Qindra shqiptarë e kosovarë kanë hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe përmes kartave italiane të identitetit të falsifikuara e të favorizuara nga dy organizata të trafikut ilegal të qënieve njerëzore e të emigracionit klandestin.

Policia kufitare italiane e provincës së Veronës e Venecias ka ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të sotëm një operacion policor i cili ka çuar në arrestimin e disa personave, shtetas italianë, shqiptarë e britanikë me akuzën e favorizimit të emigracionit klandestin.
Mbi 90 persona janë vënë nën hetim e disa banesa janë kontrolluar nga policia italiane.
Sipas autoriteteve italiane personat e arrestuar e të vënë nën hetim janë anëtarë të dy organizatave që merreshin me trafikun ilegal të qënieve njerëzore.
Baza logjistike e dy organizatave ishte në Shqipëri, Veneto e Londër.
Sipas hetimeve, këto dy organizata kanë bërë të mundur që qindra shtetas shqiptarë e kosovarë të hyjnë ilegalisht në Britaninë e Madhe përmes aeroporteve e porteve të Italisë, Austrisë, Francës, Gjermanisë, Irlandës, Polonisë, Portugalisë e Spanjës.
Për të lejuar kalimin e kufirit nga emigrantët klandestinë këto dy organizata i pajisnin ata me karta identiteti fallso të vjedhura në shkëmbim të parave nga zyrat komunale të rajoneve të ndryshme italiane.

Për të lejuar hyrjen e shtetasve shqiptarë e kosovarë në Britaninë e Madhe organizoheshin dhe grupe tifozerie fallso për ndjekur ndeshjet e futbollit, siç është rasti i dokumentuar nga policia italiane në ndeshjen Manchester-Roma të zhvilluar më shtator të 2014, ku shtetas kosovarë e shqiptarë kanë hyrë në Britaninë e Madhe përmes aeroportit të Nizzas të maskuar si tifoza italianë me bluza e shalla të tifozerisë “azurra” por dhe me karta identiteti italiane falco.

6 COMMENTS

Comments are closed.