OPINION/ANALIZË Politika

 Vlerat konservatore, si  shpresë për zhvillimin ekonomik-social dhe politik

Shqipëria i përket perëndimit dhe identitetit të saj. Unë besoj, se ka erdhur koha, që të reagojmë fort, për të mos ri-parë një komunizëm të dytë, për të mos ri-parë shpërbërjen e vlerave, për të mos ri-parë zhdukjen e kapitalizmit. Europa na dha shpresën sot, nesër na takon ne… Shqipëria si Europa!

Shkruan Sorina Koti*

Me një ndjesi pozitive, mirëprita lajmin se partitë Pro-Europiane dhe Konservatore fituan ndjeshëm në Parlamentin Europian. Sot Europa dha mesazhin se u kthye tek vlerat e saj më të mira, vlerat e djathta-konservatore. U bë gati një dekadë, që Europa dhe qytetarët e saj po lëkundeshin me politika të majta, programe ç’orientuese dhe reforma pa rezultat. Europa po humbiste identitetin e saj…I gjithë ky kalvar, përfundoi sot.

E bëra këtë hyrje, sepse me shumë forcë besoj se ne, Shqipëria jemi pjesë integrale e Europës, ne jemi Europianë, por që nuk kemi ditur të rritemi, të zgjedhim, të reagojmë, të qeverisim dhe të tregojmë vlerat tona.

Historia jonë na tregon përpjekjet e vazhdueshme për të ndriçuar të ardhmen tonë, por që gjithmonë këto përpjekje kanë rezultuar në dështime, duke lënë pasoja të mëdha ndër vite. Prandaj sot, kur shohim rezultatet e votimeve në vendet e BE-së, ne të gjithë ndjehemi mirë, ndjehemi europianë, ndjejmë se ky ndryshim duhet të ndodhë patjetër edhe në Shqipëri.

Në një zhurmë kaq të madhe dhe rrëmujë vlerash, ndjen se kjo periudhë duhet të marrë fund. Duhet të marrë fund mendësia e të jetuarit i shtypur, i pa vlerësuar, i pa respektuar. Duhet të ndryshojë mënyra e të bërit politikë, ku duhet të dominojnë vlerat, puna, ndershmëria dhe integriteti. Për shumë vitë rresht kemi parë se në Shqipëri, vlerat po zbehen. Vlerë do të thotë, të besosh në Zot, në drejtësinë e pronës, tek familja, tek dashuria, tek respekti, zbatimi i ligjit, tek ekonomia e lirë dhe integriteti.

Me shumë keqardhje kemi konstatuar se në Shqiperi, nuk fitojnë apo promovohen vlerat. Ne kemi humbur në vorbullën e rrëmujës, duke stimuluar peshën e ‘të fortit”, peshën e fisit, peshën e krimit, peshën e shit-blerjes. E ku jemi ne, pjesa e shoqërisë, që mbron vlerat dhe konservatoren? Ku jemi ne, që po mundohen të na zhdukin identitetin?

E them me krenari këtë, sepse ne i përkasim asaj shtrese të shoqërisë, që është luftuar dhe persekutuar gjatë regjimit komunist, ne vijmë nga familje patriotësh, familje biznesi, ish-pronarë, familje të përndjekura, familje që kanë qenë pjesë e ndryshimeve dhe e luftës për zhvillim. E si unë, janë shumë… Të rinjtë e mirë-arsimuar, të kultivuar, të motivuar për ndryshime pozitive janë këtu. Ka erdhur koha, që brezi ynë të marrë detyra dhe përgjegjësi, për të mos u tkurrur nga ata, që nuk duan formimin dhe profesionalizmin tonë. Ka erdhur koha, që të tregojmë peshën tonë, peshën e vërtetë të formimeve tona familjare dhe personale, peshën reale që zemë në shoqëri, duke mos lejuar këto “peshat e forta” të na drejtojnë rrugën dhe mënyrën e të punuarit dhe të bërit politikë.

Ka erdhur koha, që në Shqipëri të përplasen këto dy botë, dhe jam e bindur se nga kjo luftë do fitojnë vlerat. Ka erdhur koha, që e vërteta të flasë… Shqipëria i përket perëndimit dhe identitetit të saj. Unë besoj, se ka erdhur koha, që të reagojmë fort, për të mos ri-parë një komunizëm të dytë, për të mos ri-parë shpërbërjen e vlerave, për të mos ri-parë zhdukjen e kapitalizmit. Europa na dha shpresën sot, nesër na takon ne… Shqipëria si Europa!

*Anëtare e Këshillit Kombëtar, PD

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/
autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e epavarura.com