Çdo ditë në media, në të gjitha formatet e saj, në letër, zë dhe figurë, jepet një hapësirë përkrah lajmeve edhe horoskopit të ditës. Ka shumë njerëz që janë kaq të varur pas horoskopit, sa nuk fillojnë aktivitetin e tyre ditor, pa dëgjuar fatin dhe këshillat që “yjet kanë rezervuar” për ata sipas shenjave zodiake të përcaktuara nga dita dhe muaji i lindjes së tyre. Disa janë akoma më të fiksuar sa i mbajnë shenjat zodiake si hajmali (fatsjellëse) në trupat e tyre si bizhuteri ose në tatuazh, një diçka trendi për kohën.

Nga Miron Çako, Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.

Edhe ata që nuk ju besojnë seriozisht këtyre gjërave, prapë kur e dëgjojnë horoskopin rastësisht diçka mbetet në koshiencën e tyre, duke shfaqur shenja supersticioni. Duhet një indiferencë totale që të mos turbullohet mendja nga këto përralla që nuk janë gjë tjetër veçse një mashtrim i vjetër, dhe trill mediatik për kohën e sotme. Që horoskopi nuk është i vërtetë duhet ta vërtetojmë në radhë të parë me arsyetimin tonë. Sot njerëzit, kanë një njohuri shumë më të madhe për yjet dhe trupat qiellor, ndryshe prej atyre që kanë jetuar në padije, shekuj më parë. Shkenca e astronomisë që merret me studimin në lidhje me yjet, planetet, trupat qiellor dhe lëvizjet e tyre, thotë se ato janë thjesht trupa të gaztë ose të ngurtë, që lëvizin në orbitat e përcaktuara dhe kanë lidhje varësie me njëri-tjetrin nga ligjet fizike si forca e gravitetit.

Por yjet si trupa qiellor, a na drejtojnë për diku?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje intriguese, na ndihmon një fenomen “astronomik” i ndodhur dy mijë e gjashtëmbëdhjetë vite më pare, që ndryshoj historinë e njerëzimit dhe shkaku e një numurimi të ri kalendarik për njerëzit.Ky fenomen është shfaqja e një ylli në zonën zodiake të peshkut, i cili u vëzhgua nga disa magë astrologë. Shfaqja e këtij ylli u pa si shenjë; se një Mbret i Madh kishte lindur në botë dhe kjo i vuri menjëherë në lëvizje magët, në një udhëtim të gjatë nga Babilonia në Palestinë. Kjo ngjarje është dokumentuar në Ungjillin sipas Mateut i shkruajtur në vitin 55 psK, ku na thuhet: “Pasi Jisui lindi në Bethlehem të Judesë në kohën e mbretit Herod, ja që disa dijetarë nga lindja arritën në Jerusalem duke thënë: “Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar.” (Mt. 2:1-2) Ky udhëtim i lodhshëm mund të ketë zgjatur më shumë se një vit, për këtë na siguron përsëri ungjillori Mate ku na thotë: “Atëherë Herodi i thirri fshehurazi dijetarët, dhe i pyeti me hollësi se kur e kishin parë yllin për herë të parë”( Mt. 2:7).

Po çfarë ishin magët?

