Home / BOTA / Videoskandali i diplomatit izraelit, plane për diskreditimin e parlamentarëve britanikë pro palestinezë

Videoskandali i diplomatit izraelit, plane për diskreditimin e parlamentarëve britanikë pro palestinezë

Diplomati Shai Masot, pjesë e stafit të Ambasadës së Izraelit në Londër, është filmuar në një restorant nga një kamerë e fshehtë duke treguar planet e tij për të diskredituar parlamentarët britanikë.

Filmimi tregon qartë se në shënjestër të Masotit është veçanërisht ministri britanik i Shtetit për Punë të Jashtme dhe të Komonuellthit, Alan Duncan, i njohur për qëndrimin e tij propalestinez.

Në pamjet e filmuara në mënyrë të fshehtë nga një korrespondent i rrjetit televiziv panarab, “Al-Jazeera”, diplomati izraelit është duke biseduar në një restorant me Maria Strizzolo, një burokrate angleze.

Kuptohet që edhe korrespondenti i kamerës së fshehtë është ulur në të njëjtën tavolinë, pasi është prezantuar si një anëtar i grupit lobues të quajtur “Miqtë Laburistë të Izraelit” (LFI).

Masot flet për “rrëzimin” e disa parlamentarëve britanikë, mes të cilëve Alan Duncan dhe kryetari i Komisionit të Përzgjedhur të Dhomës së Përfaqësuesve për Punë të Jashtme, Crispin Blunt.

Si të mos mjaftonin këto, Shai Masot quan “idiot pa përgjegjësi” edhe ministrin e Punëve të Jashtme të Anglisë, Boris Johnson.

Regjistrimi video, pasqyruar gjerësisht edhe nga media britanike, u cilësua si “një shkelje e jashtëzakonshme e protokollit diplomatik”.

Nga ana tjetër, ambasadori i Izraelit në Londër, Mark Regev, ka kërkuar personalisht të falur nga ministri Duncan, emri i të cilit lakohet më tepër në këto pamje të filmuara gjatë muajit tetor 2016.

“Fjalët e diplomatit Shai Masot janë ‘të papranueshme’. Ai do të shkarkohet brenda një kohe të shkurtër”, theksohet ndërkohë në komunikatën e Ambasadës izraelite në kryeqytetin britanik.

Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar konfirmoi nga ana e saj se ambasadori izraelit ka kërkuar falje në lidhje me këtë ngjarje të pakëndshme.

LEXO EDHE  Shokon Colin Powell: 200 kapsula bërthamore të Izraelit drejt Iranit

“Komentet në fjalë nuk pasqyrojnë as opinionin e Ambasadës dhe as atë të shtetit të Izraelit. Britania ka marrëdhënie të fuqishme me Izraelin dhe ne e konsiderojmë të mbyllur këtë çështje”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Londër.

Bëhet e ditur se pamjet janë filmuar në kuadër të një dokumentari investigues, të cilin “Al-Jazeera” është duke e përgatitur për transmetim më datë 15 janar.

Rreth 4 orë e gjysmë regjistrime të fshehta janë realizuar në mjedise të ndryshme që prej muajit qershor 2016 për këtë dokumentar, i cili trajton marrëdhëniet ndërmjet Anglisë dhe Izraelit, sipas burimeve pranë televizionit “Al-Jazzera”.

Check Also

Palestina siç nuk e keni parë kurrë më parë

Bota arabe është e gjallë. Është e gjallë dhe frymon nën ritmin e lahutës. Zemra …

21
error: Mos kopjo, por shperndaje ;)