Nga Faik Miftari
7 shtator – ditë e enjte
Sot ishte dita e fundit e qëndrimit tonë në Meke, ashtu që para se të niseshim në Medine u deshtë që të kryejmë edhe tavafin veda(lamtumirës). Tavafi veda-lamtumirës sipas shkollës juridike hanefite hynë në kategorinë e vaxhibit(obligativ) që duhet kryer para se haxhiu të braktisë Mekën. Haxhiu i cili eventualisht për çfarëdo arsye nuk e kryen tavafin lamtumirës do të obligohet të therë kurban. Kjo është e bazuar në thënien profetike të Muhamedit a.s.”Askush mos të largohet nga Mekja pa e përshëndetur Qabenë(pa e bërë tavafin veda-lamtumirës)” transmetoi Muslimi. Kushtet e tavafit veda-lamtumrisë është bërja e nijetit për tavafin veda dhe ky tavaf duhet të bëhet pas kryerjes së tavafit të haxhit në kohën para se haxhiu të largohet nga Meka. Tavafi veda-lamtumirës kryhet pas përfundimit të të gjitha ritualeve(ibadeteve) të haxhit dhe në kohën pasi që haxhiu ka vendos të largohet nga Mekja, ashtu që veprimi i tij i fundit gjatë qëndrimit në Meke është tavafi veda- lamtumirës.
Konform kësaj veprova edhe unë ashtu që u nisa në mëngjes në ora 9.30 nga hoteli drejt Qabesë(Haremit). Temperatura në Qabe në këtë kohë tregonte 41shkallë Celsijus, gjatë së cilës kreva tavafin veda-lamtuirës, duke u sjell rreth Qabesës shtatë herë, pas së cilës i fala dy reqate namaz të tavafit veda-lamtumirës. Për shkak të fluksit të madh të haxhinjëve të cilët kryenin tavafin veda-lamtumirës dhe niseshin më pas drejt Medinës apo drejt vendeve nga të cilët kanë ardhur, edhe pse isha afër Qabesë për dallim nga herët tjera, tavafi veda zgjati plot një orë, kundrejt atyre tavafeve tjera që zakonisht zgjatnin prej 30-40 minuta.
Bashkësia Islame e Kosovës(BIK-u) tani është e vetme që e ka të drejtën e organizimit të haxhit për besimtarët mysliman në nivel të Republikës së Kosovës. Për dallim nga vitet e mëparshme, gjatë së cilës qëndrimi i haxhinjëve gjatë haxhit në Meke dhe Medine ishte 20-21 ditë, sivjet ne qëndruam plotë 27-28 ditë në haxh, një javë më tepër nga vitet e mëparshme. Nuk isha fare në dijeni se do të qëndronim një javë më tepër, por për këtë mora vesh nga imami im i xhamisë së Bajraklisë në të cilën frekuentoj rregullisht gjatë namazeve, mulla Reshat ef. Mexhiti, i cili 2-3 ditë para se të niseshim më njoftoi se sipas të gjitha gjasave kësaj here do të qëndrojmë në haxh një javë më shumë se zakonisht që qëndronin haxhinjtë në vitet e mëparshme.
Ne tani jemi duke jetuar në shek. XXI-të, në shekullin e zhvillimit të hovshëm informativ dhe se mosnjohja paraprake e haxhinjëve nga organizatori(BIK-u) me kohën e qëndrimit të haxhinjëve ishte një lëshim nga ana e organizatorit. Këtë kur them bazohem në atë se ndoshta qëndrimi një javë më tepër ishte i mirëseardhur për haxhinjtë që ishin mbi moshën 65 vjeçare, që janë në pension dhe nuk kanë obligime të punës dhe obligime tjera, po për neve që ishim nën moshën 65 vjeçare, ky qëndrim i zgjatur, ka sjell probleme dhe shqetësime bukur të mëdha për shkak që hanxhinjtë e caktuar ishin të zënë me punë dhe për shkak të mosnjohjes me kohë nuk kanë mund të rezervonin kohë më të gjatë, për të paralajmëruar me kohë mungesën e tyre nga puna tek punëdhënësit e tyre, ashtu që eventualisht të mos largohen nga puna, Zot ruana, pasi që kanë marrë leje nga puna, pushimet vjetore vetëm për tri javë(21 ditë). Një haxhi që kishte ardhur enkas nga Franca më tregoi se nëse gjer më 18 shtator nuk do të jetë në gjendje të kthehej në Francë, pasi që biletën e kishte rezervuar për atë ditë, dhe se ajo ishte dita e fundit sa kishte lejen e pushimit vjetor, gjatë të cilit ai këtë pushim e ka shfrytëzuar për të kryer ibadetin e haxhit, jo vetëm që do të humb biletën e kthimit, por rrezikonte edhe sanksionimin në vendin e punës për shkak të vonesës në punë. Nj haxhi tjetër që ishte me punë në Zvicër më tha se për shkak të vonesës një javore mund të mbes pa punë, në rast se punëdhënësi i tij nuk has në mirëkuptim për arsyetimin e tij të prolongimit një javor të mos prezencës në punë. Një haxhi tjetër më tregoi se të tre djemtë që i kishte me punë jashtë vendit, në Evropë, i kishin rezervuar biletat e aeroplanit (për periudhën kohore 11-18 shtator) për të qëndruar një javë në Kosovë, për të pritur atë pas kthimit nga haxhi, për të përgëzuar atë dhe për të organizuar një mevlud për babën haxhi. Tani, më tha duhet t’i lajmërojë ata që të heqin dorë nga udhëtimi, pasi që neve qoftë kismet tek me 17 shtator është paraparë kthimi i grupit tonë të haxhinjëve nga Prizreni. Ishin këto vetëm disa rast që i ceka, por kishte edhe të tjera, e krejt këto çrregullime dhe shqetësime ishin nga mosnjohja me kohë e itinerarit dhe qëndrimit tonë haxh nga ana e organizatorit të haxhit, gjegjësisht të Bashkësisë Islame të Kosovës.