Magët ishin dijetarë astrologë paganë, të cilët vëzhgonin qiellin dhe lëvizjet e yjeve dhe të gjitha këto kostelacione yjesh, nga padija e njerëzve në atë kohë i interepetonin sipas figurave që ato shfaqnin të vëzhguara me sy të lirë nga toka, me supersticione fetare. Në botëkuptimin e njerëzve të asaj kohe, dija nuk mund të veçohej nga feja dhe shpjegimi mitologjik zëvendësonte shpjegimin shkencor të fenomeneve astronomike. Astrologjia në atë kohë paditurie, pati një zhvillim të veçantë sepse njerëzit duke parë lëvizjet e yjeve të qiellit të pavarur nga vullneti njerëzor, i interpretonin ato si gjymtyrë ose stolitë e perëndive që nëpërmejt lëvizjeve e yjeve shfaqnin vullnetin ose vendodhjen e tyre. Astrologët përpiqeshin të shpjegonin këto si vullnete perëndish, që ishte përcaktuese për fatin e njerëzve, që mund të ndryshonin vetëm me anë të lutjes, flijimeve dhe ritualeve magjike. Magët ishin shumë të rëndësishëm për kohën, dhe sidomos për mbretërit, të cilët ishin shumë më të interesuar se populli i thjeshtë për fatin e mbretërisë së tyre. Kështu mbretërit krahas gjeneralëve, ushtarëve, dijetarëve kishin afër tyre dhe fallxhorët magjistar dhe astrologët të cilët e keqpërdornin besimin e mbretërve duke lajkatuar zotërinjtë e tyre me parashikime që iu vinin përshtat mbretërve. Por ata duke vështruar yjet pavarësisht supersticionit, përfituan edhe disa njohuri astronomike elementare duke hedhur bazat e shkencës së astronomisë. Magët e ndanë të gjithë hapësirën yjore të dukshme nga sytë e njeriut në dymbëdhjetë konstelacione me shenja zodiake të veçanta, të cilët i personifikuan si perëndi, heronj dhe kafshë, si psh, peshku, virgjeresha, demi etj. Këtu e ka fillesën edhe horoskopi që dëgjojmë çdo ditë i cili vazhdon të mbushet me trille të reja ose të përsëritura rëndom. Shumë njerëz bien viktimë e këtij mashtrimi, dhe thonë se ato që dëgjojnë për horoskopin e ditës iu ndodhin vërtet. Kjo është një rastësi ose më mirë të themi truk, sepse aty thuhen gjëra shumë të përgjithshme që patjetër njerëzve në rrjedhën e jetës së përditshme do ju ndodhin dhe kështu rrjeta e mashtrimit të horoskopit do të kapë çdo ditë “peshq” të rinj.

Por magët si besuan, se ylli që u shfaq papritur ishte vërtet shenja e lindjes së Krishtit, Mbretit të judenjve?

1500 vjet prK. një tjetër magë Balami, kishte profetizuar për lindjen e Mbretit të judenjve që do të sundonte botën dhe lindja e tij do të paralajmërohej nga qielli me lindjen e një ylli; “Atëherë ai shqiptoi orakullin e tij dhe tha: “Kështu thotë Balaami, bir i Beorit; kështu thotë njeriu sytë e të cilit janë hapur… E shoh, por jo tani; e sodis, por jo afër: një yll do të dalë nga Jakobi dhe një skeptër do të ngrihet nga Izraeli, i cili do ta shtypë Moabin fund e krye dhe do të rrëzojë tërë bijtë e Shethit…Nga Jakobi do të dalë një sundues…” (Nr.24:15;17;19). Kjo profeci ruhej në memorien e magëve astrolog, brez pas brezi dhe tre magët të quajtur Melkion, Gaspari, Baltazari kur panë shfaqjen e yllit u kujtuan për profecinë dhe u nisën me nxitim për ta adhuruar Mbretin e botës.

Por jo vetëm magët e Babilionisë dhe Persisë përfaqësues së perandorive të para pagane në botë, por edhe grekët dhe romakët të perandorive të fundit, ishin të paralajmëruar për lindjen e një Mbreti botëror, që do të ndryshonte historinë e njerëzimit. Për shkaqe politike romakët e ashpër, respektuan orakujt të Delfit dhe të Elesinës. Në vitin 83 prK dolën në dritë disa profeci sibilike ku thuhet: “Do të duket në njerëzit mbretëria më e madhe, mbretëria e të pavdekshmit, do të vijë një Mbret i papërlyer për të mbretëruar në të gjithë botën për të gjithë shekujt. Dhe kur ylli i tij i diellit do të ndriçojë, do të vijë me qetësi Fjala e të Lartit i veshur me trup njësoj me të vdekshmit”. Edhe Virgjili poet i madh romak me vargjet e tij profetizon: “Ardhjen e një djali nga qielli i lartë nëpërmjet virgjëreshës së zgjedhur nga Perëndia”. Perandori romak Oktavian Augusti për të mësuar se cili do të ishte ai që do të mbretëronte pas tij, pyeti orakullin e Delfit dhe priftëresha Pitia profetizoi: “Perënditë e lumtur më zbulojnë se një djalë nga hebrenjtë do të mbretërojë dhe t’i përgatisni shtëpinë dhe menjëherë do të mposhtet hadhi”. Pra të gjithë popujt në ndërgjegjen e tyre po prisnin shenjën, yllin që do të tregonte lindjen e Mbretit të madhë .

