Aktualitet Intervista OPINION/ANALIZË

“Turqia, partner strategjik dhe vend aleat i shqiptarëve”

sh-ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Abdi Baleta, në një prononcim për Anadolu Agency (AA), ka folur për disa çështje, duke u ndalur kryesisht tek marrëdhëniet Shqipëri-Turqi, organizata terroriste FETO, roli i Turqisë në rajon dhe veçanërisht në Shqipëri, zhvillimet në Turqi, etj.

Baleta thekson se e njeh mirë Turqinë pasi për një kohë të gjatë ai ka punuar si diplomat dhe ka patur shumë kontakte dhe vizita drejt këtij vendi.

Duke folur për rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-turke, ai shprehet se e konsideron Turqinë si një partner strategjik të shqiptarëve dhe një aleat absolut, si vendi më i fuqishëm në rajon. “Nevojën strategjike të Shqipërisë duhet ta përcaktojmë me 3 rrathë. Në rrethin e parë që përfaqëson Ballkanin aleati dhe partneri strategjik i Shqipërisë është Turqia. Tek Evropa Gjermania, ndërsa në botë SHBA-ja.”

Ndërsa për sa i përket rëndësisë së Turqisë në rajon, Baleta thotë se ky vend ka pësuar ndryshime shumë të rëndësishme kohët e fundit.

Sipas tij ka një dallim të madh të Turqisë së mëparshme dhe asaj që është tani. “Fakti që tentativa për grusht shteti në Turqi dështoi do të thotë se ky vend ka ndryshuar. Ka ndryshuar ekonomia, ka ndryshuar roli politik dhe ka ndryshuar mendësia politike atje”, shprehet ai. Ish-diplomati në vijim thotë se dëshiron që të ketë një Turqi të forte dhe i përgjigjet kritikëve ndaj Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, duke thënë se “ai sot është Turqia dhe përfaqëson Turqinë dhe e di ai se çfarë është më e mirë për atë vend. Unë uroj që puna të mos i shkojë dëm.”

Analisti thotë se përshëndet çdo hap i cili ndërmerret në interes të atij vendi, ndërsa duke iu referuar referendumit për ndryshimet kushtetuese atje Baleta thotë se një sistem i ngjashëm është shumë i nevojshëm jo vetëm për Turqinë, por edhe për Shqipërinë. Sipas tij sistemet janë më të pranueshme kur i shërbejnë më mirë vendit.
Shqetësimet për FETÖ-n

Ndërsa duke folur për tentativën për grusht shteti dhe situatën në Turqi, Baleta thotë: “Nëse Presidenti Erdoğan çon këtë proces në fundin e duhur dhe e përballon komplet situatën, ai do të mbetet për mua personaliteti më i fuqishëm turk pas Ataturkut në historinë e atij vendi.”

Ndërsa në lidhje me opinionin e shqiptarëve ndaj kësaj ngjarjeje ai shprehet: “Në Shqipëri operojnë shumë forca. Nuk mund të themi për një opinion të përgjithshëm të shqiptarëve. Nëse do të nisemi nga propaganda ajo është spekuluese. Shkrimet kundër veprimeve të autoriteteve turke nuk përfaqësojnë asnjë gjë nga qëndrimi i shqiptarëve.” Analisti shprehet se për këtë keq informim kanë gisht shumë forca të jashtme.

“Erdoğani përfaqëson shtetin turk. Kundërshtarët e tij nuk përfaqësojnë këtë vend. Ata (FETÖ) mund të përfaqësojnë një lëvizje fetare, një lëvizje politiko fetare apo një lëvizje ushtarake, por shtetin turk e përfaqëson Erdoğani. Duhet të shikojmë me simpati. Nëse lëvizjet që ai bën janë në dobi të shtetit turk ata janë në dobi edhe të vendit tonë”, thotë ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB.

Duke vënë në dukje se Turqia ka shumë për të bërë edhe në fusha të tjera, ai nuk nguron të bëjë edhe një thirrje ndaj Turqisë duke thënë se normalisht duhet të shikojë dhe interesin e saj tregtar, ekonomik dhe politik, por ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve duhet të vazhdojë të sillet ndryshe. “Sido që të jetë, Shqipëria është vendi ku Turqia mund të hedhë këmbën më e sigurtë se në vendet e tjera të Ballkanit.”

Ndërsa duke folur për FETÖ-n në Shqipëri të cilën ai e quan “lëvizja Güleniste”, Baleta thotë se ka qëndruar në distancë ndaj tyre pasi nuk i ka pëlqyer mënyra e shpjegimit dhe konceptimit të Islamit.

“Fajësoj atë që e përdor fenë për mashtrim, pasi nuk mund të pajtohem”, shton ai dhe shprehet se prania e tyre në Shqipëri është bërë shkak për grindje në mesin e muslimanëve.

Ndërsa ngre alarmin se ata mund të përdoren nga qarqe të ndryshme antiturke në Shqipëri, si Greqia, sipas tij, duke punuar për të penguar marrëdhëniet Turqi-Shqipëri. Duke shtuar se ata merren edhe me punë të fshehta në Shqipëri, Baleta thotë se institucionet duhet të kryejnë kontrolle për të penguar praninë e indoktrimit në shkollat që ata drejtojnë në Shqipëri.

“Lëvizja në Shqipëri komprometon individë, komprometojnë udhëheqës dhe japin fonde. Tashmë nuk është më sekrete që gazetarët shqiptarë kanë miliona. Ku i bënë?” thotë Baleta dhe në vijim shton se qëndrimi i Tiranës zyrtare ndaj kësaj çështjeje duhet të jetë i kujdesshëm. Ai ngre shqetësimin se zyrtarë të lartë janë kapur nga lëvizja Gylen në Shqipëri.