BIK-u, nga ky pësim duhet të nxjerr mësim, që gjatë organizimit të haxhit në vitet në vijim, të bëjë aranzhmane dy javore dhe tre javore të qëndrimit në haxh dhe të njoftojë me kohë nisjen, qëndrimin, dhe kthimin, për të pasur parasysh haxhinjtë me kohë të organizonin dhe të planifikonin pushimet dhe lejet nga mungesa prej punës.
BIK-u për haxhinjtë që janë të moshës mbi 65 vjeçare mund të organizojnë aranzhmanin tre javor të qëndrimit në haxh, ndërsa për të gjithë ata që janë të moshës nën 65 vjeçare aranzhmanin dyjavor( i cili është i mjaftueshëm për të kryer të gjitha ibadetet(ritualet) e haxhit në Meke dhe Medine). Një organizim të tillë me vite është duke aplikuar Turqia ashtu që kanë aranazhmane të ndryshme të haxhit duke u nisur nga ato dy javore, tre javore, katër javore, 5 javore gjer në 6 javore, ashtu që varësisht nga koha e qëndrimit është edhe kostoja e haxhit. Shpresoj dhe besoj që ky propozim të has në mirëkuptim nga ana e organizatorit të haxhit, Bashkësisë Islame të Kosovës, dhe të veprojë konform kësaj tani e tutje gjatë organizimit të haxhit gjatë viteve në vijim.
8 shtator – ditë e premte
Sot ishte ditë e xhumasë, ditë në të cilin u larguam nga Meka dhe udhëtuam drejt Medinës. Njëkohësisht ishte edhe dita më e nxehtë gjatë qëndrimit tonë në Meke, ashtu që temperatura arriti në 46 shkallë Celsijus, për dallim nga temperaturat që silleshin prej 41,42, 43 shkallë Celsijus gjatë ditëve të qëndrimit tonë në Meke. Ishte ditë lamtumirëse pasi që do të ndahemi nga Mekja, qytetin në të cilin u lind pejgamberi ynë i dashur Muhamedi a.s, dhe do të udhëtojmë drejt Medinës, qytet në të cilin u shpërngul, ndërroi jetë dhe është i varrosur Muhamedi a.s. Pas faljes së namazit të xhumasë në xhaminë afër hotelit, nisën përgatitjet e haxhinjëve të Kosovës të cilët me 22 autobusa, tërësisht të reja dhe të gjithë të pajisura me klimë, do të udhëtojmë drejt Medinës.
U nisëm në ora 17.00 dhe pas një udhëtimi 7 orësh arritëm në Medine në mesnatë, ora 24.oo, me ç’rast rrugës u ndalëm një orë për një pushim, me ç’rast falëm edhe namazet e akshamit dhe jacisë. U vendosëm në hotelin Dorat al Andalus që ishte fare pranë xhamisë së Muhamedit a.s, rreth 100 metra nga haremi i xhamisë. Në dhomën 3 shtretërshe u vendosa bashku me cimerët, Osmanin dhe Abdyrahmanin. Pas fjetjes tri orësh, në ora 4.30 u zgjuam për të falur namazin e sabahut, namazin e parë, në xhaminë e Pejgamberit, pas së cilës u kthyem dhe vazhduam gjumin pasi ishim të lodhur nga udhëtimi i gjatë shtatorësh prej Mekës në Medine, prej 400 km.