Shumë janë folur për shfaqjen e këtij fenomeni astronomik, ka pasur mendime të ndryshme edhe nga shkencëtarët astronomë. Disa thonë se ai ka qenë një bashkim planetesh, “ylli mbretëror” (Jupiteri) dhe “ylli i Izraelit” (Saturni), të cilët u bashkuan në një vijë të drejtë, tre here në atë vit, por në qoftë se i referohemi tregimit të Ungjillit sipas Mateut, ylli u shfaq dy herë, herën e parë lajmëroi magët, për lindjen e Krishtit duke i treguar drejtimin për nga Judea. Herën e dytë ylli paraprinte duke i treguar rrugën për në Palestinë.

Mënyra me të cilën një yll në kupën qiellore tregon një rrugë duke ndryshuar drejtimin për arsye të kthesave nëpër honet e rrugës së gjatë përbën një enigmë në vetvete. Gjithashtu të shkakton habi se si është e mundur që një yll i cili gjendet në një largësi të pafundme në qiell mund të zbresë dhe të qëndrojë mbi një shtëpi dhe të tregojë me saktësi vendin ku duhet të drejtoheshin magët siç na njoftohet në ungjill: “…dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u shkonte përpara atyre derisa u ndal përmbi vendin ku ndodhej fëmija.”(Mat.2:9)Pavarësisht se fenomeni është i pashpjegueshëm nga ana shkencore, ai gjen një shpjegim duke e parë në një këndvështrim tjetër shpirtëror, siç na interpreton shën Joan Gojarti (354-407) i cili thotë se: “Ky yll nuk ishte si yjet e shumtë por më tepër nuk ishte një yll, po një fuqi e padukshme engjëllore me pamjen e një ylli që ndiqte rrugën nga Lindja në Perëndim, ndryshe nga yjet e tjerë, dhe as si dielli dhe si hëna që lëvizin nga perëndimi në lindje. Ai nuk duket vetëm natën por në mes të ditës, ai nuk ndriçon si një yll, as si dielli, as si hëna; para tij zhduket dhe rrezja e diellit. Në rrugën deri në Palestinë ai udhëhiqte magët por kur erdhën në Jerusalem ai u fsheh…. ai nuk ishte një yll i lëvizshëm por një fuqi e logjikshme (engjëllore) që më vonë shkoi dhe qëndroi mbi kryet e djalit”

Magët të mrekulluar nga fenomeni i “yllit” që i tregoi foshnjën Jisu e kuptuan se Ai fëmijë nuk ishte njeri i zakonshëm por Hyjnor qiellor dhe dhuruan duke u ofruar tre dhurata: ar, temjan dhe miro, ashtu siç ungjilli na njofton; “Dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan: ar, temjan dhe miro.”(Mat 2:11) Këto dhurata simbolike kanë domethënie të madhe ndaj Atij që i dhurohen, ari i dhurohet mbretërve, temjani perëndive, miroja të vdekurve. Të gjitha këto dhurata u përmbushën në personin dhe jetën e Jisu Krishtit i cili është Perëndi, si Bir i vetëmlindur i Perëndisë, Biri i vetëmlindur i Virgjëreshës Mari, Mbreti i qiellit (ëngjëjve)dhe i dheut(njerëzve), që do të vdiste si njeri në kryq për mëkatet e njerëzve dhe trupi i tij do të lyhej me miro sipas zakonit të mbretërve dhe do varrosej në varre të pasurish, ashtu siç na i tregon ungjilli sipas Joanit:

“Pas këtyre gjërave, Josifi nga Arimatea, që ishte dishepull i Jisuit… i kërkoi Pilatit që mund ta merrte trupin e Jisuit dhe Pilati i dha leje. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin e Jisuit. Por erdhi dhe Nikodemi… duke sjellë një përzierje prej miroje dhe aloe, prej rreth njëqind litrash. Ata, pra, e morën trupin e Jisuit dhe e mbështollën në pëlhura liri me erëra të këndshme, sipas zakonit të varrimit që ndiqnin judenjtë” (Lk. 19:38-41).Këto tre dhurata të magëve u ruajtën nga brezi në brez dhe përfunduan si relike të shenjta në Kostandinopojë duke u nderuar nga të krishterët për shekuj. Mbas pushtimit të qytetit nga sulltan Mehmeti i II 1453 psK, nëna e tij Maro, bija e mbretit të Serbisë, i mori këto dhurata dhe i çoi në Malin Athos, ku ndodhen sot e kësaj dite në manastrin e shën Pavlit dhe nderohen nga pelegrinët e shumtë.

Kutia e argjendë ku ruhen dhuratat e magëve

Magët mbasi adhuruan dhe lanë dhuratat nuk u kthyen më tek Herodi armiku i Krishtit, sepse engjëlli që i kishte tërhequr me pamje “ylli” drejt Krishtit që ata e panë me sytë e tyre i besuan dhe e adhuruan si Krijuesin e universit, i shfaqet haptas në ëndërr dhe i drejton në një rrugë tjetër siç shkruhet: “Por Perëndia i udhëzoi në ëndërr që të mos ktheheshin tek Herodi dhe ata u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër”( Math. 2:12).

Shën Joan Krisostomi thotë: “Prandaj të mos e konsiderosh të padenjë nga Perëndia faktin që Ai i thirri dhe magët me anë të yllit. Perëndia i lejoi magët për t’i provokuar nëpërmjet yllit me qëllim objektiv për t’i ngritur në nivelin më të lartë të besimit për Perëndinë e vërtetë. Por kur i udhëhoqi dhe i solli afër Birit të Tij, atëherë nuk u flet më me anë të yllit, por nëpërmjet engjëllit kështu dalngadalë ata u përmirësuan në besim.”Magët ose tre mbretërit e lindjes, që përfaqësojnë kombet pagane dhe ishin të parët si përfaqësues të tyre, të cilët u falën tek Zoti Krisht, ashtu siç ishte profetizuar; “Mbretër të Tharsisit dhe ishuj dhurata do të ofrojnë, mretër arabësh dhe të Savait dhurata do të sjellin. Dhe do t`i falen atij të gjithë mretërit e dheut, të gjithë kombet do ti shërbejnë.”( Psa 71 10 11)

Ata u kthyen në Babiloni në një mentalitet të transformuar nga adhurues yjesh (astrologë) u bënë adhurues të Perëndisë, i Cili krijoi nga asgjëja të gjitha të dukshmet dhe të padukshmet me anë të Fjalës dhe nga Shpirti i Shenjtë.Edhe kur njeriu, kurora e krijimit material ra, në mashtrimin e djallit dhe po ashtu bota e krijuar për të, u prish nga mëkati, duke u bërë principatë e djallit, ku sundon vdekja për të gjithë dhe për të gjitha, Perëndia At bën gjithçka për ta shpëtuar botën dhe njerëzimin. Ai dërgoi përsëri në botë Birin dhe Fjalën e tij: “Që për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë zbriti prej qiejve, edhe u mishërua prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari dhe u bë njeri”(Simboli i Besimit). Ky vullnet dhe veprim Hyjnor, është tregues i dashurisë së përmbibollshme të Perëndisë: “Sepse Perëndia aq e deshi botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij (Jn.3:16-17)”. Ungjillori Joan vazhdon edhe thotë: “Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.” (Jn.1:14)

