Një 17-vjeçar nga Berati ka vrarë veten, pasi shokët e klasës e tallnin për shkak të origjinës nga fshati.

Ngjarja ndodhi dje në qytetin e Beratit.

17-vjeçari P. Xhaferaj dyshohet se i ka dhënë fund jetës në kushtet e një ngarkese të rëndë psikologjike, pasi shokët e konsideronin atë si “fshatar” dhe e mbanin larg tyre.

Burime nga Policia bënë të ditur se nga hetimet e deritanishme dyshohet se adoleshenti kishte rënë pre e bulizmit (talljeve) në shkollë dhe nuk e ka përballuar dot psikologjikisht këtë, raporton Panorama.

Nga të dhënat rezulton se Xhaferaj kishte ardhur për të studiuar në shkollën profesionale të Beratit dy vite më parë, pasi në fshatin e tij nuk ka shkollë të mesme.

Por ai nuk ka arritur dot të futet në shoqërinë e djemve të klasës, të cilët e nënvlerësonin atë si një djalë fshati.

Ai është ndier i përjashtuar, pasi nuk e bënin asnjëherë pjesë të shoqërisë së tyre.

Madje, sipas të dhënave, disa nga shokët e klasës e tallnin atë në vazhdimësi, duke i shkaktuar stres të vazhdueshëm.

Mësohet se kohët e fundit ai kishte shfaqur shenja të dukshme të ngarkesës emocionale.

Ai nuk afrohej me asnjeri dhe nuk bëhej pjesë e asnjë aktiviteti të klasës së tij.

Policia ka marrë në pyetje disa nxënës së vitit të dytë, të cilët kanë pohuar se ai qëndronte i tërhequr dhe menjëherë pasi mbaronte mësimi nisej me furgon për në fshatin e tij, rreth 20 km larg qytetit të Beratit.

Këtë rrugë ai e kryente çdo ditë me furgonë të linjës. Kështu ka ndodhur edhe ditën e djeshme.

17- vjeçari ka blerë një sasi fostoksine në qytetin e Beratit dhe sapo ka mbërritur në banesë, e ka pirë atë.

Familjarët e kanë gjetur pa ndjenja dhe në gjendje mjaft të rëndë, duke e transportuar menjëherë për në spitalin e Beratit por, fatkeqësisht, me gjithë ndërhyrjen e mjekëve ai nuk ka arritur dot të mbijetojë.

3 COMMENTS

Comments are closed.