9 shtator- ditë e shtunë
Sot ishte dita e parë e qëndrimit në Medinën Munevere( shndritshme) , Medine Nebevije( të të dërguarit Muhamedit a.s.). Pas ngrënjes së mëngjesit në ora 12.oo u nisa drejt xhamisë për të falur namazin e drekës dhe pas saj për të vizituar dhe shëtitur haremin(kompleksin) e xhamisë së Pejgamberit, Muhamedit a.s.. Haremi(kompleksi) i xhamisë së Pejgamberit në Medine është një objekt grandioz i cili shtrihet në një sipërfaqe prej 13 hektarësh , sipërfaqja e brendshme së bashku me sipërfaqen e jashtme të xhamisë mund të akomodojë në të falurit e namazeve disa qindra mijëra besimtar mysliman. Brenda xhamisë gjenden edhe vari i Pejgamberit, Muhamedit a.s si dhe dy shokëve të tij, kalifit Ebu Bekrit dhe Omerit. Sipërfaqja e brendshme e xhamisë mbështetet në 3000 shtylla të dizajnuara me një arkitekturë të shkëlqyer në formë simetrike dhe gjysmë konike. Me qindra abazhure(llampa) shndrisin dhe japin një ndriçim mahnitës. Sipërfaqja e brendshme e xhamisë është e shtruar me qindra, mijëra tepiha me ngjyrë të kuqe të cilët i japin një pamje fascinuese dhe e bënë xhaminë madhështore.
Xhamia nga ana veriore dhe jugore është e rrethuar me hotele të shumta të ngritura përreth saj, ndërsa në anën perëndimore të xhamisë ishin duke vazhduar punimet në zgjerimin e kompleksit të xhamisë dhe se ishte e vetmja anë në të cilin xhamia mund të zgjerohej, pasi që në anën lindore të saj janë ngritur një varg objektesh tjera përcjellëse në kuadrin e kompleksit të xhamisë. Rreth e përqark xhamisë janë ngritur gjithsejtë 10 minare me formë dhe dizajnë të ndryshme të cilët përbëjnë një kolorit të veçantë.
Haremi(oborri) i xhamisë është i shtruar me pllaka të mermerit të cilët shkëlqejnë nën efektin e rrezeve të diellit. Poashtu janë të vendosura ombrella(çadra) të shumta të cilët gjatë ditës hapen për të bërë fllad, dhe së bashku me sistemin e flladitjes freskojnë besimtarët mysliman që falen në oborr të xhamisë, ndërsa gjatë natës mbyllen dhe shërbejnë edhe si llampa ndriçues për të ndriçuar oborrin e xhamisë gjatë natës.
Në oborrin e xhamisë janë të vendosura me qindra çezme(kroje) për abdest dhe për të pirë ujë, ndërsa qindra tualetet janë të vendosura në sipërfaqen nëntokësore të oborrit. Mirëmbajtja e pastërtisë së xhamisë ishte në nivel të lartë në saje të angazhimit të pandërprerë 24 orësh të pastruesve të shumtë të xhamisë dhe makinave që shërbenin për pastrimin si të sipërfaqes së brendshme ashtu edhe të asaj të jashtme të xhamisë.
Atmosferë e veçantë mbretëronte në namazin e sabahut dhe akshamit kur me qindra mijëra besimtar mysliman nxitonin nga të katër anët e xhamisë për të asistuar bashkërisht në namaz. Në tërë kompleksin e xhamisë së Pejgamberit arrita të numërojë mbi 100 dyer hyrëse në oborrin e xhamisë, ndërsa ishin afro 200 dyer hyrëse brenda xhamisë. Poashtu ishin të ngritura edhe dy katet mbi xhaminë me sipërfaqe më të vogla në të cilët besimtarët mysliman faleshin në rastet kur mbushej e tërë sipërfaqja tokësore e xhamisë, sidomos gjatë namazit të xhumasë.
Në oborrin e xhamisë ishin të ndërtuara edhe disa parkingje dy katshe nëntokësore për vetura me të cilin qytetarët e Medinës me familjet e tyre frekuentonin xhaminë e Muhamedit gjatë kohës së namazeve ditore dhe pas saj qëndronin një kohë të caktuar së bashku me familjet e tyre në kompleksin e xhamisë.
Në mbrëmje në ora 23.30 shkova në xhami për të vizituar varin e pejgamberit tonë të dashur, Muhamedit a.s., pasi që në këtë kohë zakonisht fluksi i haxhinjëve që e vizitonin varin e profetit ishte më i vogël dhe në mënyrë komode e vizitova atë, duke e përshëndetur me selam “esselamu alejke ja Resulullah” që në shqipe do të thotë:”paqja e Zotit qoftë mbi ty i dërguari i Allahut”, njashtu e përshëndeta me selam edhe sy shokë dhe kalifë të parë pas Muhamedit a.s, hazreti Ebu Bekrin dhe hazereti Omerin.
Gjatë tërë kohës sa qëndruam në Medine, gjithsejtë 8 ditë, të gjitha vaktet(kohët) e namazeve i falëm në xhaminë e Pejgamberit, pasi që është synet (e preferuar ) falja e sa më shumë namazeve në xhaminë e Muhamedit a.s. në Medine.

SHPËRNDAJE