OPINION/ANALIZË Politika

Ujku, ujku, por çakalli bën kërdinë

Propaganda e ka të pamundur tashmë të mbulojë pisllëkun e kësaj qeverie. Sado kronika suksesi të transmetojë Edi Rama në kanalin e tij personal dhe oligarkëve mediatikë që ka krijuar me dorën e vetë, realiteti është i pamundur të fshihet. Sa më shumë bien trumpetat e propagandës, aq më shumë të vërtetat kanë filluar të dalin sheshit.

Prandaj ishte i kuptueshëm edhe nervozizmi i djeshëm i Edi Ramës me të vetët. Ndërkohë që në ekran transmetohej teatri i radhës me Presidentin në qendër, Edi Rama kërcënonte deputetët e së majtës. Si gjithmonë e kap nga bishti dhe nga ata që kanë më pak në dorë.  U ulërinte se duhej të organizonin partinë, se administrata e krijuar prej tyre (!!) ishte copë-copë dhe se po të vazhdonin kështu ata do ta përjashtonin dhe qeveria do të binte. Edi Rama ua thoshte këtë deputetëve të tij. Vetë kryetari i partisë ua thoshte atyre që ka zgjedhur me dorën e vetë. Një kat më lart, në të njëjtën ndërtesë, Ulsi Manja me të vetët jepte spektaklin e radhës.

Propaganda!

Kaq! Sepse më shumë se kaq Edi Rama nuk mundet të bëjë. Ai nuk e ngre dot stekën e kritikave më lart se kaq, sepse rrezikon të përplaset dhe të thyejë kokën. Sado që mundohet të mbulojë diellin me shoshë, këtë arrin ta kuptojë edhe ai. Rangjet më të larta se deputetët janë pjellë e pushtetit të tij, një pjesë marioneta që i binden deri në përultësi, e një pjesë oligarkë të krijuar prej vetë atij e që tashmë Edi Rama nuk u kërkon dot më llogari. Ata nuk pyesin më për të, por i zënë kokën me derë sa herë duan dhe si të duan.

E vetmja shpresë që i ka mbetur Kryeministrit është Propaganda. Por edhe kjo kështjellë po bie.

Këmbanat kanë filluar të bien në këtë vend dhe zhurma e tyre zakonisht dëgjohet për ata që kanë veshë. Por kësaj here edhe i pari i vendit nuk mundet të fshihet dot pas gishtit. Propaganda e tij ka kohë që nuk pi më ujë. E të mendosh që oligarkët mediatikë janë pjella e parë e madhe që Edi Rama pati ditën kur erdhi në pushtet. Ata kanë qenë lëvizja e parë e shahut me shpresën se kurdo të kishte nevojë, mediat e blera dhe të frustruara prej tij, do t’i shërbenin. Në fakt kështu ka ndodhur këto gjashtë vjet. Në këmbim të PPP-ve, tenderave dhe interesave të tjera, oligarkët mediatikë i kanë shërbyer dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë. Por zullumi është aq i madh, sa Rama shumë shpejt do të mbetet vetëm.

Kryeministrin shqiptar nuk e shpëtojnë dot as ata.

Gjëndja skandaloze e mediave kombëtare në Shqipëri gjatë votimeve njëpartiake të 30 qershorit është pasqyruar edhe në raportin e OSBE-ODHIR, edhe pse askush nuk flet zyrtaisht për këtë. Ka qenë redaksia shqiptare e BIRN ajo që ka studiuar raportin – që zakonisht qeveritë e shesin si sukssesin e radhës – për të shkruar e zeza mbi të bardhë, e sidomos për të kujtuar disa të vërteta që të gjithë i dinë, por ata që nuk u interesojnë nuk i thonë, ndërsa të tjerët, të zënë me skandalet e njëpasnjëshme, ndoshta i kanë harruar.

Në raport citohet: “Televizionet më të ndjekura, Top Channel dhe TV Klan e mbuluan PS-në me tone përgjithësisht pozitive dhe neutrale, ndërsa PD-në, me tone neutrale dhe negative”.  Raporti ka rekomanduar se “ligji për mediat audiovizive duhet të amendohet për të “kufizuar në mënyrë efektive pronësinë e medias në sektorin e transmetimeve audiovizuale”.

Për ta kuptuar tamam atë që thonë të huajt duhet kthyer vetëm pak pas në kohë, në periudhën kur socialistët erdhën në pushtet dhe hoqën kufizimin e nenit 62 që kishte të bënte më pronësinë e mediave vizive. Sipas këtij neni asnjë individ apo kompani nuk lejohej të kishte nën pronësi më shumë se 40% të një televizioni kombëtar, ndërsa ata që kishin aksione në një televizion kombëtar ishin të ndaluar të kishin më shumë se 20% të aksioneve në një televizion lokal.

Thënë ndryshe ndalohej monopoli.

Por çfarë bëri Edi Rama? I dashuruar pas monopolit, ai ndërseu Taulant Ballën për të shfuqizuar nenin e famshëm që pengonte krijimin e Familjeve të Mëdha Mediatike. Çështja pati shkuar deri në Gjykatën Kushtetuese dhe po ata gjyqatrë që sot Vetingu u ka treguar derën, votuan për heqjen e kufizimeve duke i hapur rrugë oligarkëve të parë mediatikë. Ata që sot sheshin e blejnë aksione sipas qejfit, reklamojnë pasardhësit e tyre si trashëgimtarë dinastie dhe të gjithë bashkë i shërbejnë Edi Ramës. Shembujt i keni çdo ditë përballë e logot e këtyre televizioneve i shikoni sa herë kapni telekomandën e televizorit me dorë.

Raporti i OSBE-ODHIR ka arritur në përfundimin se ligji për mediat audiovizive duhet amenduar dhe aty duhen rikthyer kufizimet për pronësinë familjare mbi mediat e mëdha. Zgjedhjet e pisëta të 30 qeshorit ishin të mjaftueshme për ta, për të arritur në këtë përfundim kategorik.

Por çfarë do të bëje Rama? Asgjë natyrisht.

Askush nuk do të merret me këtë çështje, sepse Kryeministri shqiptar, edhe sikur të dojë, nuk e zhbën dot më dëmin që i ka bërë Shqipërisë. Prandaj i mbytur nga diktatura që ka krijuar vetë, ai po thithet çdo ditë nga këneta e pisllëkut. Nuk e ndihmojnë dot më as Familjet e Mëdha që i krijoi me mund për 6 vjet me radhë. I krijoi pa e kuptuar asnjëherë deri më sot se në çastet e veta më delikate, të parët që do ta lënë në mes të kënetës do të jenë pikërisht ata.

Prandaj sot bërtet e përplas kokën pas murit Edi Rama. U drejton gishtin deputetëve, u ulërin bashkëpunëtorëve, fshihet para të fortëve, i pashpresë. Edhe propaganda që ai vetë e reklamon çdo ditë nuk e ndihmon dot më. I rrofshin monopolet Edi Ramës./Pamfleti/

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/
autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e epavarura.com