Kështu kombet që deri në atë kohë kishin rënë në mashtrimin idhujtari, në adhurimin e krijesës në vend të Krijuesit u ndriçuan dhe filluan të adhurojnë tashmë Perëndinë; Atin, me anën e Birit në Shpirtin e Shenjtë. Prandaj që nga ajo kohë astrologjia që është e inspiruar nga fantazia dhe supersticioni dhe ritualet magjike pagane e frymëzuar nga djalli babai i gënjeshtrës është e ndarë nga astronomia shkenca që vëzhgon dhe najep informacion për universin. Astrologjia (horoskopi) është idhujtari një gjë e ndaluar dhe e mallkuar, sepse shkel porosinë e II të Perëndisë; “Nuk do kesh tjetër Perëndi përveç meje.” (Eks. 20:30) E mohon dinjitetin e tij Hyjnor si krijues i gjithësisë (galaktikave yjeve planeteve) dhe fyen gjithë diturin e Tij, që: “ i llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre.”(Ps 147:4) Vetë Babilonia madhe, vëndi i idhujtarisë dhe astrologjisë, që ariti kulmin e lavdisë në shek VI pr.K u shkatërrua nga drejtësia Hyjnore duke u bërë një grumbull gërmadhash, ashtu si u profetizua nga profetët si Isaia 700 vjet prK; “Dituria jote dhe njohuritë e tua të kanë mashtruar, dhe ti thoje në zemrën tënde:”Unë dhe askush tjetër”. Prandaj do të të vijë një fatkeqësi dhe nuk do të dish se nga të vjen…Je lodhur me turmën e këshilltarëve të tu; le të ngrihen, pra, astrologët, ata që studiojnë yjet dhe bëjnë parashikime çdo muaj dhe le të të shpëtojnë nga gjërat që do të bien në kurriz.(Isaia 47:11-13)

Natyra është një libër i hapur ku ne mund të shikojmë me anë të besimit Perëndinë, prandaj shkruhet: “Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij” (Ps. 19:1). Shumë shkenctar astronomë duke parë kozmosin lavdëruan Perëndinë, ashtu si astronomi Neil Amstrong në vitin 1969 kur fluturoi jashtë orbitës së tokës drejt hënës, mesazhin e parë që dha prej hapësirës ishte: “Në fillim Perëndia krijoi qiejtë edhe tokën”(Zan. 1:1).Prandaj ata që vazhdojnë sot të besojnë në yjet me supersticion të frymëzuar nga horoskopi le të marrin shembull nga magët, t’i braktisin këto idhujtari dhe supersticione të gabuara, të mallkuara, ofenduese edhe për arsyetimin njerëzor, të udhëhequr nga “ylli mendor” të afrohen me besim drejt Foshnjës Hyjnore dhe le ta adhurojnë, si krijuesin, zotëruesin e universit, Diellin e drejtësisë dhe Shpëtimtarin e njerzimit dhe botës, ashtu si në këtë ditë festive të krishterët e ndriçuar këndojnë: “Lindja jote o Krisht Perëndi, i ndriti botës dritën e dritës së hyjshme, se ata që adhuronin çdo yll në qiell, si sot prej yllit po mësoheshin, ty të adhurojnë Diellin e drejtësisë, dhe të njohin si lindje që lartasi o Zot lavdi më ty”(Përlëshorja e festës Krishtlindjes).

Ikona e adhurimit të magëve

Dhe në qoftë se nuk kanë ar, temjan dhe miro për të dhuruar, të gjithë e kanë një dhuratë, për t’i ofruar Krishtit, mëkatet e tyre, le t’i afrojnë me pendim ato, Atij i cili u bë njeri nga njeridashja që të marrë mbi vetë njerishmërinë e tij të pa mëkatshme, mëkatet tona dhe t’i shpengojë ato në kryq, për shpëtimin tone, sepse: “Edhe të gjitha gjërat janë nga Perëndia që na pajtoi me veten përmes Jezu Krishtit dhe na dha shërbimin e pajtimit, sepse Perëndia e ka pajtuar botën me veten në Krishtin, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre dhe vuri ndër ne fjalën e paqtimit. Ne, pra, bëhemi lajmëtarë për Krishtin, sikur se Perëndia të këshillonte nëpërmjet nesh; dhe ne ju këshillojmë juve për hir të Krishtit: Paqtohuni me Perëndinë!”(II Kor 5:18-20). Për shumë vjet Krishtlindje të ndritshme.

4 COMMENTS

Comments are closed.