysliman që jeton në SHBA.

Gazala Khan kishte qëndruar e heshtur pranë bashkëshortit të saj, Kizer Khan, i cili sulmoi Trumpin gjatë fjalimit emocional që mbajti në Konventën Kombëtare të Demokratëve, përcjell 21Media.

Trump sugjeroi se Kan ndoshta nuk e ka lejuar bashkëshorten e tij të flet. Si republikanët, ashtu edhe demokratët reaguan, duke theksuar se Trump nuk ka guxuar të bëjë komente të tilla për nënën e një heroi, ndërsa vet zonja Khan tha se është tejet e shqetësuar për shkak të deklaratës së tij.

Gjatë fjalimit në Konventën e Demokratëve, Kizer Khan kishte deklaruar se Trump nuk ka sakrifikuar asgjë dhe askënd për vendin e tij. Ai më tutje tha se po të ishte pyetur Trump, i biri i tij as që do të ishte lejuar të hynte në Amerikë, duke aluduar në deklaratën e mëhershme të Trampit për të ndaluar hyrjen e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell 21Media.

Humayun Khan u vra pas shpërthimit të një autobombe në Irak, në vitin 2004. Tramp u kundërpërgjigj ndaj këtyre kritikave, duke theksuar se nëse njerëzit e kanë parë bashkëshorten e Khanit, ajo vetëm qëndronte aty e heshtur dhe se ndoshta bashkëshorti ia ka ndaluar që të flas. Zonja Khan deklaroi se nuk ka folur gjatë fjalimit të bashkëshortit të saj për shkak se ishte e mbushur me pikëllim dhe se nuk mund ta shikonte fotografinë e djalit pa qarë.

Ndërkohë Trump ishte i përfshirë edhe në një ngjarje tjetër të pazakonshme, pasiqë mbeti i ngujuar në ashensor, i cili u ndal mes katit të parë dhe të dytë të një hoteli në Colorado Spring dhe u detyrua të intervenoi shërbimi i zjarrfikësve, për ta nxjerrë nga ashensori. Krahas Trampit, në ashensor kishin mbetur të ngujuar edhe disa persona tjerë dhe nuk kishte të lënduar, njoftoi shërbimi i zjarrfikësve.